Hyrje | Kultura | “Shërbëtorja Zonjë” në duart e Andis Gjonit

“Shërbëtorja Zonjë” në duart e Andis Gjonit

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Andis Gjoni, piktori dhe skenografi i njohur shqiptar, kësaj here do të jetë edhe regjisor në vënien në skenë të operës “La Serva Padrona”, në festivalin “Opera Destination” në Nju Xhersi

 

Tashmë ai është mësuar me protagonizmin dhe nuk mund të bëjë ndryshe, por kësaj here nuk i kanë besuar vetëm skenografinë, por edhe regjisurën në  operën “Shërbëtorja Zonjë”.

Talenti shqiptar do të jetë një nga protagonistët kryesorë në festivalin “Opera Destination”, që organizohet gjatë kësaj fundjave në Nju Xhersi. Andis Gjoni, që ka bërë emër si skenograf duke punuar në disa nga teatrot më të njohur të Nju Jorkut, kësaj here po provon aftësitë e tij si regjisor. Nën drejtimin e tij, gjatë festivalit do të jepet edhe opera e shkurtër komike (opera buffa) “La Serva Padrona” (Shërbëtorja zonjë). Andis është gjithashtu edhe skenograf i shfaqjes. Talenti nga Shqipëria është ftuar në festivalin operistik të Nju Xhersit, nga drejtori artistik i Operës Shtetërore, Jason Tramm, i cili i impresionuar nga puna dhe vizioni i Andisit si artist, i ka kërkuar që të vërë në skenë operën “La Serva Padrona”. Në shkëmbim, me ndërmjetësimin e Andisit, Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë e ka ftuar Maestro Tramm-in që të shkojë në Tiranë në muajin e ardhshëm, për të vënë në skenë aty operën amerikane “Porgy & Bess”. Është një kënaqësi të shikosh afirmimin e mëtejshëm në skenat e muzikës klasike këtu në SHBA të talenteve shqiptare, që si këngëtarë, instrumentistë apo në rastin e Andis Gjonit, si regjisor e skenograf. Nga ana tjetër, bashkëpunimi me Maestro Tramm është një kontribut i drejtpërdrejtë i rritjes së marrëdhënieve kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Festivali i Operës në Ocean Grove të Nju Xhersit është një rast i mirë për shqiptarët këtu në komunitet, sidomos ata në Nju Xhersi, por edhe të tjerë në Nju Jork, Konektikat dhe Pensilvani, që të inkurajojnë me pjesëmarrjen e tyre bashkatdhetarin e tyre të talentuar, por edhe për kënaqësinë e tyre që të shijojnë mrekullitë e muzikës klasike. “La Serva Padrona” u shfaq ditën e djeshme, më 13 shtator, në orën 3:00 të pasdites në “Youth Temple”, të Ocean Grove në Nju Xhersi, ndërsa festivali u mbajt në datat 11-13 shtator, për të nisur me Mbrëmjen e Natës Hapëse në “Parlor Gallery”, ndërsa shfaqja e parë, “Rekuiem” i Verdit, është të shtunën në darkë në “The Great Auditorium”. Të interesuarit mund të mësojnë më shumë edhe nëpërmjet internetit në adresën: http://www.destinationopera.com. Ocean Grove është vetëm një orë e gjysmë larg qytetit të Nju Jorkut dhe është bujtës i një festivali që ka ambicien të shtojë rëndësinë e tij në jetën kulturore amerikane. Nata hapëse do të mbledhë disa prej figurave kryesore politike e kulturore të Nju Xhersit, përfshi edhe Guvernatorin e Shtetit. Sigurisht që vendi kryesor i është lënë artistit nga Shqipëria dhe që nderon atë dhe komunitetin tonë. Pas një numri skenografish në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, Andis Gjoni ka punuar për dizajnimin e skenave në teatrin “La Mama” të Nju Jorkut për shfaqjen “Mina”, si dhe për një numër shfaqjes të tjera në skena, teatro e festivale të ndryshme, ndër to edhe “Uncle Vanya” (Sonet Repertory), “Half” (Abingdon Theater) PB&J (Fringe Festival) “The higher education of Khalid Amir” (NY Midtown Festival), “The book of Lambert” (La Mama Theater), si dhe operën “Villa Diodati” (45-th St. Theater). Për këtë të fundit puna e tij është nderuar në Festivalin Muzikor të Nju Jorkut. Maestro Jason Tramm, i cili është dirigjenti i Operës Shtetërore të Nju Xhersit dhe që do të jetë figura kryesore në festivalin e kësaj jave, ku ai do të dirigjojë në të dy netët. “La Serva Padrona” u kompozua nga Giovanni Battista Pergolesi, si një opera e shkurtër dhe zbavitëse për t’u shfaqur mes akteve të një opere tjetër, sipas tij më të rëndësishme. Për ironi të fatit, “opera e rëndësishme” është harruar, ndërsa “La Serva Padrona” ka mbetur e gjallë dhe e preferuar në repertorët e teatrove operistikë të botës. Të drejtosh vënien në skenë të një opere nuk është e lehtë, por nëse do të ketë sukses, Andis Gjonin mund ta shohim së shpejti jo vetëm si skenograf në disa nga skenat e operës këtu në SHBA. Kur jetonte në Shqipëri, ai ishte prezantuar me sukses në fushën e skenografisë së teatrit, e cilësuar si një skenografi moderne, që solli një frymë të re në skenografinë shqiptare pas viteve ‘90. Përmenden skenografia e “Zonjushës Zhuli” e Strintbergut, skenografia e “Yllit pa emër” e Mihai Sebastian, “Jashtë bie borë” e Vincenso Sallemme etj. Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Gjoni ka realizuar një sërë skenografish në Broduej, siç është shfaqja “Xhaxha Vanja” e Çehovit, vënë në mars të vitit 2006. Karriera e tij artistike veç skenografisë, dallohet edhe në zhanrin e pikturës, e cilësuar nga kritika si një pikturë që mbështetet në mitet dhe legjendat shqiptare apo edhe ballkanike, ndërtuar mbi një stil abstrakt, ku dallohen qartë elemente të surrealizmit. Ato trajtohen përmes një mendimi të perceptuar qartë nga Gjoni, i cili abstragon me origjinalitet për të dhënë përjetimet e tij si artist. Por piktura e tij ka qenë prezente edhe në një sërë ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare, si “Onufri 2002” e “Onufri 1997”. Ai ishte pjesëmarrësi i vetëm nga Shqipëria në konkursin ndërkombëtar për memorialin e “11 Shtatorit” në Nju Jork (2003). Andis Gjoni ka lindur në Tiranë më 1968 dhe është bir artistësh: babai i tij është kompozitori Simon Gjoni dhe nëna e tij, koncert-maestre Hermira Gjoni. Ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1991.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 666 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive