Hyrje | Kultura | Evis Mula fiton audicionin në “La Scala”

Evis Mula fiton audicionin në “La Scala”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

 

Sopranoja do të ndjekë për gjashtë muaj akademinë e famshme të “La Scala”-s, çka nuk nënkupton vetëm leksione, por edhe interpretime rolesh në skenën aq të lakmuar për artistë të nivelit botëror. Pas kësaj, nëse gjithçka ecën mbarë, Evisin e pret edhe një shkollë dyvjeçare në akademinë e njohur

 

 

Fat i mbarë i ka prirë Evis Mulës këto ditë. Përfundimisht, Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja” edhe kësaj here qëlloi një ogur i mirë, nga ato që hap dyert e karrierës. Natën e fundit të festivalit, kur sopranoja shqiptare fitoi çmimin e madh “Marie Kraja”, drejtori artistik i teatrit “La Scala”, Luca Targetti, anëtar në jurinë e këtij viti, bëri ftesën zyrtare: Evis Mula dhe sopranoja kosovare Besa Llugiqi ishin përzgjedhur nga drejtori prej 13 vjetësh i teatrit më të famshëm në botë, për një audicion në “La Scala”. “Gjeta elementë interesantë dhe artistë mjaft të përgatitur”, tha pas festivalit Luca Targetti. “Dhe kjo për mua ishte surprizë. Sigurisht, një nga qëllimet e vizitës sime, përveçse për të qenë në jurinë e nderuar të festivalit “Marie Kraja”, ishte edhe zbulimi i talenteve të reja për teatrin tonë”. Audicioni zhvillohej këto ditë, ndaj jo më larg se dy ditë pas festivalit, Mula fluturoi drejt Milanos. Dhe pas audicionit ka mbërritur lajmi se shqiptarja ka fituar. Evis Mula ka merituar kështu të drejtën për të ndjekur për gjashtë muaj akademinë e famshme të “La Scala”-s, çka nuk nënkupton vetëm leksione, por edhe interpretime rolesh në skenën aq të lakmuar për artistë të nivelit botëror. Pas kësaj, nëse gjithçka ecën mbarë: Evisin e pret edhe një shkollë dyvjeçare në akademinë e njohur. Gjë që nënkupton një karrierë e nisur mbarë, starti i së cilës është shënuar pikërisht në skenën e festivalit që organizohet nga producentja Zana Çela. Një festival që tashmë ka hyrë në axhendën ndërkombëtare të aktiviteteve operistikë dhe që përgjatë dhjetë viteve të zhvillimit të tij ka gdhendur emrat e shumë artistëve, që sot kanë fituar famë në mbarë botën e që fillimet i kanë pasur pikërisht aty. Një aktivitet i nisur si fillim, për t’iu ofruar një shans artistëve të rinj shqiptarë, por që në vitin e dytë të jetës gjeneroi talente, jo vetëm për skenën tonë, por dhe për skenat europiane të operës. Shumë këngëtarë të rinj të talentuar, të cilët e kanë filluar karrierën e tyre së pari në festivalin shqiptar, të stimuluar nga juria ndërkombëtare e tij, të gjithë personalitete të rëndësishëm, që drejtojnë opera kombëtare e agjenci prestigjioze, sot interpretojnë në skenat më të rëndësishme botërore, që nga “Metropolitan” i Nju Jorkut, “La Scala”, Opera e Vjenës, Barcelonës etj. E këta nuk janë vetëm shqiptarë, si Josif Gjipali, Oriana Kurteshi, Mariana Leka, Eriona Gjyzeli, por dhe italianë, belgë, koreanë etj., si Vincenso Taormina, Simone Piaçola, Hyoung Kong etj. Skena shqiptare do të mbetet për ta si starti i karrierave të tyre të suksesshme botërore. E njëjta gjë vlen edhe për fituesen e këtij viti. Trofeu i edicionit të dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” mbeti në Shqipëri. Çmimin e madh e fitoi Evis Mula, rruga e së cilës duket e destinuar të ecë mbarë, ashtu siç ka ndodhur me paraardhësit e saj që e kanë nisur në skenën e tij. Shansi i parë për të ishte audicioni në “La Scala”, ndërsa tani shkolla në akademinë e këtij teatri. Thënë ndryshe, “Marie Kraja” i hapi rrugën e karrierës edhe një tjetër artisteje të re.

 

 

 

Argëtimi i së shtunës mbrëma quhet “Mos u nxeh”. Spektakli madhështor ngre siparin këtë të shtunë në ekranin e “Vizion Plus”

 

“Mos u nxeh” - Në një moment të vetëm harroni gjithçka, është koha për të luajtur.

 

Dikur në fëmijërinë tonë këtë lojë e luanim nëpër rrethet shoqërore, argëtoheshim, por hera-herës edhe nxeheshim kur ajo nuk na ecte si duhej. Ajo ishte për një mik i pandashëm dhe perfekt për të kaluar kohën e lirë. E kujt mund t’i shkonte ndërmend që ajo sipërfaqja e vogël që tërhiqte vëmendjen tonë do të arrihej të ridimensionohej në përmasa gjigande. “Vizion Plus”, falë përkushtimit të një stafi të tërë, arriti ta shndërrojë atë në një realitet televiziv. Një sipërmarrje gjigande, ambicia dhe dëshira e madhe e organizatorëve të së cilës do të risjellë në të dytin sezon radhazi atmosferën e pazakonte të lojës gjigande, tashmë në një skenografi të rikompozuar dhe të përshtatur më së miri me natyrën e saj argëtuese. Mbështetja e madhe që “Vizion Plus” i ka dhënë kësaj iniciative, ka sjellë për teleshikuesin shqiptar një lojë unike dhe argëtuese në të gjithë komponentët e saj, që do të synojë që, përpos argëtimit, të sjellë çlodhjen e duhur për një fundjavë të këndshme. Është koha kur më shumë duhet të luajmë dhe argëtohemi, për të harruar qoftë edhe në një moment të vetëm aktualitetin sfilitës të politikës.

 

 

Deri dje luhej me VIP-a, në këtë sezon mund të luash edhe ti!

Si gjithnjë, nën drejtimin e Turit dhe regjinë e Bledar Linzës, që për këtë sezon rrëfejnë se pandryshuar formatin e saj zbavitës loja do të ketë një ndryshim thelbësor, personazhet VIP do të zëvendësohet në këtë edicion të dytë me njerëz të zakonshëm, duke synuar masivizimin e saj dhe shndërrimin në një traditë. Dhe duket se ky ndryshim në spektaklin argëtues ka ngjallur interes, pasi vetëm gjatë ditëve të para të audicionit, janë shënuar një numër rekord pjesëmarrësish, të cilët shprehën dëshirën e tyre për t’u bërë pjesë e lojës. 

 

 

Katër protagonistë mes kurtheve dhe bonuseve të një loje!

Numri i konkurrentëve në garë do të jetë po katër, por në ndryshim me edicionin e kaluar, “Mos u nxeh” do t’i bëjë ata pjesë të sfidave të reja, të cilave iu shtohet edhe një tjetër hapësirë gjigande jashtë ambienteve të studios së spektaklit. Përpos elementeve të sezonit të kaluar, lojës i janë shtuar edhe shumë elemente të tjerë, që veç të qeshurave që do të sjellin në studio, do t’i japin garës më tepër natyrë konkurruese. Nuk ka rëndësi se ç’mund të ndodhë më pas, rëndësi ka të mos nxeheni! Sipari do të ngrihet këtë shtunë, ora 21:00, për të pasuar më pas çdo javë, ku të gjithë konkurrentët protagonistë do të duhet të përballen me sfida, derisa njëri prej tyre të prekë vijën e finishit. Pas çdo hedhje të zarit për ta do të jetë një numër, për çdo numër atyre iu duhet të bëjnë një numërim, i cili ndalet te një kuti, pas çdo kutie fshihet një surprizë e këndshme ose jo, kjo u takon konkurrentëve ta zbulojnë. Por ajo çka është më e rëndësishme dhe çka mund të shërbejë vërtet për të kapur binishin, do të jetë vetëpërmbajtja deri në kufijtë e mosnxehjes. Një show i pazakontë, që i bashkohet strukturës programore të “Vizion Plus”, ku në të gjithë komponentët e tij ofron argëtimin e duhur për një të shtunë mbrëma, ndaj dhe ju ftojmë të mos mungoni...

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1380 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive