Hyrje | Rajoni | Në zonën me shumicë shqiptare

Në zonën me shumicë shqiptare

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Serbia hap bazën më të madhe ushtarake në kufi me Kosovën

 

Presidenti serb, Boris Tadiç, deklaroi se kompleksi ushtarako-policor do të shërbejë veç të tjerash, për paqen në jug të vendit

 

U hap dje me një ceremoni solemne baza më e madhe ushtarake serbe, në kodrën Cepotina afër Bujanovcit, rreth shtatë vjet pas vendimit për ndërtimin e këtij kompleksi ushtarako-policor në Luginën e Preshevës. Baza është ndërtuar pikërisht në një zonë, ku shumica e popullsisë është shqiptare. Liderët shqiptarë lokalë e kanë cilësuar hapjen e saj militarizim dhe pushtim të Serbisë Jugore. Por presidenti serb, Boris Tadiç, deklaroi se kjo bazë do të përdoret si qendër trajnimi për ushtarët e përfshirë në operacionet paqeruajtëse, ndërsa do të kontribuojë për paqen në këtë pjesë të vendit. “Çdo qytetar i Serbisë që dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe marrëdhënie të mira fqinjësore duhet të jetë i kënaqur me hapjen e kësaj baze”, - tha kreu i shtetit serb para gazetarëve. Për ndërtimin e bazës në jug të Serbisë, bisedimet nisën në fund të vitit 2001, pas përfundimit të konfliktit me Ushtrinë Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, e posaçërisht në prill të vitit 2002, kur SHBA-të braktisën kazermën e Bujanovcit. Vendimi për ndërtimin e bazës u mor atëherë nga qeveria federale e ish-Jugosllavisë dhe fillimisht ishte parashikuar që ajo të shfrytëzohej nga forcat amerikane dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Policia ndërkohë hoqi dorë nga investimi për ndërtimin e bazës. Në fillim u dhanë 200 milionë dinarë (rreth 2 milionë euro), kurse punimet filluan në prill 2003, ndërkohë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Boris Tadiç, dhe shefi dhe gjenerali i Shtabit, Branko Kvrga, paralajmëruan se ushtria dhe xhandarmeria do të hynin në objekt deri në fund të vitit 2003. Mirëpo punimet u ndërprenë në vitin 2003, sepse mungonin edhe 5.2 milionë euro për përfundimin e tij. Një vit më vonë, ministri tjetër i Mbrojtjes, Prvoslav Daviniç, deklaroi se baza s’do të jetë e tipit montazh, prandaj do të nevojiten shumë më tepër para, që Serbia nuk kishte deri në vitet 2004-2005. Në fund të vitit 2007 u soll vendimi që nga plani investues kombëtar të ndaheshin rreth 8 milionë euro për përfundimin e punimeve. Ishte planifikuar që baza të përfundonte deri në fundin e atij viti. Para një viti, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se “për shkaqe objektive dhe subjektive” afati s’do të arrihej. Për shkaqe subjektive u iniciua procedura e shkarkimit të shefit të qendrës ushtarako-ndërtimore në Nish, i cili i udhëhiqte punët ndërtimore, ndërkaq si shkak objektiv u vlerësua “vonesa në pagesën e detyrimeve të arritura”. Komandanti i Ushtrisë Tokësore të Serbisë, Ljubisa Dikoviç, në fillim të nëntorit i tha agjencisë “Beta”, se bëhet fjalë për bazën më të madhe dhe më moderne në rajon, me kushtet që i kanë ushtritë më moderne botërore”. Dikoviç paralajmëroi se baza afër Bujanovcit ka për funksion edhe stërvitjen e ushtarëve për misione paqësore dhe për stërvitjen e forcave të huaja të armatosura. “Aty do të vijnë edhe njësite të tjera për stërvitje. Do të vijnë instruktorë të huaj për t’i stërvitur forcat tona, e në veçanti ato njësite që ne i kemi përcaktuar si forca potenciale për misione paqësore”, tha ai. Baza “Jug” është ndërtuar në 35 hektarë sipërfaqe, dhe në të deri më tani janë investuar rreth 17 milionë euro. Në bazë ndodhen 66 objekte, me sipërfaqe të përgjithshme prej 22,000 metrash katrorë, në të cilat do të mund të vendosen 1,000 ushtarë profesionistë. Është planifikuar që në të ardhmen të ndërtohen objekte shtesë, në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh.

 

 

Reagime për heqjen e kombësisë shqiptare nga pasaportat maqedonase

 

Lajmi i dhënë pak ditë më parë nga agjencitë shqiptare në Maqedoni, për faktin se autoritetet e Shkupit kanë vendosur që kombësia të mos përfshihet në të dhënat që përmban dokumenti i ri i shtetasve të Maqedonisë, ka shkaktuar reagime të fuqishme në vend, veçanërisht në qarqet shqiptare. “Nuk kam qenë ende në rrjedhë të këtij fakti, pasi disponoj pasaportën time të vjetër. Por sot jam informuar për këtë gjë dhe nëse është e fiksuar në këtë mënyrë në pasaportën e shtetasve me kombësi shqiptare të shtetit tonë, atëherë më duhet ta denoncoj si një mashtrim”, deklaroi dje akademiku shqiptar Ali Aliu. Por sipas tij, të parët që duhet të reagojnë lidhur me këtë janë ata që përfaqësojnë shqiptarët në institucionet e shtetit maqedonas. “Unë ju kujtoj se duhet të reagojnë ata që e kanë obligim të shmangin pasaktësitë”. Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar ashpër edhe Partia Demokratike Shqiptare, me anë të sekretarit të saj, Ernad Fejzullahu. Ai deklaroi “kjo është pasojë e etnocentrizmit të shtetit maqedonas”. Sipas Fejzullahut, në Maqedoni ekziston një tendencë e rrezikshme për të paraqitur gjithçka “me prefiksin maqedonas”. “Ne nuk kemi vetëm problemin e pasaportave. Kemi problemin e televizionit shtetëror, që është tërësisht maqedonas. Kemi problemin e fëmijëve shqiptarë, që po duhet që në klasë të parë të mësojnë maqedonishten me detyrim. Ne kemi problemin që këtu edhe ajri është gjithashtu maqedonas...”, tha sekretari i partisë më të madhe të shqiptarëve në opozitë. Për këtë situatë, përfaqësuesi i PDSH-së nuk harroi të bëjë përgjegjëse edhe partinë shqiptare që është pjesë e koalicionit qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit. Ai tha se “ky hegjemonizëm po zhvillohet, edhe sepse lejohet nga partnerët shqiptarë të qeverisë së VMRO-DPMNE-së, megjithëse sipas tij, nuk mund të flitet për partneritet, përderisa njëra palë vepron si do, ndërsa tjetra bindet. “Maqedonia po rëndohet e po shkon çdo ditë e më afër kolapsit. Për këtë arsye, ne po u ofrojmë shqiptarëve një marrëveshje politike. Po punojmë në terren për të lidhur një marrëveshje me 15 pika, ku përfshihen të gjithë problemet me të cilët përballen shqiptarët sot, duke filluar nga ndarja e buxhetit, deri tek identiteti kombëtar”, tha Fejzullahu. Të enjten, agjencia shqiptare e lajmeve INA publikoi lajmin se në pasaportat e reja biometrike me të cilat po pajisen shqiptarët e Maqedonisë, në kategorinë e nacionalitetit të tyre vazhdon të figurojë emërtimi “maqedonas”. Radhë të gjata të qytetarëve vazhdojnë për t’u pajisur me dokumentin e udhëtimit, por ata shprehin habi për ndryshimin e bërë tek e dhëna e shtetësisë. Edhe përkundër reagimeve të vazhdueshme, deri tani nuk është bërë përmirësimi i nevojshëm, duke mos ndryshuar emërtimin e vjetër “Republika e Maqedonisë”, dhe duke mos përcaktuar kombësinë e asnjë komuniteti. Fakti që shqiptarët e Maqedonisë në vendet e BE-së do të njihen drejtpërdrejt si maqedonas, sipas analistëve shqiptarë është komentuar si një strategji e qartë e qeverisë së Nikolla Gruevskit. Sipas tyre, skenari i parapërgatitur është forcimi dhe arritja e misionit që Republika e Maqedonisë të njihet si shtet ekskluzivisht i maqedonasve në sytë e ndërkombëtarëve. Analisti dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare, prof. dr. Ylber Sela, vlerëson se problemi buron nga Kushtetuta, ku shqiptarët nuk kanë të përcaktuar se qytetarë të cilës kategori janë. “Normalisht, sapo të dorëzosh pasaportën në duart e autoriteteve të huaja, në mënyrë të qartë identifikohesh si maqedonas. Dhe kjo është si pasojë e politikës aktuale që na ka përfshirë ne shqiptarëve dhe për faktin që nuk ngremë zërin”, tha Sela. Partia shqiptare në pushtet, BDI, edhe pse premtoi se do të ngrejë zërin për këtë çështje në Parlamentin e Maqedonisë, deri tani nuk është bërë asnjë gjë në këtë drejtim, kur po afrohen ditët që një pjesë e madhe e shqiptarëve do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, pas vendimit të Brukselit për të hequr vizat për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

 

 

 

Lëvizjet e Madridit

 

Spanja do të lejojë Kosovën të marrë pjesë në takimet e BE-së për Ballkanin

 

Edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e saj, Spanja do të lejojë Kosovën të marrë pjesë në mbledhjet e Bashkimit Europian, që kanë të bëjnë me çështjen e Ballkanit, gjatë presidencës së saj të radhës në gjysmën e parë të vitit 2010. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos, deklaroi dje, se gjatë Presidencës spanjolle të BE-së, vendi i tij nuk do ta pengojë Kosovën që të marrë pjesë në takimet e Unionit që kanë të bëjnë me çështjet e rajonit. “Spanja do ta lejojë Kosovën që të marrë pjesë në takimet e Bashkimit Europian, që kanë të bëjnë me relacionet BE-Ballkan, gjatë presidencës së saj në gjysmën e parë të vitit 2010, pavarësisht se Madridi ende nuk e njeh ish-provincën serbe si shtet të pavarur”, tha dje shefi i diplomacisë spanjolle. Sipas tij, shteti i ri do të mund të lejohet të jetë prezent nëpër takime, si p.sh., konferencat e nivelit të lartë mbi Ballkanin Perëndimor. “Spanja do të mbajë kontakte me autoritetet e Kosovës brenda një kuadri shumëpalësh”, shtoi Moratinos. Ky duket të jetë një hap i konsiderueshëm i shtetit spanjoll, pasi deri më tani Madridi ka mbajtur qëndrim të fortë kundër pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm i Spanjës ka thënë se vendi i tij do ta njohë pavarësinë e Kosovës, vetëm nëse këtë e bëjnë Kombet e Bashkuara apo nëse Serbia arrin një marrëveshje me autoritetet e Prishtinës. Spanja është një prej pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Madridi frikohet se njohja e pavarësisë së Kosovës do të shërbente si bazë edhe për separatistët baskë.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 988 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive