Hyrje | Kultura | “Porgy and Bess”, dashuri dhe dramë pa “censurë” në TKOB

“Porgy and Bess”, dashuri dhe dramë pa “censurë” në TKOB

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

 

Një ndër operat më popullore në SHBA do të shfaqet premierë në TKOB në 17 tetor, si një bashkëpunim shqiptaro-amerikan. Me regji, skenografi dhe kostumografi nga Andis Gjonit, ka si bashkëregjisor amerikanin Lawrence Craig

 

 

“Porgy and bess” është premiera më e rëndësishme operistike në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit gjatë këtij sezoni. Opera-muzikal është konsideruar si një vepër raciste në vitit 1935 kur u shfaq, ndërsa më vonë, pas viteve 1970, ajo ka shëtitur në skenat e mbarë botës, duke u bërë pjesë e repertorit më të njohur operistik

 

 

Jeta e afrikano-amerikanëve në vitet ‘20, e ndërthurur me elemente të muzikës bluz dhe xhaz, vjen në formën e artit klasik të operës. E shfaqur për herë të parë në vitin 1935 nga Xhorxh Gershwin, në vitet e fundit të jetës së tij, opera-muzikal “Porgy and Bess” mbërrin në TKOB në këtë mes tetori. Një ndër operat më popullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, premiera është caktuar më 17 tetor, si një bashkëpunim shqiptaro-amerikan. Gershwin e shkroi këtë vepër në vitet e fundit të jetës së tij, duke dashur të tregojë origjinalitetin e muzikës amerikane, bazuar në atë që konsiderohet si muzike autentike e këtij vendi me potenciale të mëdha, siç është Amerika. Kjo vepër kolosale është vënë në skenë nga regjisori amerikan Lawrence Craig, në bashkëpunim me Andis Gjonin, në këtë ndërmarrje të dytë si regjisor, i cili do të realizojë edhe skenografinë dhe kostumografinë “Porgy and Bess”, do të dirigjohet nga amerikani Jason Tramm, drejtor artistik i Operës së Nju Xhersit, ndërsa asistent i tij do të jetë Edmond Doko. Opera do të interpretohet nga Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB, ndërkohë që solistë do të jenë Evis Mula, Sidrit Bejleri, Armando Likaj, Emiljana Palushaj, Eriona Gjyzeli, Denis Skuro, Roel Llupo, Majlinda Laska etj., dhe dy këngëtarët amerikanë, Patrick Balckwell dhe Kishna Davy. I janë dashur plot 20 ditë prova, për të realizuar produksionin më të rëndësishëm të TKOB-it përgjatë këtij sezoni. Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, u shpreh si më poshtë: “Realizimi kësaj pjese operistike është një ëndërr e 38 viteve më parë. Falë bashkëpunimit me një grup artistësh amerikanë, na jepet mundësia të bëjmë realitet këtë ëndërr”, tha drejtori. Sipas regjisorit Lawrence Craig, opera-muzikal ka vlera si dhe përshtatet më së miri në realitetin shqiptar “Porgy and Bess” dhe është një shfaqje që tregon frymën e komunitetit dhe që përfshin tragjedinë dhe dashurinë, është një shfaqje që gjen pika të përbashkëta edhe me realitetin në Shqipëri”, tha ai. Ndërsa mjeshtri Jason Tramm, drejtor artistik i operës së Nju Xhersit, shprehu entuziazmin për këtë bashkëpunim me TKOB-in. “Opera ka një sukses të garantuar, pasi po realizohet nga një trupë shumë e mirë”, tha Tramm. Publiku kryeqytetas mund ta ndjekë shfaqjen në datat 17, 19, 20, 22 tetor. Iniciator për vënien në skenë të “Porgy and Bess” në Tiranë është skenografi dhe piktori i njohur shqiptar Andis Gjoni, projekti i të cilit u mbështet nga Teatri i Operës dhe Baletit. Përveçse skenograf, kostumograf dhe regjisor i shfaqjes, Gjoni, është njëkohësisht dhe përkthyes i “Porgy and Bess”, një opera me libret të Dubose Heyward e Ira Gershwin, dhe muzikë të George Gershwin. “Puna si skenograf, kostumograf, regjisor dhe përkthyes nuk më ka lodhur aspak. Duke u marrë me të gjitha këto e kisha më të qartë vizionin për shfaqjen”, u shpreh Gjoni. Opera “Porgy and Bess” bazohet mbi romanin “Porgy” të Dubose Heyward, në të cilin përshkruhet jeta e afro-amerikanëve në fillim të viteve 1930. Në qendër të saj është Porgy, një njeri me ngjyrë që jeton në Karolinën e Jugut dhe përpjekjet e tij për të larguar Bess-in nga ndikimi i një njeriu të dhunshëm dhe posesiv si i dashuri i saj Crown dhe nga një shpërndarës droge. Kjo pjesë është vënë për herë të parë në skenë në vjeshtën e vitit 1935, dhe prej asaj kohe është cilësuar si një nga operat më popullore në Amerikë. Në fillimet e veta, vepra nuk është pritur mirë në SHBA, pasi është konsideruar si një vepër raciste, ndërsa më vonë, pas viteve 1970, ajo ka shëtitur në skenat e mbarë botës, duke u bërë pjesë e repertorit më të njohur operistik.

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 837 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive