Kuzhe: Ja e ardhmja e sulmit shqiptar
“Pashë disa lojtarë të mirë dhe premtues. Bala, Shkurtaj, Roshi e Cikalleshi janë një potencial i madh për të qenë të suksesshëm në të ardhmen. Mund të përfshihen në ekipin e parë, përse jo”
Trajneri i Kombëtares së Shqiptarëve, Josip Kuzhe, beson se sulmi shqiptar ka një të ardhme të sigurt. Këtë ndjesi kroatit ia konfirmoi edhe zbori i zhvilluar në Antalia, ku sipas tij, reparti i sulmit i dha sinjale të mira. “Po, pashë disa lojtarë të mirë dhe premtues. Bala, Shkurtaj, Roshi e Cikalleshi janë një potencial i madh për të qenë të suksesshëm në të ardhmen. Mund të përfshihen në ekipin e parë, përse jo, nëse do të vazhdojnë të punojnë me seriozitet”. Kuzheja nuk e fshehu aspak se Shkurtaj i kishte bërë përshtypje të mirë. “Është vetëm 17 vjeç, por ka potencial të madh si sulmues. Jam i bindur 100 për qind se ai do të luajë në të ardhmen në ekipin kombëtar”. Trajneri Kuzhe do të jetë në Greqi për të parë nga afër disa nga lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet e niveleve të ndryshme. “Po, do të jem në Greqi, - tha Kuzhe për “Albania-sport.com”, - për të ndjekur nga afër së bashku edhe me trajnerin Bushati (U-21) dhe Shehu (U-19) grumbullimin me lojtarët shqiptarë që aktivizohen në Greqi. Nuk do të shoh vetëm Vasil Shkurtajn (luan me Olimpiakosin U-21), por edhe shumë lojtarë të tjerë”. Grumbullimi do të bëhet nga data 18 deri në 21 janar. Në listën paraprake të të grumbulluarve (datëlindja 1990 dhe 1991) janë lojtarë që luajnë me Larisën, Arisin, Elefsinën, Ethnikos Asterias, Dafnin, Ergotelis, Levadiakosin, Rotsën, Asterias Tripolis, Olimpiakos Korop, Kesarianit, Atromoitosin, Ionikosin, Paok, Egaleos, Glyka Nerës, Niki Volu. “Gjithsesi, nuk do të humbas derbin Tirana-Dinamo, do të jem në Shqipëri atë ditë”. Tirana-Dinamo do të luhet më 24 janar në “Qemal Stafa” (ora 18:00).
Kuzhe përsëriti se faza stërvitore e zhvilluar në Turqi ka krijuar mundësi që të vëzhgojë lojtarë të vlefshëm për skuadrën, kur doli para mediave për të dhënë informacione mbi gjendjen e atyre që vëzhgoi nga 3-10 janari në Antalia. Kroati tha se Shqipëria se faza stërvitore ishte me vlerë. Përzgjedhësi Josip Kuzhe tha se disa lojtarë i lanë mbresa të mira, kurse disa të tjerë e zhgënjyen plotësisht. Sipas Kuzhes, grumbullimet e lojtarëve si këtë herë nga liga superiore e Shqipërisë janë të nevojshëm në prag të përgatitjeve për eliminatoret e Euro 2012-ës: “Ne jemi në prag të ndeshjeve eleminatore të Europianit dhe detyra ime tani është të përzgjedh. Ky grumbullim them se më shërbeu shumë, pasi për 7 ditë pata kontakt nga afër dhe kam ide të qarta për këta lojtarë. Në Turqi ne kishim futbollistë që janë pjesë e kombëtares si Vila, Bakaj apo Lila, por veç tyre, futbollistë si Bala, Shkurtaj, Roshi apo Veliaj, ishin një surprizë e këndshme për mua. Për momentin ne kemi 60-70 % të ekipit dhe na duhen disa nga këta lojtarë të rinj për ta plotësuar atë. Por, unë duhet të besoj 100 për qind tek futbollistët që do të thërras dhe në Turqi pati nga ata që lanë edhe një përshtypje negative”. Kombëtarja u mund 1-2 nga Adanaspori dhe barazoi me 2-2 me Siirt Jetpa të ligave të ulëta turke. Por, Kuzhe mendon se ndonëse rezultati ka përherë vlera, vëmendja në Antalia ka qenë te lojtarët. Kuzhe tha gjithashtu se Shqipëria ka talente, mirëpo ata rriten në kushte shumë të vështira. Duke parë këtë detaje, Kuzhe tha se do të jetë shumë mirë që disa lojtarë të vazhdojnë karrierën në muajt e ardshëm jashtë Shqipërisë me qëllim që të bëhen sikurse u shpreh “100 për qind profesionistë”.
Ftesa për Mavrajn
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Josip Kuzhe, pohoi për “Albania-sport.com”, se ai do ta ftojë mbrojtësin e Bokumit, Mërgim Mavraj, në miqësoren e parë zyrtare që do të zhvillojë Shqipëria, e parashikuar kjo në muajin mars të këtij viti (besohet se Luksemburgu do të jetë kundërshtari i ardhshëm). “Jam i lumtur me atë po bën Mavraj me ekipin e tij. E pashë në aksion në ndeshjen Bokum-Hanover dhe u kënaqa më atë që pashë. Më pas folëm gjatë dhe e pres të vijë në kombëtare në ndeshjen e parë miqësore”.
Seria A
Fitorja e Milanit, Ciro
Ferrara mohon largimin
Ndërsa Guus Hiddink vazhdon të përmendet si një zëvendësim i mundshëm, Ferrara mohon se kjo humbje e ka rrezikuar punën e tij
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, ka refuzuar të pranojë se humbja e së dielës prej 3-0 ndaj Milanit e rrezikon postin e tij. Ndërkohë, ndryshe nga homologu i Juves, trajneri i Milanit, Leonardo, ka qenë i kënaqur me lojtarët e tij pas fitores 3-0 në këtë derb.
Trajneri i Juves, Ferrara, ka thënë sot se ai nuk do të heqë dorë dhe se ndjehet se mund ta rregullojë gjendjen negative në Juventus, por megjithatë është i gatshëm të “pranojë çfarëdo vendimi” që do të merret nga drejtuesit e klubit.
“Në mënyrë të dukshme, rezultati 3-0 është i pastër dhe erdhi nga tri ndërprerje të lojës, gjë që na ka kushtuar neve edhe në ndeshjet e tjera. Por në këtë shkallë ne as nuk e kemi pasur fuqinë për të reaguar”, ka thënë Ferrara pas disfatës.
Ndërsa Guus Hiddink vazhdon të përmendet si një zëvendësim i mundshëm, Ferrara mohon se kjo humbje e ka rrezikuar punën e tij.
“Nuk mendoj se unë rrezikoj punën time. Jam shumë më i përqendruar në atë se çfarë duhet të bëjmë, me qëllim që ta përmbysim këtë situatë negative. Pjesa tjetër nuk më takon mua dhe unë nuk marr vendime të tilla. Do të mundohem të bëj gjithçka që mundem ta tejkalojmë këtë moment të keq, pastaj do të pranoj çfarëdo vendimi”, ka shtuar italiani.
Ndryshe nga trajneri i Juves, trajneri i Milanit, Leonardo, ka qenë i ngazëllyer me lojtarët e tij pas fitores 3-0 ndaj Juventusit në derbin e mbrëmshëm.
Milani shkatërroi Juventusin në Torino, falë një goli të shënuar nga Alessandro Nesta në pjesën e parë dhe dy golave të shënuar nga Ronaldinho në pjesën e dytë të takimit.
“Sigurisht që nuk ishte e lehtë, pavarësisht rezultatit. Ne ishim në gjendje ta kontrollojmë Juventusin më mirë në pjesën e dytë dhe na u desh kohë të organizohemi. Ata u përpoqën të na detyrojnë të tërhiqemi në mbrojtje dhe kjo funksionoi një kohë”.
“Gjëja më e rëndësishme është inteligjenca jonë për t’u përballur me mënyrat e reja të taktikave të ekipeve të tjera”, ka thënë Leonardo.
-
3673 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg