Hyrje | Ekonomi | Vendimi i qeverisë, shpallen çmimet e reja të banesave

Vendimi i qeverisë, shpallen çmimet e reja të banesave

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Qeveria rrit çmimet e referencave për banesat, në një kohë që kriza ka mbërthyer sektorin e ndërtimit. Sipas statistikave që vijnë nga tregu, çmimi i banesave ka pësuar rritje pas zhvlerësimit të lekut

 

Qeveria ka vendosur gjatë ditës së djeshme çmimet e reja të banesave, mbi bazën e të cilave do të jenë edhe nivelet dysheme që do të paguhen taksat. Miratimi i kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2010 është në masën 34 668 lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi. Rritja krahasuar me një vit më parë duket se do të jetë e moderuar vetëm 4.5 për qind. Rritja e kostove në ndërtim vjen në një kohë që sektori i ndërtimit është duke përjetuar një krizë të fortë. Dega e ndërtimit ngadalësoi ritmet e larta të rritjes vjetore, duke gjeneruar një shifër afarizmi në vëllim 24.5 për qind më të lartë se tremujori i tretë i vitit të mëparshëm, por duke shënuar një kontraktim në terma tremujorë prej 8.3 përqindësh. Gjatë kësaj periudhe, vëllimi i ndërtimi ka ngadalësuar ritmet vjetore të rritjes, çka mbështetet edhe prej treguesve të tjerë të tërthortë, siç është rritja me ritme më të ulëta e konsumit të çimentos.

Kostoja mesatare

Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë vendi për vitin 2010, të jetë 34 668 lekë/m2. Për sa i përket ligjit, kjo njihet si sipërfaqe shfrytëzimi. Në bazë të kësaj sipërfaqeje paguhet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për çdo metër katror nga ana e ndërtuesve. Në bazë të vendimit të nxjerrë nga ana e qeverisë, për qytetet për të cilat nuk është nxjerrë kostoja mesatare e ndërtimit, do të zbatohet kostoja e qytetit më të afërt, e përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Në këtë vlerë të kostos mesatare nuk janë përfshirë vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzimeve operacionale të EKB-së 4 për qind. Berati, Durrësi, Korça, Fieri dhe Gjirokastra do të kenë, sipas vendimit të qeverisë, të njëjtën vlerë si Tirana. Pra, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave në këto qytete do të jetë në vlerën 33 668 lekë për metër/katror. Në qytete si Shkodra, Saranda e Kuçova, kostoja e ndërtimit të banesave do të jetë afërsisht rreth 32 mijë lekë për metër/katror. Kostoja mesatare e ndërtimit ka shkuar afërsisht 33.7 mijë lekë të reja për një metër/katror. Ky është një lajm i keq për të pastrehët, pasi kostoja e ndërtimit po vjen duke u rritur dhe qeveria nuk mund të përballojë të ardhurat për apartamentet sociale.

Çmimet në tregun e lirë

Sipas vendimit të fundit të qeverisë, çmimi më i lirë që mund të shitet një apartament në Tiranë është 64 mijë lekë. Ky është çmimi minimal që mund të deklarojë një ndërtues në të dhënat e tij vjetore të fitimeve. Por edhe çmimet në kryeqytet janë të përcaktuara sipas zonave. Në zonat në periferi ky çmim është rreth 64 000 lekë, ndërsa për sa u përket çmimeve maksimale referuar tabelës, ato shkojnë ne 160-180 mijë lekë për metër/katror. Në listën e qyteteve të tjera, për sa i përket çmimit mesatar të shitjes së banesave, në vend të dytë vjen qyteti i Durrësit me një çmim prej 70 856 lekësh. Pas tij renditen në radhë Himara, me një çmim mesatar të shitjes së apartamenteve prej 50 mijë lekësh për metër/katror etj.

Çmimet rriten

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2009, indeksi i çmimeve të banesave për qytetin e Tiranës ka shënuar norma rritjeje më të larta krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2009, ky indeks shënoi rritje përkatësisht me 17.3 për qind dhe 11.6 për qind. Ndryshimet tremujore për këto periudha janë përkatësisht 5.6 dhe 5.8 për qind. Kjo rritje ka reflektuar kryesisht ecurinë nënçmuese të lekut gjatë kësaj periudhe. Çmimet e prodhimit në sektorin e ndërtimit, bazuar në opinionet e bizneseve të mbledhura nga vrojtimi i besimit, kanë njohur rritje në tremujorin e tretë të vitit 2009, pas një prirjeje rënëse që nga tremujori i dytë i vitit 2008 (grafiku 2). Nga të dhënat e këtij vrojtimi, vlerësimi i bizneseve ndërtuese mbi kontratat porositëse është përmirësuar dhe pakësimi i inventarëve ka vijuar për të dytin vrojtim radhazi gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009. Në ndryshim me zhvillimet në çmimet e banesave, indeksi i qirasë ka rënë përsëri gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 me 15.5 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008. Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2009, indeksi i qirasë së banesave është 1.2 për qind më i ulët. Raporti i indeksit të çmimit me qiranë është rritur në tremujorin e katërt, duke qëndruar 0.2 pikë përqindjeje sipër mesatares së tij historike.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 2281 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive