Hyrje | Sociale | Kandidatët, si do të bëhet listimi i fituesve në formularin A2

Kandidatët, si do të bëhet listimi i fituesve në formularin A2

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

 

Maturantët që kanë të drejtë të përfshihen në provimet me zgjedhje, do të jenë vetëm ata që kanë notë kaluese në provimet e detyruara

 

Marsel LELA

 

TIRANË – Me afrimin e Maturës Shtetërore të këtij viti shkollor, strukturat arsimore kanë përgatitur udhëzimin e ri për procesin e provimeve të maturantëve, si dhe përgatitjen e formularëve përkatës të aplikimit.

Një prej këtyre formularëve është ai A2, i cili përmban preferencat e maturantëve për pranimin në institucionet e arsimit të lartë.

Preferencat e maturantëve do të përcaktojnë edhe pranimet në universitete për vitin e ardhshëm akademik, të cilat do të listohen në formularin A2 sipas rendit zbritës.

Për sa i përket plotësimit të këtij formulari, plotësimi i tij edhe në maturën e këti viti mendohet të jetë i njëjtë.

Kjo do të thotë se, maturantët edhe këtë vit mund të përzgjedhin sërish dymbëdhjetë degët më të preferuara sipas një rendi zbritës të preferenvcave të tyre.

Pas kësaj procedure do të bëhet edhe lista me kandidatët fitues të shkollës së lartë për këtë vit akademik.

Renditja e fituesve do të bëhet pikërisht nëpërmjet këtij listimi, pas mbylljes së procedurës përllogaritëse të komponentëve përbërës të Maturës së këtij viti.

Për sa i përket shpërndarjes së këtj formulari nëpër shkolla, ai pritet të bëhet pasi ky i fundit të jetë miratuar.

Ashtu edhe si procedurat e tjera të Maturës shtetërore, edhe formulari A2 pati disa ndryshime vitin që shkoi, sipas rregullores së re të Maturës Shtetërore. Duke iu referuar kësaj rregullorje, kandidatët që kanë të drejtë të përfshihen në provimet me zgjedhje, do të jetë vetëm ata që kanë arritur të marrin notë kaluese në të dy provimet e detyruara. Gjithashtu, jo të gjithë universitetet e vendit do ti japin rëndësi provimeve me zgjedhje. Aktualisht janë përcaktuar një sërë institucionesh të arsimit të lartë që nuk do t’i japin rëndësi provimeve me zgjedhje, po pjesës speciale për pranimet e studentëve të rinj gjatë këtij viti.

Edhe këtë vit ashtu si edhe vitin e kaluar, do të zhvillohen orë konsultative mematurantët për të gjitha lëndët me zgjedhje  në provimet e Maturës Shtetërore, konsultime të cilat shërbejnë për orientimin e maturantëve në lidhje me njohuritë rreth këtyre lëndëve.

Është përcaktuar që për të dy provimet e detyruara, zhvillimi i konsultimeve do të bëhet menjëherë pas mbarimit të vitit shkollorë.

Për të dy lëndët e detyruara, gjithmonë sipas rregullores së vitit që shkoi, u vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime për të gjithë nxënësit bashkë. Përsa i përket lëndëve me zgjedhje, periudha e konsultimeve me mësuesit do të zhvilohet në grupe sipas preferencave të  përzgjedhura nga vetë maturantët.

 

 

Shpërndarja e pikëve

 

Testi i shkollës së lartë, peshën më të madhe e zë konkursi special

 

TIRANË – Në afatet që janë përcaktuar në rregulloren e Maturës Shtetërore theksohet se, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të bëjë miratimin e furmularit A2 deri në datën 1 prill që është edhe afati i fundit për miratimin e tij.

Formulari A2 ka të bëjë me të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku ky i fundit dëshiron të studiojë.

Sipas rregullores së fundit të Maturës shtetërore, të gjithë maturantët do të kenë mundësi ta realizojnë plotësimin e këtij formulari përkundrejt afatit kohor të përcaktuar në rregulloren e Maturës Shtetërore.

Sigurisht, rregullorja e një viti më parë përfshihnte edhe disa ndryshime te reja në rregulloren e Maturës Shtetërore edhe përsa i përket garës së provimeve.

Përkatësisht, ndryshimet që u përfshin vitin që shkoi në zhvillimin e provimeve ishin: vendimi që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohet provimi me zgjedhje.

Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këto kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet.

Pjesa tjetër do ti atribuohet mesatares së shkollës së mesme.

Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e arkitekturës, e cila do të japë dhe pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë, të kenë aftësi edhe në fusha të tjera, të cilat janë të domosdoshme.

Megjithatë, para se të nisë plotësimi i formularit do të publikohen edhe koeficientët e shkollave të mesme, në mënyrë të tillë që maturantët të bëjnë përllogaritë paraprake vetë, që të rezultojnë fitues në degët ku kanë më shumë probabilitet për të fituar.

 

 

Udhëzimi

 

Dokumentet që duhet të dorëzojnë nxënësit e shkolluar jashtë

 

Këta kandidatë duhet të paraqesin disa dokumente për ekuivalentimin e diplomave të marra në universitetet jashtë vendit

 

Marsel LELA

 

TIRANË – Sipas udhëzimit të fundit të Maturës Shtetërore, të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, duhet të japin provimet me zgjedhje për të fituar të drejtën e pranimit në institucionet e arsimit të lartë publik.

Këta persona që do të japin provimet me zgjedhje pranë institucioneve arsimore shqiptare, duhet të paraqesin disa dokumente për ekuivalentim pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në Drejtorinë e Kurrikulës dhe Monitorim, Vlerësimit.

Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë zyrës së këtij institucioni këta dokumenta:  kërkesën me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të

lartë publik, dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme të përkthyera dhe të noterizuara, fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi. 

Përsa i përket aplikimit në formularin A2, shtetasit shqiptarë që e kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, mund ta bëjnë plotësimin e tij dhe ta dorëzojnë atë në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.

Pasi të njohë si të vlefshme dëftesën e shkollës së shtetasve shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, Komisioni i Posaçëm që do të ngrihet pranë Ministrisë ë Arsimit dhe Shkencës do të bëjë përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të viteve të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2,  në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve.

Gjithashtu, komisioni përcjell zyrtarisht rezultatet e mësipërme në Komisionin e Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku shtetasi ka vendbanimin, brenda datës së përcaktuar.

Komisioni i Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore cakton shkollën ku shtetasi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë formularët A1 dhe A2; përcjell pranë shkollave përkatëse notat që ka përcaktuar Komisioni i Posaçëm; si dhe dorëzon zyrtarisht dhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve formularët A1, të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T.

Regullorja e fundit parashikon disa ndryshime për maturantët që e kanë kryer shkollën e mesme para viteve 2005-2006, në lidhje me dhënien e provimeve me zgjedhje. Sipas rregullores së re të Maturës Shtetërore, provimet me zgjedhje duhet të jepen edhe nga maturantët që e kanë kryer shkollën e mesme para viteve të mësipërme, nëse këta të fundit dëshirojnë të aplikojnë për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë.

Rregullorja e re parashkon që të gjithë nxënësit, të cilët e kanë kryer shkollën e mesme para viteve 2005-206 dhe dëshirojnë të vazhdonë studimet në shkollat e larta, do t’i japin të dy provimet me zgjedhje.

Sipas rregullores së re të Maturës Shtetërore, të bërë publike nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, parashikohet që regjistrimi i kësaj kategorie për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme përkatëse, në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH) të drejtorisë arsimore përkatëse.

Për të bërë regjistrimin e tyre për dhënien e provimeve me zgjedhje, kjo kategori nxënësish duhet të paraqesin pranë institucioneve të arsimit parauniversitar, edhe një dosje me dokumentat përkatëse. Përsa iu përket listës së dokumenteve që duhet të paraqesin për regjistrim këta maturantë, ato janë: një vërtetim që ka përfunduar studimet e mesme, listën me notat e viteve të shkollës, kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.

Pas paraqitjes së dokumentacioneve përkatëse, Komisioni i Maturës Shtetërore do të caktojë shkollën e mesme ku këta nxënës do të plotësojnë formularin A1 dhe A2, ku dhe do të japin provimet me zgjedhje. Sipas rregullore së re të Maturës Shtetërore, përjashtohen nga ky detyrim të gjithë kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Konkurimi

 

Akademia sportive dhe ajo e Arteve, jo të detyrueshme provimet me zgjedhje

 

TIRANË – Kandidatët për studentë që do të konkurojnë për të fituar të drejtën e studimit në akademitë sportive, apo ajo artistike, sipas rregullores së fundit të Maturës Shtetërore, përjashtohen nga e drejta e dhënies së provimeve me zgjedhje.

Por në qoftë se këta kandidatë nuk arrijnë të fitojnë të drejtën e studimit në njërën prej degëve të këtyre akademive, ku ata kanë dhënë preferencën e tyre, ata nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga preferencat e tjera që kanë zgjedhur në formularin A2.

Konkretisht, ata e humbasin të drejtën për vazhdimin e studimeve në degët e tjera të universiteteve publike, të cilat kanë të bëjnë me këtë profil, për arsye se këta kandidatë nuk i kanë dhënë provimet me zgjedhje.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, “një kandidat që ka plotësuar në formularin A2 dymbëdhjetë preferenca për studimet e larta, ku preferencat e para janë për degët e akademive dhe më pas renditen si degë të tjera historia, drejtësia e kështu me radhë, në rast se nuk përzgjidhen pas konkursit special që do të zhvillojnë, nuk kanë të drejtë të përzgjidhen në degët e tjera të shënuara në formular, me përjashtim të atyre të profilit të akademisë”.

Ekspertët sqarojnë se, nëse këta kandidatë dëshirojnë ta gëzojnë këtë të drejtë duhet të japin edhe provimet me zgjedhje. Pra, nëse një maturant që dëshiron të vazhdojë studimet në këtë profil gëzon të drejtën edhe të dhënies së provimeve me zgjedhje, gjë e cila do ti jepte këtij të fundit edhe mundësinë e aplikimit për në degët jashtë profilit të akademisë. Për sa i përket Këshillimit të karrierës, ekspertët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të shpërndahen nëpër shkollat e mesme të kryeqytetit për zhvillimin e kësaj nisme, e cila zuri fill dy vjet më parë si një udhërrëfyes për maturantët në zgjedhjen e degës së shkollës së lartë ku ata dëshirojnë të vazhdojnë studimet.

Shpërndarja e ekspertëve nëpër shkollat e mesme të kryeqytetit, pritet të bëhet pas aplikimit të formularit A1 të Maturës Shtetërore. Këta të fundit, do të informojnë maturantët për të bërë përcaktimin e saktë të degëve që do të listojnë në formularin A2.

 

 

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1117 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive