Rritja e lekut, banka qendrore 6 muaj pa ndërhyrë
Banka e Shqipërisë e ka lënë tregun të luhatet lirshëm dhe nuk ka ndërhyrë që nga 5 qershori 2009, kur shiti euro ne treg me 132.28 lekë. Që nga ajo kohë leku është nënçmuar edhe me rreth 6 për qind
TIRANË - Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun valutor që nga 5 qershori i vitit të kaluar, duke lënë gjithçka në dorë të lirë të tregut. Ndërkohë që bankat e nivelit të dytë janë treguar më aktive në treg, ndërkaq që klientët më të mëdhenj që blejnë valutë, janë dy kompanitë celulare në vend. Pikërisht nga mosndërhyrja e bankës dhe blerja e valutës kanë bërë që të luhaten dhe transaksionet ditore.
Leku ka shënuar një rekord të ri të dy viteve të fundit në fillim të javës së kaluar, duke arritur në 139.39 lekë në datën 2 shkurt. Një vëzhgim i detajuar i të dhënave të kursit të këmbimit (blerje-shitje) që bankat raportojnë te Reuters ditën e martë tregonte se kursi kishte arritur një pikë të lartë dhe bankat duket se po tërhiqeshin nga kryerja e transaksioneve në këto nivele. Në fakt, në ditët e mëpasshme, euro humbi pikë ndaj lekut, duke zbritur ne nivelin e 138.45 lekëve për 1 euro në fund të javës, shkruan revista ekonomike “Monitor”.
Kërkesa e lartë për valutë dhe blerjet e mëdha nga bankat mbeten faktori kryesor që tërheq lart euron, ndërsa në treg herë pas here vërehen dhe pasojat e panikut.
Aktorët e tregut pohojnë se banka që kryen volumet më të mëdha të transaksioneve është Raiffeisen e ndjekur BKT, ndërsa aktive janë dhe Intesa San Paolo, Tirana Bank dhe Alpha. Blerësit më të mëdhenj mbeten AMC dhe Vodafone, të cilat vijojnë të transferojnë fitimet e tyre jashtë vendit. Aktor aktiv në blerje valute muajt e fundit ka qenë dhe kompania energjetike CEZ, (pronari i Operatorit të Sistem Shpërndarjes). Në momentin që një kompani kërkon të bëjë një blerje të madhe, fillon e informohet nga bankat për nivelin e kursit të këmbimit dhe ato menjëherë reagojnë duke rritur çmimin, çka sjell një zhvlerësim të lekut.
Sipas të dhënave të eksperteve, të cituar nga Reuters!, transaksionet në vend luhaten midis 10 dhe 20 milionë euro. Këto shuma konsiderohen relativisht te vogla dhe një blerje e madhe që mund të bëhet nga ndonjë bankë për llogari të kompanive që transferojnë fitimin jep një ndikim të menjëhershëm e të lartë në treg (kujtojmë këtu që për 9 mujorin u transferuan rreth 230 milionë euro fitime dhe sipas rekomandimeve të Bankës Qendrore, kompanitë po e transferojnë atë gradualisht), thuhet në revistën “Monitor”.
Nga të dhënat e Reuters rezulton se Banka e Shqipërisë e ka lënë tregun të luhatet lirshëm dhe nuk ka ndërhyrë që nga 5 qershori 2009, kur shiti euro ne treg me 132.28 lekë. Që nga ajo kohë leku është nënçmuar edhe me rreth 6 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e ka bërë të qarte se jemi në një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe individët dhe bizneset duhet të mbajnë vetë përgjegjësitë për veprimet me valutat e huaja.
Konfindustria: Po goditet rëndë prodhimi vendas
“Është prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave”
Tiranë - Konfindustria vëren me shqetësim dhe në mënyrë të përsëritur, se sistemi i referencave doganore po godet ashpër prodhimin vendor shqiptar, duke favorizuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë prodhimet e importit. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ky përfundim nxirret nga të dhënat e ardhura pranë saj nga shumë sektorë industriale të vendit. “Është prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e përpunimit të profileve të hekurit dhe llamarinave, industria e prodhimit të letrës, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, etj”, thekson në një deklaratë Buxhuku.
Konfindustria prej disa muajsh i ka i kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të ndërhyrë në kohë sa më të shpejtë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të krijuar për industritë shqiptare nga sistemi i referencave doganore të zërit “prodhim i gatshëm” të importit, shume prej të cilave janë mjaft më të ulëta sesa vlerat e tregut ndërkombëtar. Deri më sot nuk ka veprime të prekshme për përmirësimin e gjendjes. “Gjendja është bërë edhe më tepër shqetësuese, kur pas ndryshimeve të fundit të kryera në muajt gush-shtator 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërkohë, që kemi rritje të konsiderueshme të referencave doganore të lëndëve të para të importit, për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip çmimet kanë mbetur pa ndryshuar duke qenë në nivele ndjeshëm të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare. Bazuar në të dhënat zyrtare ende pothuaj 30 për qind e zhdoganimeve në Shqipëri bëhen sipas referencave të paravendosura”, deklaron administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë. Sipas Buxhukut, zbatimi i sistemit te referencave doganore krijon edhe hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion nga autoritetet doganore, që shfaqen në konflikt të qarte interesi si vendimarrës dhe njëkohësisht zbatues të çmimeve të referencave.
-
894 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg