Udhëzimi i MASH, shpallet faza e fundit e regjistrimit
Kandidatët që nuk kanë mundur të fitojnë gjatë fazës së tretë, kanë edhe një tjetër mundësi për të shkuar në universitet
Marsel LELA
TIRANË – Kandidatët që nuk kanë arritur të shpallen fitues gjatë tri fazave të para të konkurrimit, e kanë edhe një tjetër shans për të filluar këtë vit shkollën e lartë. Kjo, pas shpalljes së formularit A4 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas së cilës do të regjistrohen në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në ciklin e parë të studimeve, sipas programeve përkatëse të shpallur nga MASH-i, kandidatët që shpallen fitues nga APRIAL-i për kuotat e parealizuara pas fazës së tretë.
Sipas udhëzimit, kandidatët për studentë të aplikojnë vetëm për vendet e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Fituesit do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në bazë të dy parimeve: parimi i meritës, sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe parimi i vullnetit të kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A4. Kanë të drejtë ta plotësojnë formularin A4 të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë fituar një vend studimi në listën e fituesve, në ciklin e parë të fituesve me kohë të plotë në IAL-et publike për vitin akademik 1009-2010.
Kandidatët, të cilët janë përfshirë në listat e fituesve në fazën e dytë dhe të tretë dhe nuk janë regjistruar në kohën e caktuar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2009-2010, duhet të parashtrojnë kërkesë me shkrim në MASH. Afati i këtyre veprimeve është deri më datë 27 nëntor 2009.
Formulari A4 përmban të gjitha kuotat e përcaktuara për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara nga ai dhe duke u orientuar nga pikët e fituesit të fundit në atë program studimi në fazën e tretë.
Shpërndarja e formularit A4 për kandidatët maturantë jofitues do të bëhet nga APRIAL-i nëpër drejtoritë e arsimit rajonal në datën 20 nëntor. Formulari A4 do të tërhiqet nga kandidatët, të cilët duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar në DAR/ZA-t, deri në datën 25 nëntor 2009. DAR/ZA-t duhet të sjellin në APRIAL formularët A4 të plotësuar, në datën 26 nëntor 2009.
APRIAL-i do të përpunojë të dhënat e marra nga formulari A4 dhe në datën 30 nëntor do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. APRIAL-i do të dorëzojë, në datën 1 dhjetor, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, në datat: 2 deri 5 dhjetor, nga ora 08:00, deri në orën 16:00. Për regjistrim, kandidati të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale: dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë.
Dokumentet e regjistrimit
1. Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit
2. Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi;
3. Dy fotografi
4. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh.
Procedura e regjistrimit
Pranimet, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit do të shpallen në 1 dhjetor
TIRANË - Në kryerjen e procedurës së regjistrimit të kandidatëve fitues, sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë do të regjistrojnë kandidatët fitues në regjistrin bazë të studentëve, në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sekretaria mësimore do të pajisë kandidatin me fletë-regjistrimi, ku do të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi duhet të jetë i nënshkruar dhe i vulosur nga titullari i institucionit publik të arsimit të lartë, njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë në MASH dhe në APRIAL listat përfundimtare origjinale në formë elektronike, të përgatitura nga APRIAL-i me regjistrimet përfundimtare në vitin e parë të studentëve të ciklit të parë me kohë të plotë për vitin akademik 2009-2010, brenda datës 10 dhjetor 2009. Institucionet publike të arsimit të lartë, nga data 1 dhjetor do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit apo çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.
-
767 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg