Shtrihet vatra e A/H1N1, konfirmohen 169 raste
Në shumë kopshte dhe shkolla është rritur numri i fëmijëve që nuk paraqiten nga virusi stinor dhe gripi i derrave
Marsel LELA
TIRANË - Gripi i derrave po përhapet me shpejtësi në Shqipëri, duke vënë kështu në alarm autoritetet shëndetësore të vendit. Instituti i Shëndetit Publik ka raportuar ditën e djeshme, se 60 për qind e të sëmurëve me influencë respiratore janë bartës të virusit A/H1N1, ndërsa 40 për qind janë të prekur nga gripi stinor.
Sipas drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, “sot numri i të prekurve është 169 raste të konfirmuara, po kemi 409 raste të konfirmuara me influencën stinore”. Sipas drejtorit Pipero, numri i vizitave në spitalet dhe poliklinika e vendit ka qenë shumë i lartë gjatë kësaj jave. Një tjetër shqetësim përbëjnë edhe institucionet arsimore dhe çerdhet, ku gripi ka filluar të sulmojë ndjeshëm.
Sipas specialistëve, në shumë çerdhe, kopshte dhe shkolla është vënë re një rritje e numrit të fëmijëve që nuk paraqiten, si pasojë e prekjes nga virusi stinor dhe gripi i derrave.
Këshilla e mjekëve në këto raste, është që brenda këtyre institucioneve të ruhet një higjienë maksimale, ndërsa fëmijët të konsumojnë sa më shumë fruta dhe perime. Megjithatë, nuk është e gjitha kjo tabloja pandemike e gripit të derrave, pasi mjekët infeksionistë paralajmërojnë një shpërthim akoma më të madh të këtij virusi gjatë muajve në vazhdim. Sipas specialistëve, virusi A/H1N1 dhe ai stinor pritet të arrijnë kulmin e përhapjes në muajin shkurt. Pas parashikimeve të specialistëve, se gripi i zakonshëm do të ishte më i rrezikshëm se ai i derrave, është shënuar një ditë më parë edhe rasti i parë i rëndë me gripin e zakonshëm. Pacienti është një 15-vjeçar nga qyteti i Beratit, i cili u soll me urgjencë në spitalin infektiv të Tiranës. Mjekët dyshuan në fillim për A/H1N1, nga simptomat dhe forma e rëndë shëndetësore që paraqiti i sëmuri, por pasi u bënë analizat e duhura në Laboratorin e Virologjisë, pacienti rezultoi i prekur nga gripi i tipit A, pra gripi i stinës. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë konfirmojnë një shtim të përditshëm të rasteve me gripin e stinës dhe po ashtu, edhe me atë të derrit. Numri i të prekurve nga virozat stinore ka arritur mbi 12 mijë vetë në javë, ndërsa 169 persona rezultojnë të prekur nga gripi i derrit. Për sa i përket medikamentit që parandalon virusin A/H1N1, autoritetet e larta shëndetësore deklarojnë se 250 mijë vaksinat e para pritet të mbërrijnë në fillim të muajit dhjetor. Ndërsa për virozat e stinës, mjekët rekomandojnë përdorimin e vaksinës antigrip, e cila pavarësisht se nuk ka tipin e virozës që qarkullon në këtë periudhë, ndihmon në forcimin e imunitetit. Mjekët bëjnë të ditur se, krahasuar me një vit më parë, është vënë re një numër më i lartë i infeksioneve respiratore. Dy javë më parë janë regjistruar 11 mijë persona të prekur nga gripi i stinës, por sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, këtë javë ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur nga infeksionet respiratore. Për sa i përket gripit të derrave, ky virus ka filluar të përhapet tashmë edhe te fëmijët. Gjatë ditëve të fundit është konstatuar qarkullimi i virusit A/H1N1 në disa shkolla të Tiranës dhe Matit, por forma e gripit të derrit deri tani ka qenë e lehtë dhe mesatare.
Situata pandemike në Shqipëri
Gripi i derrave, vaksinimi dhe harta e shpërndarjes së virusit në vendin tonë
TIRANË - Instituti i Shëndetit Publik ne bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka nisur një fushatë vaksinimi për influencën stinore në Shtëpitë e Fëmijës dhe Shtëpitë e të Moshuarve, në të gjithë vendin.
Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, kjo nismë e fundit e Ministrisë ka si target grup shtresat e margjinalizuara të shoqërisë dhe është pjesë e masave që ky dikaster po merr, në lidhje me përballimin e situatës gripale stinore në përgjithësi, si dhe monitorimit të vazhdueshëm të rasteve me virusin pandemik A/H1N1.
Me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me A/H1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme. Deri në këto momente, nga të gjitha mostrat e analizuara, rezultojnë 169 raste me virusin A/H1N1 dhe 40 raste me virusin stinor. Këto janë dhe të dhënat e fundit që kanë dalë nga institucionet e shëndetit publik.
Rastet me A/H1N1
Gjeografia e pacientëve të ekzaminuar me A/H1N1 përfshin të gjithë qytetet e vendit dhe pse numrin më të madh e mban Tirana. Pjesa dërrmuese e tamponëve që kanë shkuar për ekzaminim, janë marrë nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministria e Shëndetësisë është në monitorim të vazhdueshëm të situatës në shkolla dhe qendra, si dhe në institucionet publike dhe private ku ka grumbullime të mëdha të komunitetit.
Influenca stinore
Kjo e fundit, nëse do t’i referoheshim në përqindje, kap 35 deri 40 për qind të rasteve të ekzaminuara. Karakteristikë e këtij viti janë rastet me infeksione respiratore, të cilat kanë njohur një rritje, veçanërisht në moshat pediatrike. Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë qytetarët dhe veçanërisht prindërit, për të treguar një kujdes maksimal dhe për të mos neglizhuar asnjë situatë gripale. Temperatura e lartë, kolla e fortë, dhimbje fyti, dhimbje muskulare, dhimbje koke dhe diarre, janë disa prej shenjave të virusit stinor dhe atij A/H1N1. Sipas mjekëve, mjaftojnë dy a më tepër se këto shenja që qytetarët të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes dhe të mos neglizhojnë situatën.
-
372 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg