Hyrje | Kultura | Elona Nallbani dhe Piter Bross prezantojnë spektaklin

Elona Nallbani dhe Piter Bross prezantojnë spektaklin

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Surprizat e “Miss Globe International 2009”

 

 

Eranda Libohova për herë të parë në një duet me Ardian Trebickën; Kastriot Tusha, Kujtim Prodani dhe “Miss Talent Show”, në një performancë që sjell pesë kontinentet në skenën shqiptare. “Miss Globe International” zbulon surprizat e së dielës, të prezantuara nga një balerinë dhe një showmen

 

 

Rrugëtimit nëpër trojet shqiptare prej së martës i ka ardhur fundi. Konkurrentet e këtij viti të “Miss Globe International” janë në përgatitjet e fundit. Në ambientet e “Xixa Resort” në Golem, vendi që ka mirëpritur bukuroshet e mbarë botës, ndihen ethet e garës. Tanimë, nata finale është në prag dhe të dielën mbrëma në pallatin e sportit në Durrës, vetëm njëra prej tyre do të fitojë kurorën e më të bukurës së Globit. Në atmosferën e ndezur buzë Adriatikut ndihet konkurrenca. Vajzat sfilojnë, punojnë me koreografen Kozeta Bakiu, ushtrojnë performancat, provojnë veshjet. Emocionet dhe qëllimi final, ai i një prezantimi dinjitoz në një gare të fortë, paralajmërojnë një spektakël që pritet të mbahet mend gjatë. Ndërkohë, e marta në mbrëmje ishte dita që i dha fund një rrugëtimi krejt të veçantë të bukurosheve të “Miss Globe”. Turi i nisur në Sarandë, pasi përshkoi qytetet buzë detit, Shkodrën dhe Kukësin, vazhdoi për disa ditë në Kosovë. “Ka qenë një tur i jashtëzakonshëm. Kemi vizituar Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe kudo kemi gjetur një mikpritje të jashtëzakonshme. Kudo pamë porta që na hapeshin, njerëz që na këndonin, që organizonin pritje madhështore, një atmosferë vërtet e paharrueshme”, thotë producenti i “Miss Globe”, Petri Bozo. Ndërkaq, përveç vizitave në trevat historike e kulturore të Kosovës, konkurrentet e këtij edicioni të “Miss Globe” kanë qenë edhe vetë protagoniste të minispektakleve, karakteristikë e kësaj gare. Pikërisht ajo që ka merituar fashën e “Miss Talent Show” dhe ato konkurrente të tjera, të shpallura si më të mirat në garën e talenteve, gjë që është paralajmëruar që në ditët e para, kur vajzat mbërritën në Shqipëri, kanë rezervuar një surprizë për natën finale të 1 nëntorit. Një performancë që do të sjellë në skenën shqiptare traditën dhe karakteristikat më të spikatura nga pesë kontinentet. Kështu, “Miss Nigeria” do të performojë në skenë, për të përfaqësuar njëherësh kontinentin afrikan; “Miss Kolumbia” dhe “Miss SHBA” kanë gati një numër tjetër, si për të sjellë në skenë më të veçantat e kontinentit amerikan; “Miss Polonia” do të performojë për të përcjellë në skenë kulturën europiane, ndërsa “Miss Kina” dhe “Miss Makao” atë aziatike. Një kombinim i menduar deri në detaje, i cili do të përcjellë në sytë e shqiptarëve botën mbarë. Dhe kjo është vetëm një pjesëz e vogël e asaj çfarë kanë menduar organizatorët për spektaklin e këtij viti të “Miss Globe Internaltional”. Sepse në radhë janë planifikuar edhe shumë surpriza të tjera. Kështu, mbrëmjen e së dielës në një skenë të ndërtuar enkas për “Miss Globe” nga “Globus Studio” në pallatin e sportit në Durrës, me një skenografi madhështore, ku ndërthuren stalaktitet dhe velat e detit, mbi një pasarelë gjigande që zbret deri pranë publikut, do të parakalojnë 45 bukuroshe nga të pestë kontinentet e globit. Këtë vit, Petri Bozo ka zgjedhur për të prezantuar spektaklin një çift vërtet interesant, kombinimin e një balerine dhe koreografe e njohur për skenat shqiptare, me një showmen, tashmë fort familjar për skenën dhe turin e “Miss Globe”. Elona Nallbani dhe Piter Bross, ish-menaxher i hotel “Rogner”, kanë shoqëruar gjithë këto ditë vajzat në turin e tyre. Ata kanë qenë po aq protagonistë, sa ato në të gjitha minispektaklet e organizuar në të gjithë qytetet ku vajzat kanë ndalur. Ndërsa mbrëmjen e së dielës ata do të jenë personazhet që do të prezantojnë para publikut shqiptar dhe atij të mbarë botës që do të ndjekë këtë spektakël në valët satelitore, konkursin, i cili më shumë se i tillë, është një spektakël i mbushur me plot surpriza. Të parët që kanë ditë që po punojnë për të sjellë përpara publikut diçka krejtësisht të veçantë në këtë edicion, një pjesë ekskluzive të shkruar enkas për të, janë instrumentistët e Liceut Artistik. Një risi speciale e këtij viti, që së bashku me performancat e vajzave të talent-show-t, vetëm sa do ta shtojë luksin e mbrëmjes. Dhe nuk mbaron me kaq! Mbrëmjen e së dielës ka akoma shumë të ftuar specialë, që do të shtojnë ritmin e këtij edicioni të radhës së “Miss Globe”. Do të shfaqen për herë të parë së bashku në skenën shqiptare, në një duet të realizuar specifikisht për këtë mbrëmje, Eranda Libohova dhe Ardian Trebicka. Përveç tyre, në skenën e “Miss Globe” do të performojë edhe Kastriot Tusha, Kujtim Prodani etj. “Gjithnjë kemi theksuar se qëllimi i këtij spektakli është promovimi i Shqipërisë. Prandaj edhe në natën finale të tij, në spektaklin e madh, çdo vit kemi bërë një përzgjedhje të artistëve tanë. Nuk është ky rasti për të ngulur këmbë në ftesën e artistëve të huaj. Është një mundësi e jashtëzakonshme që ne shqiptarët të tregojmë më të mirën e vendit tonë, në art, kulturë, histori etj. Kjo është një arenë e madhe, ku përballet kultura e gjithë botës dhe ku Shqipëria ka vendin e saj të padiskutueshëm”, shton Bozo.

Një arenë, në të cilën mbrëmjen e së dielës në qytetin bregdetar të Durrësit, një tjetër bukuroshe do të vërë mbi kokë kurorën e “Miss Globe International”. Gara duket e fortë, ethet e konkurrencës ndihen që tani në “Xixa Resort”, ku vajzat po bëjnë përgatitjet e fundit. Të dielën, globi do të ketë një tjetër mbretëreshë bukurie, që do të mbahet mend si vajza e shpallur më e bukura e botës në Shqipëri.

 

 

“Deliart Association” edhe për pesë vjet të tjera

Qëllimi i “Deliart Association”, për ta sjellë në Shqipëri evenimentin e madh ndërkombëtar të bukurisë, “Miss Globe International”, u arrit në shtatorin e vitit 2004. Atëherë u kurorëzua për herë të parë në një skenë shqiptare, në amfiteatrin e Durrësit, një “Miss Globe International”, që ishte bukuroshja 18-vjeçare nga Rusia, Kristina Slavinskaya. Ajo shënoi startit e evenimentit ndërkombëtar të bukurisë në Shqipëri. Asokohe, themeluesi i konkursit të bukurisë, i treti për nga rëndësia në botë, Charlie See, i shprehu dëshirën Petri Bozos që, nëse gjithçka shkonte mbarë, kontrata të funksiononte për pesë vjet me radhë. Por për t’i besuar pesë edicionet, duhej më parë një garanci: pikërisht “Miss Globe International” i parë që u realizua në Shqipëri. Charlie See ishte i pranishëm në spektaklin që realizoi Petri Bozo dhe menjëherë pas kurorëzimit të më të bukurës së botës premtoi se kontrata do të përsëritej. Dhe ashtu ndodhi. Edhe për pesë vjet të tjera radhazi, Shqipëria mirëpriti bukuroshe nga të gjithë vendet e botës. Producenti Petri Bozo organizoi ture anembanë vendit, lançoi një Shqipëri ndryshe, duke e shndërruar spektaklin e bukurisë në një arenë botërore, ku protagoniste ishte Shqipëria.

Por ky edicion i 36-të, që të dielën do të zhvillohet në Durrës, duhej të ishte i fundit sipas kontratës së firmosur me të ndjerin Chalier See, (i ndarë nga jeta në vitin 2007) dy vjet më parë. Por në fakt, edhe bashkëshortja e Chalie-t, Ann See, ajo që mban të drejtën e organizimit të spektaklit të themeluar nga i shoqi, ka vendosur të besojë përsëri te producenti shqiptar. Petri Bozo ka fituar të drejtën e organizimit të “Miss Globe International” deri në viti 2014. Çka do të thotë se edhe për pesë vjet të tjera Shqipëria do të vazhdojë të jetë protagoniste. Me një spektakël ku bukuroshet e të gjithë botës janë ambasadoret më të veçanta të misionit që Bozo i vuri vetes gjashtë vjet më parë: prezantimin e një Shqipërie ndryshe.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1371 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive