Hyrje | Kronika | Mediu, Bumçi e Alibeaj, në bankën e dëshmitarit

Mediu, Bumçi e Alibeaj, në bankën e dëshmitarit

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Gjykata e Tiranës korrigjon prokurorinë, duke kërkuar dëshmitë e dy ish-ministrave të kabinetit “Berisha” dhe atë të Fatmir Mediut. Verifikim edhe dyshimeve për minat me sahat në Gërdec

 

Leonard Bakillari

TIRANË - Dy ish-ministrat e kabinetit “Berisha” dhe Fatmir Mediu do të ulen në bankën e dëshmitarit për procesin “Gërdeci”. Gjykata e Tiranës vendosi dje të pranojë kërkesën e njërit prej të pandehurve, duke korrigjuar kështu prokurorinë, që përjashtoi nga lista e dëshmitarëve Aldo Bumçin dhe Enkelejd Alibeajn. Gjatë vendimit që kishte të bënte me kërkesat e mbrojtjes për administrimin e provave dhe dëshmitarëve të avokatëve mbrojtës, gjykata pranoi që dy ish-ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të thirren si dëshmitarë në proces. Kreu i trupit gjykues, gjyqtari Ridvan Hado, vendosi të pranojë të gjitha kërkesat e bëra nga avokatët e të pandehurve, si për provat shkresore, ashtu edhe për dëshmitarët e kërkuar prej tyre, çka do të thotë se gjatë ecurisë së procesit, veç të tjerash, gjykata do të hetojë edhe pretendimet e avokatëve të Ylli Pinarit, për një shkresë që tregon se në Gërdec janë vendosur dy mina me sahat, ditën e shpërthimit. Të vetmet kërkesa që u refuzuan nga gjykata ishin ato për shpalljen të pavlefshme dhe ribërjen e akt-ekspertimeve ekonomiko-financiare dhe tekniko-ushtarake, për të cilat tha se, në rast se shihet e nevojshme, ekspertët do të thirren për të dëshmuar në gjykatë. Me vendimin e djeshëm, Gjykata e Tiranës i hapi rrugën shqyrtimit të një prej çështjeve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, siç është dosja “Gërdeci”.

Pranimi i kërkesave

 Ashtu siç pritej, ditën e djeshme trupi gjykues u shpreh për të gjitha kërkesat e bëra nga të pandehurit dhe avokatët mbrojtës gjatë tri seancave të fundit, që kanë të bëjnë me provat dhe dëshmitarët që duhet të administrohen dhe pyeten përgjatë procesit. Dy seanca më parë, i pandehuri Ndue Marku dhe avokati i tij mbrojtës kërkuan që të thirren në cilësinë e dëshmitarëve ish-ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas të pandehurit Marku, tre ish-ministrat duhet të shpjegojnë para gjykatës legjislacionin e përdorur nga Ministria e Mbrojtjes dhe qasjen që ky legjislacion duhet të kishte me atë të vendeve anëtare të NATO-s, strukturë kjo ku tashmë është anëtarësuar edhe Shqipëria. Kjo kërkesë u miratua nga gjykata, e cila gjithashtu pranoi kërkesën për t’u thirrur në cilësinë e dëshmitarëve edhe pronari amerikan i kompanisë “SAC”, Patrik Henri, si dhe pesë specialistët e tjerë amerikan që mbikëqyrnin procesin e demontimit të predhave në Gërdec. Po ashtu, një çështje që mund të hap debat gjatë procesit gjyqësor ndaj të pandehurve të Gërdecit është edhe verifikimi i detajuar i dy shkresave që ndodhen në dosjen hetimore, për të cilat avokatët e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, pretendojnë se nuk janë hetuar nga prokuroria. Shkresa e parë është një letër e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili i kërkon organit të akuzës të hetojë rreth një informacion që ka mbërritur nga një burim i paidentifikuar në zyrën e ish-ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, sipas të cilit, mëngjesin e 15 marsit, dy njerëz të njohur për lidhjet e tyre me Nehat Kullën kanë vendosur në mesin e predhave në Gërdec dy mina me sahat.

Dyshimet për minat

Letra e dytë mban firmën e një qytetari me inicialet A. D., i cili pretendon se në shtator të vitit 2007 ka takuar një person nga qyteti i Beratit, i cili i ka thënë se do të ndodhte diçka shumë e keqe, për kryerjen e të cilës atij i ishin ofruar para, por ai nuk i kishte pranuar. Duke pranuar këto kërkesa, gjykata çeli kështu zyrtarisht procesin ndaj 29 të pandehurve, i cili seancën e ardhshme do të vazhdojë me dëgjimin e 12 dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Po ashtu, gjykata informoi të pandehurit se në çdo moment të procesit, duke filluar nga seanca e djeshme, ata kanë të drejtë të dëshmojnë në gjykatë në favor të tyre, ndërsa u sugjerojnë avokatëve të saktësojnë adresat e disa dëshmitarëve të kërkuar prej tyre. 

 

 

Përplasja

 

Dëshmitarët, debate për

mënyrën e thirrjes në gjyq

TIRANË - Prokuroria kërkoi nga gjykata, që fillimisht të pyeten dëshmitarët e thirrur prej saj për tragjedinë e Gërdecit. Duke qenë se ditën e djeshme ishte paraqitur vetëm një nga 12 dëshmitarët, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 7 dhjetor, kur pritet të nisë dhe seanca maratonë e Gërdecit. Fillimisht, prokuroria kërkoi të pyetej Zamira Durda, nëna e 6-vjeçarit Edison Durda, i cili humbi jetën nga shpërthimi tragjik i 15 marsit, ndërsa më pas lista do të vijojë me bashkëshortin e Zamirës, Feruzanin, disa ish-punëtorë të fabrikës së demontimit të predhave, si dhe ushtarakë që kanë mbikëqyrur apo instruktuar punëtorët gjatë veprimtarisë që ushtrohej në Gërdec. Paralelisht me pyetjen e dëshmitarëve, avokatët i kërkuan gjykatës që të administrojë edhe provat shkresore të paraqitura nga prokuroria, por për këtë çështje do të vendoset në vijimësi të procesit. Njoftimi i dëshmitarëve nëpërmjet policisë u kundërshtua nga disa prej avokatëve mbrojtës, të cilët u shprehën se një veprim i tillë është në kundërshtim të ligjit, pasi oficerët e policisë gjyqësore mund të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve. Sipas avokatëve, procesi i njoftimit të dëshmitarëve duhet të bëhet nga gjykata me anën e fletë-thirrjeve. Edhe për këtë kërkesë nuk u arrit kompromisi, pasi gjykata tha se dëshmitarët do të njoftohen edhe nëpërmjet punonjësve të saj, por edhe nga policia. E vetmja çështje e pazgjidhur tashmë është dëshmia e dy ish-ministrave të Drejtësisë dhe ministrit aktual të Mjedisit, të cilët gëzojnë imunitetin e deputetit. Sipas juristëve, ata mund të paraqiten në gjykatë vetëm me dëshirën e tyre, pasi imuniteti pengon gjykatën t’i marrë me forcë nëse ata refuzojnë të vijnë në sallën e gjyqit dy herë radhazi. L. Bakillari 

 

 

Dëshmitarët e parë të Gërdecit

Zamira Durda, nëna e viktimës Edison Durda

Feruzan Durdaj, babai i viktimës Edison Durda

Qemal Mema, punëtor në fabrikën e Gërdecit

Mimoza Kruja, bashkëshortja e viktimës Reshit Kruja

Ndue Nikolli, specialist armatimi në Gërdec

Shefki Sefa, punëtore në fabrikën e Gërdecit

Petrit Behari, specialist armatimi në Gërdec

Shaban Brahushi, specialist armatimi në Gërdec

Vasil Laçi, punëtor në fabrikën e Gërdecit

Arta Prini, punëtore në fabrikën e Gërdecit

Mustafa Laçi, punëtor në fabrikën e Gërdecit

Shkëlqim Prini, punëtor në fabrikën e Gërdecit

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 509 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive