Hyrje | Opinion | Kur personaliteti politik shndërrohet në garanci publike

Kur personaliteti politik shndërrohet në garanci publike

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Nga Mustafa Nano

Rasti i George W. Bush-it dhe i Silvio Berlusconi-t na tregojnë se, pavarësisht shoqërive të emancipuara politikisht e të stërvitura demokratikisht, pavarësisht garancive kushtetuese, pavarësisht partive që kanë një frymë e një frymëzim të qartë autokritik, pavarësisht pranisë së rëndësishme të opozitës, pavarësisht opinionit të shëndetshëm publik, pavarësisht institucioneve vigjilente, pavarësisht mediave që luajnë rolin e watch dog-ut, pavarësisht të gjitha këtyre pra, udhëheqësit politikë arbitrarë e të dëmshëm janë një rrezik i vazhdueshëm. Amerikanët janë më të mbrojtur në të tilla rrethana, në radhë të parë nga parimi “check & balance” i çimentuar mirë e fort në Kushtetutë, dhe nga neni kushtetues lidhur me impeachment-in presidencial (ky nen është në fakt përthyerje e të njëjtit parim). Por është e qartë se mbrojtje të tilla, edhe pse janë të nevojshme, nuk është e thënë të jenë të mjaftueshme. Sikur të mos ishte për amendamentin e 22-të të Kushtetutës, i cili e kufizon në dy numrin e mandateve presidencialë, Bush Junior mund të konkurronte e mund të fitonte përsëri. E mund ta trashte zullumin, fjala vjen, duke nxjerrë një Patriot Act të dytë.

Italia ka më pak mekanizma, të cilat mund ta mbrojnë prej udhëheqësve të mbrapshtë. Në kushtet kur Berlusconi kontrollon shumicën e masmedias në vend, në kushtet kur është garantuar me ligj ndarja e qartë e pushteteve, por nuk është garantuar kontrolli i sigurt i tyre, në kushtet kur opozita është marrë me sherret mes saj, është dukur se Silvio Berlusconi e ka pasur rrugën të hapur për të instaluar në Itali një - po shtie në punë një term të shpikur nga Fareed Zakaria - demokraci iliberale. Aq e vërtetë ka qenë kjo, sa shtypi e media ndërkombëtare janë bërë të gjallë si kurrë ndonjëherë këto vitet e fundit, a thua se me këtë kanë synuar të kompensojnë plogështinë e faktorëve brenda Gadishullit Italik.

Por Italia ka pasur megjithatë një nëmur institucionesh kushtetuese, të cilët janë e sillen si të pavarur (Presidenti i Republikës, Prokuroria, Gjykatat etj., etj.), dhe një numër gazetash e gazetarësh, të cilët kanë udhëhequr një si rezistencë ndaj sundimit berluskonian. Këtu duhet shtuar dhe diçka tjetër, dhe me këtë po hyj në temë. Kanë qenë edhe zërat e disa eksponentëve të rëndësishëm të qendrës së djathtë italiane (dhe në këtë mes nuk ka shumë rëndësi, nëse këta eksponentë janë bashkëpunëtorë, aleatë apo opozitarë), të cilët kanë qenë e janë më të besueshëm në qortimet e tyre ndaj Kavalierit. Fillimisht ishte Pier Ferdinando Casini, që u shkëput nga ky i fundit, dhe preferoi të rrijë në opozitë, pa bërë kauzë të përbashkët me të majtën megjithatë. Ishte një lëvizje që i hoqi Berlusconi-t lëvozhgën e politikanit të moderuar, por edhe një numër të konsiderueshëm votuesish (5-7 për qind). Ndërsa sot është Gianfranco Fini, i cili “po ia nxin jetën” kryeministrit të shumëdiskutuar në Europën e sotme. Fini është personaliteti numër dy në partinë e Berlusconi-t: ai është gjithashtu kryetari i dhomës së ulët të parlamentit. Është me demek si Jozefina e Tiranës. Në këtë kuptim, puna do t’ia donte (po eci me logjikën e Tiranës) që të rrinte urtë, të priste humbjen e Berlusconi-t në zgjedhjet e radhës, apo regjimin senil të tij, e të merrte në dorë lehtë-lehtë Partinë Populli i Lirisë. Por ai nuk bëri këtë. Ca prej faktit, që ndihet shumë i shtypur prej personalitetit dominues të Berlusconi-t, ca prej faktit që Berlusconi po e shndërron në kazermë atë parti, ca prej faktit që Berlusconi po tenton të modelojë sistemin politik e shtetëror të Italisë mbi bazën e qejfeve e halleve të veta, ca prej sikletit ndërkombëtar që mund të ndjejë një italian i staturës së Finit jashtë vendit, ca prej faktit që qeverisja po përdoret për të zënë vrimat jolegale të bizneseve të Berlusconi-t, ca prej faktit që Berlusconi kryeministër është në konflikt të pazgjidhshëm me Berlusconin sipërmarrës, botues e të pandehur, Gianfranco Fini po përpiqet të bëjë atë që s’ka mundur ta bëjnë së bashku opozita e media ndërkombëtare: t’i vërë kufirin te thana Berlusconi-t. Siç shihet, në opozicionin e Finit ndaj Berlusconi-t janë përzierë motive publike, institucionale dhe personale, gjë që është e natyrshme.

Mesa më sipër, dua të them se në rrethana të caktuara, sjellja dinjitoze e një personazhi me ndikim mund të bëjë po aq sa (në mos, më tepër se) të gjitha institucionet, partitë, opozita e media. Sigurisht, nuk qëllon gjithmonë kështu, pasi situata italiane është në fakt “sui generis”. Por nuk mund të mohohet ama, se politikanë të rëndësishëm kanë në çdo rast fuqi, në mos për të parandaluar, dobare për të frenuar qasjen autokratike të liderit të partisë së tyre. Asgjë nuk e bezdis një lider të prapë, më shumë sesa rezistenca që i vjen nga brenda partisë prej personalitetesh të fortë. E në këtë kuptim, politikanët që më së pari duhen mbështetur, janë ata që i kundërvihen liderit të fortë të partisë së vet.

Tani po e zhvendos të njëjtin diskutim në Tiranë. Dhe qysh në fillim po them, se në Partinë Demokratike situata është në të vërtetë e pashpresë. Dëshpërimisht e pashpresë. Aty nuk ka asnjë personalitet të mirëfilltë politik. Me fjalë të tjera, aty nuk ka asnjë njeri, që mund ta kundërshtojë Berishën, që mund ta dëmtojë atë me zërin e vet kundër, apo që mund ta kërcënojë atë me ikjen e vet. Ikën Jozefina? Po mirë, le të ikë! Berisha të nesërmen shkon në Shkodër e shpik një Jozefinë tjetër. Ikën Basha, Bumçi, Olldashi, Nishani etj., etj? Le të ikin! Berisha nuk ka asnjë arsye që të vuajë për të gjetur njerëz që do t’i falnin besnikëri në këmbim të pushtetit e protagonizmit. Përfundimi? Është e kotë të presësh, që në Partinë Demokratike të dalë ndonjë insider e të kompensojë në stilin finian dobësinë e mekanizmave publikë e kushtetuesë përballë Berishës që po sundon vendin. Aty njerëzit nuk kanë fuqi (këtë s’kam për ta kuptuar kurrë) për të ngritur zërin edhe në rastin kur Berisha u fut shkelmin apo i nëpërkëmb faqe botës.

Në Partinë Socialiste janë ende të lejuar zërat kundër (fjalën “ende” nuk e kam vënë pa dashje në mes të frazës). Por puna është se kundërshtarët e Ramës janë gjithashtu pa ndikim qoftë në parti, qoftë në opinionin publik, qoftë në opinionin e ndërkombëtarëve. Dhe këtu nuk e kam fjalën për politikanët që ka fabrikuar Rama, por edhe për ata që Rama i ka gjetur aty, e që sot i ka kundërshtarë. Pse janë pa ndikim? Së pari, ngaqë janë dhe pikë. Me fjalë të tjera, kjo punë është me takat. Së dyti, ngaqë ashtu si Rama, nuk kanë as parime, as projekt, as identitet politik, e në ndryshim nga Rama, nuk kanë karizmë për të ndjellë vëmendje e mbështetje. Së treti, ngaqë e ngrenë zërin veç kur dora e rëndë e Ramës bie mbi kokën e tyre, e jo kur e njëjta dorë bën prapësira shumë më të mëdha. Kjo do të thotë se Rama mund t’i vërë zjarrin edhe vendit, dhe ata s’kanë për të bëzajtur, mjaft që kryetari të mos i ngasë ata vetë. Ju kujtohet momenti kur Rama në harkun e dy minutave mori vendimin për të ndryshuar dy nene të Kushtetutës (tok me Berishën)? Asnjë socialist nuk u ndje në atë moment. Së katërti, ngaqë janë aq të shantazhueshëm, sa nuk kanë guxim t’u kundërvihen liderëve të tyre, që mund të jenë ku e ku më të shantazhueshëm.

Sa më sipër, e them për të përqeshur trimërinë pas beteje të ca e cave, por jo për të legjitimuar oreksin e Edi Ramës për të sunduar sot partinë e nesër vendin. Personalisht, pra, e kam të zgjidhur dilemën. Midis Edi Ramës që synon të ndërtojë një parti pa zëra të ndryshëm, e midis maverick-ëve të vonuar e qyqarë që kërcënohen me injorim e përjashtim, unë jam me këta të fundit. Edhe pse janë të vonuar e qyqarë, edhe pse s’e kanë në mendje mbrojtjen e interesit publik, edhe pse aq u bën për partinë e tyre e për vendin tim, jam prapëseprapë me këta të fundit. Arsyeja është e thjeshtë: nuk shqetësohem për interesat meskine të atyre që janë kundër Edi Ramës; shqetësohem nga projekti berishian i këtij të fundit, i cili kështu, në mos tjetër, nuk lejon lindjen e rritjen e personaliteteve të fortë politikë, të cilët nga ana e vet, nesër do të mund të kenë kurajën e forcën për t’iu kundërvënë, ja, siç po bën Gianfranco Fini, orekseve e vullneteve për të sunduar në mënyrë arbitrare e për të ndërtuar regjime më të këqija sesa një demokraci iliberale. Të kuptohemi, ky është më i pakti qar që mund të kemi.

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 2003 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive