Gjykata liron ish-përgjegjësin e Gërdecit
Vendimi: Veiz Muço u arrestua në mënyrë të paligjshme, do të hetohet në gjende të lirë. Prokuroria: Dëshmitari ndryshoi thëniet, akuzohet për dëshmi të rreme
TIRANË - Veiz Muço, ish-përgjegjësi i fabrikës së Gërdecit, i arrestuar me bujë katër ditë më parë sapo la sallën e gjyqit, ku kishte dëshmuar për afro dy orë, dje arriti të rifitojë lirinë. Vendimi u mor nga Gjykata e Tiranës, e cila quajti të paligjshëm arrestimin e një prej dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj 29 të pandehurve që akuzohen si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Sipas gjykatës, Muço do të qëndrojë në gjendje të lirë deri në përfundim të procesit hetimor që Prokuroria e Tiranës ka nisur ndaj tij, me akuzën e dëshmisë së rreme. Pavarësisht argumenteve dhe përpjekjeve të përfaqësueses së akuzës për të bindur gjykatën, se i arrestuari duhet të qëndrojë nën masën shtrënguese të sigurisë, gjyqtarja e gatshme dha ndaj të dyshuarit masën “detyrim për paraqitje”. Sipas prokurorisë, mësohet se tashmë Veiz Muço është zyrtarisht nën hetim për akuzën e “dëshmisë së rreme” dhe do të jetë veçmas nga të pandehurit e tjerë të Gërdecit, pavarësisht se akuza që është ngritur ndaj tij i referohet ndryshimit të dhënieve gjatë dëshmisë që dha në një nga seancat gjyqësore ndaj 29 të pandehurve.
Dëshmia e ndryshuar
Punësimi i të miturve, saldimi i karrocave apo edhe rregullorja e punës brenda ambienteve të fabrikës, ishin disa nga pjesët e dëshmisë, për të cilat Veiz Muço ka dhënë versione të ndryshme në prokurori e gjykatë. Rregullorja e sigurimit teknik në punë ka çelur, sipas prokurorisë, edhe ndryshimin e dëshmisë nga Veiz Muço, i cili gjatë seancës së katër ditëve më parë tha se “kishte një rregullore, e cila ishte e transplantuar nga rregullore ushtarake dhe u lexohej punëtorëve çdo mëngjes dhe ishte e shkruar në një fletë formati. Një pjesë e rregullores tregonte sesi do të bëhej transporti, ruajtja dhe hapja e fishekëve”. Por kjo pjesë e dëshmisë është ballafaquar me thëniet e tij në prokurori, pikërisht në procesverbalin e datës 21 prill të vitit 2008, ku Muço ka deklaruar se “nuk kishim një rregullore të tillë, ose të paktën unë personalisht nuk e kam parë dhe nuk jam njohur me një rregullore të tillë. Di se çdo fillim muaji, drejtori Dritan Minxolli përpilonte një fletë të thjeshtë formati me përmbajtjen: “Kompania “Albademil” udhëzon që, në bazë të rregullores së sigurimit teknik, punëtorët të kishin kujdes në punë”. Një tjetër pjesë e dëshmisë së Veiz Muços, që është konsideruar e rreme nga prokuroria, ka të bëjë edhe me punësimin e të miturve. Në prokurori, ish-përgjegjësi i punishtes së Gërdecit ka deklaruar se aty janë punësuar edhe të mitur të moshës 15-18 vjeç, ndërsa në sallën e gjyqit tha se “nuk kishte fëmijë të mitur që punonin te procesi i demontimit”. Karrocat e dëmtuara dhe saldimi i tyre, sipas dëshmisë që Veiz Muço ka dhënë në prokurori, bëhej me dije dhe me urdhër të drejtorit Dritan Minxolli. Ato saldoheshin te shtëpia e Qemal Deliut, ndërsa gjatë dëshmisë së djeshme, ai pohoi se ato saldoheshin nga një person brenda në ambientet e fabrikës së Gërdecit. Ndërsa duke folur për ditën e ngjarjes, Veiz Muço tha para gjykatës, “se drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli, rreth orës 12:00, u dha urdhër punëtorëve që të ndërprisnin punën dhe të shkonin të hanin drekë. Unë u largova 10 minuta para për të ngrënë bukë dhe shkova bashkë me drejtorin te restoranti poshtë”. Ndërsa në prokurori ai ka deklaruar se në momentin që ai ka ikur, ka urdhëruar punëtorët të vazhdojnë me transportin e barutit, duke kundërshtuar kështu pjesën më të madhe të dëshmisë së tij.
-
677 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg