Një erë e re për Bashkimin Europian
1. Traktati i Lisbonës
Pengesa e fundit për hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës ra me ratifikimin e këtij traktati prej presidentit çek, Vaclav Klaus. Një vendim ky që i dha frymëmarrje pjesës tjetër të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por edhe vetë organeve të këtij organizmi, që kishin hyrë në një ngërç institucional që pas rrëzimit të ratifikimit të Kushtetutës Europiane me referendum prej Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Refuzimi i Kushtetutës Europiane diktoi ndryshimet që duhet të bëheshin në traktatin e ri. Por çfarë ndryshimesh esenciale sjell Traktati i Lisbonës në strukturën dhe organet e Bashkimit Europian?
Së pari, Bashkimi Europian do të ketë një organ të ri, atë të presidentit. Presidenti i Bashkimit Europian do të zgjidhet nga liderët e vendeve anëtare për një periudhë 2.5-vjeçare (kjo zëvendëson sistemin e presidencave 6-mujorëshe).
Së dyti, BE-ja për herë të parë do të ketë një ministër të Jashtëm, i cili do të jetë përgjegjes për politikat e jashtme të BE-së, do të mbajë pozicionin e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, si dhe do të administrojë buxhetin e BE-së për ndihmën e jashtme.
Së treti, ministrat e Financave të vendeve anëtare që kanë si monedhë të tyren euron (vende anëtare të eurozonës) do të zgjedhin një kryetar me mandat 2,5 vjet.
Së katërti, hyn në fuqi një marrëveshje mbrojtjeje e përbashkët për shtetet anëtare (duke pasur si shembull NATO-n). Këtu është rënë dakord se, nëse një shtet anëtare sulmohet atëherë shtetet e tjera anëtare janë të detyruara që të vënë në ndihmë të tij.
Së pesti, Gjykata Europiane do të ketë më shumë kompetenca, duke i dhënë të drejtën që të vendosë nëse legjislatura kombëtare e çdo vendi anëtar ka përputhshmëri me të drejtën e Bashkimit Europian. Në këtë rast përjashtim bëjnë Irlanda dhe Britania e Madhe. Së gjashti, Komisioni Europian do të ketë më pak anëtarë që prej vitit 2014. Anëtarët e Komisionit Europian do të jenë sa 2/3 e vendeve anëtare, ndërkohë që sot çdo vend anëtar ka edhe një komisioner (përfaqësues) në Komisionin Europian.
Së shtati, Parlamenti Europian do të ketë më shumë anëtarë, duke e rritur numrin i tyre nga 736 që është tani, në 751.
Së teti, me hyrjen në fuqi të traktatit do të ketë një politikë të përbashkët energjetike të shteteve anëtare. Do të shndërrohet në qëllim të këtij traktati realizimi i përballjes me ndryshimet klimaterike.
Së nënti, për herë të parë parashikohet mundësia që një shtet anëtar, nëse dëshiron, mundet që të largohet prej Bashkimit Europian. Një gjë e tillë nuk ishte parashikuar kurrë më parë në asnjë prej traktateve të mëparshme, duke pasur një boshllëk ligjor për këtë çështje.
Së dhjeti, i jepet një rol të rëndësishëm edhe vetë shtetasve të vendeve anëtare, duke u dhënë të drejtën që me mbledhjen e një milion firmave të kërkojnë prej Komisionit Europian të nxjerrë ligje për një fushë të caktuar, që është në interes të të gjithë kësaj popullate.
2. Një dyshe e re për Bashkimin Europian
Më në fund, liderët e Bashkimit Europian i dhanë përgjigje pyetjes që Henry Kissinger kishte ngritur rreth tri dekada më parë: Kujt duhet t’i telefonoj nëse më duhet të flas me Bashkimin Europian?
Kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompay dhe britanikja, Baronia Cathy Ashton, do të jenë dyshja drejtuese e Bashkimit Europian për 2.5 vitet e ardhshme, për postet e presidentit dhe të ministrit të Jashtëm respektivisht. Njëzet e shtatë liderët e BE-së pas negociatash të shumta të kryesuara nga kryeministri Suedez Frederik Reinfeldt, i cili ka presidencën e radhës, arritën në kompromisin e madh, duke vendosur balancat ndërmjet socialistëve dhe konservatorëve brenda BE-së. Dyshja e fuqishme që do të jenë përfaqësuesit e BE-së në arenën ndërkombëtare, kryeministri belg, një konservator Flamand, emri i të cilit diskutohej shumë në korridoret e Brukselit dhe një laburiste jo kaq e njohur, por me një karrierë të gjatë si brenda Britanisë, duke qenë zëvendësministre e Arsimit, si dhe kryetare e Dhomës së Lordëve, ashtu edhe jashtë saj si komisionere e Tregtisë në BE, pritet që t’i japin Bashkimit Europian një profil të fuqishëm ndërkombëtar.
“Marrëveshja” u quajt e mbyllur në çastin që kryeministri Britanik Braun, duke e kuptuar se zgjedhja e ish-kryeministrit Toni Bler për postin e pPresidentit ishte e paarritshme, hodhi në tryezë emrin e komisioneres Ashton, e cila morri miratimin e plotë të liderëve të majtë europianë dhe hapi rrugën për kompromisin e madh.
Kjo ishte edhe lëvizja që la në hije tentativën e dyshes së fortë europiane Sarkozi-Merkel, për një propozim të përbashkët për të dy postet drejtuese. Pozicionimi i barones Ashton sjell dhe një fryme të re në BE, atë të përmbushjes së kërkesave feministe për një rol me aktiv të femrave në politikën elitare europiane.
Presidenti i ri i Europës është një lider me një profil të lartë brenda vendit të tij, duke arritur që Belgjikën ta nxjerrë një herë nga problemet kolosale ekonomike në vitet ‘90, kur arriti të ulë deficitin buxhetor që ishte vazhdimisht në rritje dhe herën tjetër muajit e fundit nga problemet politike, duke sjellë zbutjen e toneve ndërmjet shumicës flamande dhe pakicës frëngjishtfolës, duke i ulur përsëri të dyja palët në tryezën e bisedimeve. Presidenti Europian vendosi si përparësi të presidencës së tij sektorin e punësimit dhe atë të ambientit, duke u zotuar se do të dëgjojë të gjithë zërat brenda BE-se.
Nga ana tjetër, baronia Cathy Ashton me një profil ndoshta më të ulët dhe më pak e njohur në arenën ndërkombëtare, por me një rol deciziv për miratimin e Traktatit të Lisbonës nga Dhoma e Lordëve në Britaninë e Madhe, kërkoi që të vlerësohet puna e saj. Ajo përshkruhet si njeri i heshtur, që arrin gjithnjë rezultatet, kompromisin gjithashtu është edhe një partizane e zgjidhjes së problemeve sociale.
Europa tashmë hyn në një rrugë të re, të pashkelur më parë. Dy likeret e rinj që do të jenë ikona e Bashkimit Europian si në arenën ndërkombëtare, por kryesisht brenda vetë Europës, me një sërë kompetencash të zgjeruara, do të duhet që të tregojnë se sa të vlefshëm janë nëse arrijnë që të lehtësojnë diskutimet në nivelet e larta ndërmjet vendeve anëtare, për sa ka të bëjë për të ardhmen e Europës, duke respektuar pikë së pari “kontratën” bazë të saj: politika të përbashkëta në disa fusha, por duke mos cënuar sovranitetin politik të tyre.
Siç deklaroi edhe Jacques Delors, ish-presidenti i Komisionit Europian: “Cilatdo që të jenë qëndrimet e vendeve anëtare, ajo që kërkohet që Bashkimi Europian të funksionojë, është që institucionet e brendshme (trekëndëshi institucional Komisioni Europian -Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës) të bashkëpunojnë me sa më efikasitet. Në të kundërt BE do ta dënojë veten në paralizë dhe do të bëhet më e largët për qytetarët e tij.
Analizë nga Emilio Cika
-
1978 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg