Hyrje | Kronika | Coli: Jaho Mulosmani na ka furnizuar me uniforma policie

Coli: Jaho Mulosmani na ka furnizuar me uniforma policie

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

 

 

 

I penduari i bandës së Durrësit, Adriatik Coli, vazhdon të habisë me dëshmitë e tij për lidhjet e bandës me personazhet VIP të krimit. Ja lidhjet e bandës me vrasësin e Azem Hajdarit

 

Leonard Bakillari

TIRANË - Adriatik Coli vazhdon të çudisë sërish. Pas implikimit të Dritan Dajtit në një negociatë për vrasjen e Lulëzim Berishës, i penduari i bandës së Durrësit nuk ndalet me emrat VIP të botës së krimit. Këtë radhë, në listën e tij si i implikuar apo mbështetësi i bandës është emri i Jaho Mulosmanit, i akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Gjatë dëshmisë rutinë në seancën e djeshme që u zhvillua me dyer të mbyllura, Adriatik Coli ka përmendur emrin e Jaho Mulosmanit, duke befasuar të pranishmit. Mësohet se nxitja për të përmendur këtë emër ka ardhur nga njëri prej avokatëve mbrojtës, i cili ka pyetur të penduarin nëse kishte njohje me këtë person, që dikur ka qenë një nga drejtuesit e Komisariatit të Bajram Currit.

Coli për Mulosmanin

Gjatë dëshmisë së djeshme, Coli tha se nëpërmjet njerëzve të Jaho Mulosmanit, anëtarët e bandës së Durrësit janë furnizuar me uniforma policie, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë vrasjeve të ndryshme për t’u maskuar, si pjesë e uniformave blu. Por pa sqaruar ende mënyrën sesi funksiononte lidhja e bandës së Durrësit me ish-shefin e Policisë Kriminale të Komisariatit të Bajram Currit dhe njerëzve të tij, një prej avokatëve të pranishëm është larguar nga salla e gjyqit, duke u bërë kështu shkak për shtyrjen e seancës. Sipas burimeve nga Gjykata e Krimeve të Rënda, mësohet se deri në momentin e përmendjes së Jaho Salihit, i penduari i bandës së Durrësit u është përgjigjur normalisht pyetjeve të avokatëve rreth detajeve që ai pretendon se di për krime të ndryshme që dyshohet se janë kryer nga të pandehurit. Duke treguar për mënyrën sesi anëtarët e bandës kishin kryer disa nga krimet për të cilët ata akuzohen, Adriatik Coli është përballur me pyetjen e papritur të një prej avokatëve mbrojtës. “A njiheni ju me shtetasin Jaho Mulosmani? Nëse po, në ç’rrethana jeni njohur me të”? - ka qenë pyetja e avokatit, së cilës Coli i është përgjigjur pozitivisht. Mësohet se i penduari ka deklaruar se kishte njohje me këtë person, dhe në disa raste anëtarët e bandës kanë marrë nga Komisariati i Bajram Currit uniforma policie, të cilat i siguronte ish-shefi i Policisë Kriminale, Jaho Mulosmani.

Dëshmia e Colit

Sipas të penduarit Adriatik Coli, ata kanë marrë uniformat nga ky komisariat gjatë viteve 1998-1999, kohë kjo kur Jaho Salihi ishte një nga drejtuesit e lartë të policisë lokale të Tropojës, edhe pse kishte dyshime se ai ishte një nga të akuzuarit kryesorë për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Siç bëjnë me dije burimet, Coli nuk mundi të vazhdojë më tej dëshminë e tij për lidhjet e pretenduara mes bandës së Durrësit dhe ish-drejtuesve të policisë së Tropojës, një pjesë e të cilëve u arrestuan dhe u dënuan për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Pritet që seancën e ardhshme, i penduari të vazhdojë dëshminë aty ku e la dje, si dhe t’u përgjigjet pyetjeve të avokatëve mbrojtës rreth episodeve të treguara prej tij, ku implikohen 17 të pandehurit që janë duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjatë dëshmisë së tij, Adriatik Coli, sipas prokurorisë, ka hedhur dritë mbi të paktën 9 vrasje dhe 11 tentativa vrasjeje, që dyshohet se mbajnë autorësinë e të pandehurve të bandës së Durrësit. Me dëshminë e tij, Coli jo pak herë është bërë shkas për debate të ashpra mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës, pasi ai ka përmendur në sallën e gjyqit emrat e të paktën 10 personave që nuk janë pjesë e këtij procesi.  

 

 

Vrasjet në Vlorë

 

Gaxhai merr dënimin e

dytë me burg të përjetshëm

TIRANË - Gazmir Braka, i njohur si Gaxhai, është dënuar dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me burgim të përjetshëm, duke shtuar në “CV” e tij dënimin e dytë maksimal. Gjykata vendosi të dënojë me nga 25 vjet burg katër anëtarët e tjerë të bandës, Armando Sulejmanin, Sokol Sinematin, Edmond Leskajn dhe Gazmend Nebiun, duke i dhënë fund kështu një prej çështjeve që gjykohej prej vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda, edhe pse ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997-1998. Gjatë vendimit të djeshëm, shpallja e të cilit është shtyrë për disa muaj me radhë, gjykata shpalli fajtorë të pandehurit vetëm për tri vrasje, ndërsa liroi ata nga akuza e tri vrasjeve të tjera, mes të cilave edhe vrasjen e punonjësit të policisë, Vrion Rrapi. Sipas gjykatës, provohet se të pandehurit janë fajtorë për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit dhe Zihni Harunit, si dhe vjedhjen me dhunë të Ardian Skënderit. Disa seanca më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës të dënojë të pandehurit për një sërë akuzash të rënda, siç janë: “vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit Bashkim Dule, “krijimit të bandës së armatosur”, “kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, siç janë vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, si dhe vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj. Po ashtu, organi i akuzës argumentoi se të pandehurit kanë vjedhur me dhunë shtetasit Ardian Skënderi, Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj. Banda e Gaxhait, i cili është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Durrësit, njihet si një nga bandat më famëkeqe që ka vepruar në qytetin e Vlorës, që gjithashtu ka qenë një nga rivalët më të ashpër të Zani Çaushit dhe bandës së tij. L. Bakillari

 

Skema e arratisë

 

I riu shqiptar, arratisje me armë nga burgu grek

GREQI - Një i ri shqiptar arriti të largohej dje nga mjediset e paraburgimit dhe kërkimet e deritanishme kanë dështuar. I dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua nga policia, është dënuar me 13 vjet heqje lirie për grabitje në vitin 2007 të një banke në Grevena. Nën hetim janë vënë tre punonjës policie, që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje, duke u investiguar roli i tyre qoftë në bashkautorësi apo edhe në moskryerje detyre. Ngjarja ndodhi në rajonin policor të Thivas në Greqi. I riu shqiptar, 32 vjeç, emigrant i rregullt në Greqi, vuante dënimin 13-vjeçar për grabitje në burgun e Grevenasë. Më 17 nëntor ai ishte transportuar në qelitë e paraburgimit në Thiva, pasi më 19 nëntor do të dilte për masë sigurie para gjykatës për një tjetër çështje penale. Dje ishte planifikuar ridërgimi i tij në burgun e Grevenasë, por vetëm pak orë para se të kryhej transportimi, i dyshuari ka arritur të kryejë arratinë spektakolare. Gjithçka nisi në orën 08:30, kur shqiptari kërkoi të shkojë në tualet. Pak minuta më pas, ai doli që andej, por tani me një pistoletë në dorë, me të cilën nisi arratinë. Duke kërcënuar me pistoletë mbi kokë policët që u afruan, 32-vjeçari arriti të dalë deri në portën e pasme të rajonit policor dhe që andej u zhduk me shpejtësi, duke përfituar dhe nga fakti se në atë anë gjendet një fermë bujqësore. Pas arratisë, nisi një ndjekje policore, e cila zgjati duke nisur nga ora 08:30 e së hënës deri në mesditë, por ajo dështoi, pasi i dyshuari arriti t’i shpëtojë lënies së gjurmëve, duke u larguar me shpejtësi nëpër rrugët që njihte mirë, për shkak se jetonte në Thiva prej kohësh. Policia pranoi se dhe një helikopter që iu vu në dispozicion, nuk arriti të jetë i vlefshëm për të lokalizuar dhe kapur të arratisurin. Nën hetim për ngjarjen janë shefi i rajonit policor të Thivas, një oficer i lartë, si dhe dy punonjës policie të rangut të ulët. Policia po heton sesi i dyshuari arriti të largohet nga rajoni dhe për më tepër, duke gjetur në mjediset e brendshme, në tualet, një armë zjarri tip pistoletë. Marrë nga NOA

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 816 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive