Deklarata e Fullanit: Mos merrni kredi që nuk i shlyeni dot në të ardhmen
Guvernatori i BSH-së ka kërkuar që të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi me sipërmarrës në vend, u ka bërë thirrje të gjithë agjentëve ekonomikë që të llogarisin mirë buxhetet në momentin që aplikojnë për të marrë një kredi. “Duke qëndruar te konsumi familjar, Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit. Kjo ftesë nuk nënkupton tkurrjen e konsumit dhe as ndryshimin e preferencave për të, por thjesht vendosjen e tij në kontekstin e planeve afatgjata që barazojnë të ardhurat me shpenzimet në nivel familjar”, tha Fullani. Një nga pikat e tjera që Fullani kërkoi gjatë këtij takimi, është shmangia e riskut të kursit të këmbimit gjatë marrjes së një kredie. “Përtej dimensionit kohor, siç jemi përpjekur vazhdimisht të tërheqim vëmendjen, kredimarrësit duhet të jenë të kujdesshëm edhe në monedhën e marrjes së kredisë. Kjo do të thotë që mbrojtja më e mirë për ta do të ishte përputhja e monedhës në të cilën përftohet kredia me monedhën në të cilën kanë të ardhurat. Në një këndvështrim më pragmatist, kjo këshillë mund të reduktohet në një thirrje për një konsultë më të ngushtë me sistemin bankar dhe agjentët e specializuar të tregut financiar”, sqaroi guvernatori.
***
Pavarësisht faktit se takimi ishte me sipërmarrës, kreu i Bankës së Shqipërisë u përqendrua në buxhetet familjare dhe kreditimin e tyre, duke vlerësuar si tejet të rëndësishëm faktin se ishin pikërisht këta aktorë të vegjël të ekonomisë, që në kompleks dhanë një goditje shkatërruese për ekonomitë e zhvilluara gjatë krizës që nisjen e kishte në vitin 2008. “Kriza e fundit botërore tregoi me forcë, veçanërisht në SHBA dhe në Angli, se bilancet e dëmtuara të konsumatorit familjar janë premisë për goditje të forta ekonomike dhe kushtëzojnë rritjen afatgjatë të vendit. Nga ana tjetër, ajo ilustroi se vendet të cilët mundën të ruajnë një certifikatë të pastër të shëndetit financiar të konsumatorit, vende ndër të cilat futet edhe Shqipëria, patën një ndikim më të moderuar dhe gëzojnë premisa për një rritje më të shpejtë. Në një kuptim filozofik, mësimi bazë i ekonomisë së tregut është se çdo gjë që konsumohet do të paguhet: dreka falas nuk ka”, tha Fullani.
***
Por kreu i BSH-së ka mbetur i fokusuar te biznesi, duke kërkuar që sipërmarrja të mbesë vigjilente ndaj zhvillimeve të fundit financiare. “Duke u kthyer te bizneset dhe kredia për investime, portofoli i së cilës përbën edhe 2/3 e kredisë totale të sistemit bankar, mesazhi im është në thelb i njëjtë: rritni horizontin kohor të vendimmarrjes dhe të investimeve tuaja dhe mbështetini ato në analiza e plan-biznese të detajuara. Ajo që dua të theksoj, është se ky mesazh duhet të perceptohet më me urgjencë nga ana juaj, pasi ju dispononi resurset e nevojshme financiare dhe njerëzore, për të qenë më të kujdesshëm në huamarrje dhe në investime. Ka ardhur koha që bizneset shqiptare të shmangin sjelljen në grup, ku një ide biznesi ndiqet në mënyrë pothuajse automatike nga biznese të tjerë, pa studiuar madhësinë e tregut, avantazhet konkurruese, shkallën e ekspertizës, apo eficiencën financiare të përdorimit të fondeve, sipas të gjitha hallkave në të cilat duhet të kalojë një vendimmarrje e kujdesshme”, tha Fullani.
Detaj
Kursimi
“Duke qëndruar te konsumi familjar, Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit. Kjo ftesë nuk nënkupton tkurrjen e konsumit dhe as ndryshimin e preferencave për të, por thjesht vendosjen e tij në kontekstin e planeve afatgjata që barazojnë të ardhurat me shpenzimet në nivel familjar”, tha Fullani.
Forcim i bilancit të grupit, fitimi neto 219 milionë euro
Fjala e kryetarit të Bordit të Drejtorëve, Michalis Sallas
Një vit pas zhvillimit të plotë të krizës ekonomike në Greqi dhe në rajon, “Piraeus Bank Group” ia ka dalë mbanë të forcojë pozicionin e tij. Bilanci i grupit është solid, likuiditeti i tij është në nivelin thuajse më të lartë në historinë e tij, shpenzimet operative mbeten në të njëjtat nivele dhe fitimi para provigjoneve shënon 603 milionë euro për 9-mujorin e vitit 2009, krahasuar me 670 milionë në të njëjtën periudhë për vitin 2008. Shenjat pozitive për rikuperimin e ekonomisë globale po forcohen gjithnjë e më tej, ndërsa sektori botëror financiar po vazhdon të rimëkëmbë vetveten në kushtet e reja të tregut. Pozita fiskale e Greqisë kërkon struktura të menjëhershme veprimi, në mënyrë që vendi të mbetet pranë zhvillimeve në nivel europian. Menaxhimi i kujdesshëm i “Piraeus Bank Group” do të vazhdojë të përfshijë politikat kryesore dhe objektivat e zhvillimit në tregjet e rajonit ku operon dhe aty ku prospektiva e zhvillimit afatmesëm mbetet pozitive.
Rezultatet
Bazuar në të dhënat financiare, fitimi para provigjioneve shënoi 603 milionë euro për 9-mujorin e vitit 2009. Në raport me tremujorin e dytë të viti 2009 kemi një rritje prej 7 përqindësh. Ndërsa fitimi neto i grupit i cili i atribuohet aksionerëve shënon 219 milionë euro, falë rritjes së rëndësishme të provigjoneve. Në bazë të rritjes, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009, kemi një rritje të fitimit neto me 18 për qind.
Volumet
Totali i aseteve të kësaj banke shënoi 52,3 miliardë euro, krahasuar me një vit më parë dhe raporti kredi/depozita është 103 për qind,
Rreth “Piraeus Bank Group”
“Piraeus Bank Group” është themeluar në vitin 1916. Banka ka operuar me pronësi dhe menaxhim privat deri në vitin 1975, kur kaloi në pronësi të shtetit deri në vitin 1991, kur u privatizua sërish. Që atëherë ka vazhduar rritjen e vazhdueshme të aktiviteteve të saj dhe shtrirjen e mëtejshme. Në fund të shtatorit të vitit 2009, grupi zotëron një rrjet prej 873 degësh (359 në Greqi dhe 514 ndërkombëtare) dhe një numër prej 13.653 punonjësish. Kapitali i “Piraeus Bank Group” shënon 3.7 miliardë Euro, depozitat 31,4 miliardë, kredia 38,3 miliardë dhe totali i aseteve 52,3 miliardë euro. “Piraeus Bank Group” duke kombinuar zhvillimin e biznesit me përgjegjësitë sociale, forcon në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet me partnerët, nëpërmjet veprimeve specifike dhe përfshirjes në mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që përqendrimi më i fortë është në mbrojtjen e mjedisit natyror dhe kulturor.
***
Buxheti, debat në Kuvend për të përndjekurit
Në komisionin parlamentar të ekonomisë ka nisur diskutimi nen për nen i projektbuxhetit 2010. Një nga pikat më të diskutuara ishte fondi për të përndjekurit, i cili në projektbuxhet ishte përcaktuar si një fond special dhe i trashëgueshëm, gjë që u kundërshtua nga ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Sipas tij, nuk është e nevojshme që ky fond të jetë special dhe i trashëgueshëm çdo vit, por në fillim të çdo viti të ri përcaktohet fond i ri. Ndërkaq, në Komisionin e Shëndetësisë, ministri Petrit Vasili kërkoi që të rritet vlera e fondit të përcaktuar për zhvillimin shëndetësor parësor nga 100 në 160 milionë lekë, duke ulur fondin për zhvillim rajonal. Nga ana tjetër, ISKSH i kërkoi Ministrisë se Financave dhe asaj të Shëndetësisë që rritja e fondit për këtë institucion të shkojë deri në 10 për qind, nga 7 për qind të përcaktuara, pasi me shtimin e numrit të njerëzve në skemën e sigurimeve, po shtohet edhe numri i atyre që përfitojnë shërbim shëndetësor pa pagesë, duke rritur kështu kostot që mbulon ky institucion.
Të përndjekurit
Buxheti i vitit 2010 parashikon një ulje të fondeve për të përndjekurit politikë, krahasuar me përfitimet që ka marrë kjo kategori gjatë këtij viti. Kështu, referuar këtij viti, të përndjekurit politikë do të marrin një fond rreth 1.170.000.000 lekë më të ulët. Gjatë vitit 2010 për të përndjekurit politikë është parashikuar që të ketë një fond që shkon në total prej 2 miliardë lekësh të reja. Referuar buxhetit të rishikuar të vitit 2009, fondi në total për këtë kategori ka qenë në 3.17 miliardë lekë. Ulja e fondeve për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë shkon në 37 për qind në total.
-
777 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg