Hyrje | Editorial | Fatos Nano : “Ramizi nuk ishte strateg, Si e refuzova hyrjen e tij në PS”

Fatos Nano : “Ramizi nuk ishte strateg, Si e refuzova hyrjen e tij në PS”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

“Ramizi më bëri shantazh të

hynte në PS, unë e refuzova”

 

 

“Më tha: Po për mua ke ruajtur ndonjë teserë rezervë? I thashë: Do na lësh të punojmë tani? Ai kërkoi të jetë pjesë e PS-së, pasi dha dorëheqjen si president, me pak shantazh...” 

 

 

 

Blendi Fevziu

 

-Zoti Nano, si ka qenë fëmijëria juaj në një lagje të dominuar nga tiranas të vjetër, tradicionalë, dibranë të ardhur në Tiranë pas Luftës së Parë, apo gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një lagje ku nuk ndihej shumë gjurma e pushtetit komunist të kohës ose ndihej më e lehtë...

Ndihej shumë më pak se në Bllok, sigurisht. Unë jam lindur dhe rritur në një lagje pranë xhamisë së vjetër, me teneqe, të Derhemëve, midis sheshit “Avni Rustemi” dhe rrugës “Bardhyl” të sotme, në rrugicën e një shkolle të njohur për periudhën dhe historinë e arsimit shqiptar, që ishte shkolla “Hoxha Tahsin”...

-Një prej shkollave më të vjetra të Tiranës...?

Po, unë e kalova fëmijërinë dhe rininë në shtëpinë e një ish-tregtari këpucësh dibran, të sekuestruar nga pushteti i pasluftës, për arsye se nuk kishte paguar tatimin e jashtëzakonshëm të luftës. Jetova aty, (pa tri vjet që i kalova në një apartament në Elbasan (1975-1978)), deri në një periudhë që më lëshoi në jetën publike,  në moshën 39 vjeç, pra, deri në vitin 1991, kur u bëra drejtues i Qeverisë Shqiptare për herën e parë. Në atë lagje të vjetër tiranase, sigurisht krijova shoqëritë e para të fëmijërisë, bëra arsimin parashkollor dhe fillor, njoha zënkat dhe dashuritë e para, u rrita dhe ndesha vështirësitë e para të jetës. Më duhet të mos harroj që, përgjithësisht, arrita të krijoj marrëdhënie të shëndosha njerëzore me shumë personazhe të njohura sot, që kanë qenë shokë të lagjes sime...

-Dy herë në javë ju punonit turni i tretë, siç quhej në atë kohë...

Po. Kjo përfundoi papritmas dhe pa parashikuar, në detyrën time të kryeministrit për herë të parë, kur mua m’u desh të merrja në dorëzim shtetin në shkurt të vitit 1991. Është një episod unikal, kur pasi u mor vendimi, tani unë nuk dua ta përmend në këtë rrëfim për jetën aspektin zyrtar të historisë që njihet, por dua të them sesi u bë dorëzimi i detyrës së kryeministrit nga Adil Çarçani tek unë.

Si u bë, Adil Çarçani ishte në detyrë prej 9 vitesh...

“...Në fakt, që prej para lindjes sime. Ishin njerëz të luftërave që nuk e dorëzonin kurrë pushtetin. Papritur unë u ndodha në momentin që (rrethanat do t’i shpjegoj më pas), do të merrej detyra nga Adil Çarçani dhe kisha hyrë në Qeverinë e Adil Çarçanit disa muaj më parë, me kërkesë të Ramiz Alisë, i cili më njohu si një nga ekonomistët me prirje liberale. Kjo përkoi me momentin që Ramiz Alia nga halli, donte të merrte disa masa, të cilat ai nuk i dinte se cilat ishin, dhe u hap ndaj disa ekonomistëve liberalë që nga unë tk Gramoz Pashko.

-Masa që nuk i mori dot kurrë.

“Nuk i mori plotësisht dhe nuk pati kohë ta mbyllte këtë cikël. Unë e kushtëzova pranimin për të hyrë sekretar i Përgjithshëm dhe pastaj zëvendëskryeministër në qeverinë “Çarçani”, me një mandat të përcaktuar qartë për reforma dhe ndryshime ekonomike.

-Meqë jemi këtu, një ndërhyrje të vogël. Si funksiononte? Ju ishit një ekonomist që vinit nga një rini kryesisht moderne, ishit njeri që, sikurse thatë, kishit kaluar 3 vjet duke psonisur vetë në 2 të natës; moderne për kohën që ishte sidomos në kontrast me klasën drejtuese komuniste, e cila ishte krejtësisht e atrofizuar, ju vetë thatë, kishin dalë nga lufta dhe nuk u përshtateshin më zhvillimeve të kohës. Si funksiononte kontakti ose marrëdhënia juaj me Adil Çarçanin, që ishte përfaqësues i një klase krejtësisht jashtë realitetit?

Dua të rrëfej këtu thjesht pjesën e panjohur të marrëdhënieve brenda zyrave që kanë shkruar historinë e njohur publikisht. Kur hyra në qeverinë “Çarçani”, unë konstatova që kjo klasë e atrofizuar politike, te personazhi i kryeministrit të kohës, (ju studentët i thoshit atëherë “Tao-Tao”, sipas një personazhi kartonësh kineze të kohës), funksiononte në një mënyrë çuditërisht vulgare, sepse i fundit që hynte në zyrën e Adilit formonte mendimin dhe vendimin e tij. Unë fillova me përkushtimin e një ekonomisti me prirje...

Merrte vendime Adil Çarçani?

Ishte i detyruar brenda zyrës dhe orarit të tij zyrtar që të merrte vendime të cilat shkonte i konsultonte tek godina përballë, tek Ramiz Alia. Unë isha sekretar i Përgjithshëm i një kabineti që kishte filluar të ndryshonte me disa personazhe apo me personalitete aspak të së njëjtës kategori me byroistët tradicionalë, si për shembull, Skënder Gjinushi, Ismail Ahmeti, Farudin Hoxha apo Pajtim Ajazi, etj. Pra që vinin nga teknicienët dhe shkencëtarët jo detyrimisht të politizuar dhe që kuptuan që jo vetëm regjimi, por edhe Tao -Tao ishte në fund të resurseve. Natyrisht politika është edhe një mjedis ku të gjithë ndoshta bëjnë llogari personale dhe këtu llogaritë personale nuk ishin aq të trasha sa sot, por ishin në funksion të një karriere në kushte të vështira. Gjithsekush synonte që të hynte i fundit në zyrën e Adilit për të marrë favore dhe diktuar për dikasterin a veten e tij. Unë pas një muaji, - dhe Taoja më thërriste nga mëngjesi deri në mbrëmje për të kuptuar më mirë ato që i thoshin gjatë gjithë ditës, - vendosa të shkoj tek ai gjithmonë i fundit, në mbrëmje, se kisha avantazhin që e kisha zyrën ngjitur.

-A kuptonte Adil Çarçani se çfarë kishte ndodhur?

Nuk kuptonte asgjë dhe ishte e vështirë të kuptonte ndokush ndonjë gjë në ato momente, përfshirë edhe Ramiz Alia. Do të vij te figura e Ramiz Alisë. Gjendja ishte katastrofike dhe unë këtë e kuptova plotësisht ditën kur mora në dorëzim kasafortën e Kryeministrit.

-Që kishte brenda?

Që kishte brenda dosjen e rezervave valutore të shtetit, jo ndonjë gjë tjetër të madhe. Pra, unë isha në dijeni dhe po menaxhoja për shkak të detyrës si sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së fundit komuniste, situatën e vështirë të sigurimit të ushqimeve për popullin, për tregun, kryesisht vaj, grurë, sheqer, pra nga vaj gatimi deri te vajguri etj.

-Pastaj le të mos flasim për vezët, që ishin një luks që po zhdukej...

Ajo është një histori që lidhet me të gjitha aventurat e sektorit agrar, pasi rrallë janë importuar vezë apo djathë, ose nuk kanë përbërë peshën kryesore të importeve, por vaji, sheqeri, mielli ose gruri filluan të sigurohen duke prekur rezervën shumëvjeçare valutore të shtetit. Kur unë mora dosjen e kryeministrit në dorëzim, pashë që rezervat valutore të shtetit ishin vetëm 8 milionë dollarë.

-Përse ka një përshtypje që ju ishit nga të preferuarit e Ramiz Alisë diku rreth vitit 1987?

Historia e fundit të viteve 1980 dhe viteve 1990 është shumë më intensive se e gjithë historia e 50 vjetëve të komunizmit. Për pasojë, dominon me ngjarje që kanë krijuar efekte, që do të thotë se unë kam punuar rreth e rrotull institucioneve të kohës dhe i tillë ishte edhe... kombinati metalurgjik.

-Takimi i parë i juaj me Ramizin? Cila ishte përshtypja juaj për të?

Nuk mund të krijohej që në këtë takim përshtypja, sepse pastaj filluan një numër kontaktesh, kur m’u kërkua në fund të vitit 1990 të krijoja një grup ekonomistësh, që do të shkonin për të marrë përvojën e reformave ekonomike, në tri vende të ish-Bllokut Lindor: Poloni, Hungari dhe Çeki dhe unë krijova grupin që do të kryesoja vetë. Në përbërje të të cilit ishin, përveç meje, Bakllamaja, Cuci, Shehu dhe Angjeli. Ditën që grupi do të nisej, mua më thonë: “Ti nuk do të nisesh dhe këta do të ikin vetëm”. Kjo sepse u ftova të hyj në qeveri dhe udhëtimi i tyre do të ishte tri javë. Unë jam bashkuar me ta në javën e fundit në Budapest, në detyrën e sekretarit të Përgjithshëm, për të na pritur zëvendëskryeministri hungarez. Një takim shumë instruktiv, ku unë nisa të kuptoj se ku ishte dallimi mes Ramiz Alisë dhe udhëheqësve të tjerë të Bllokut Lindor.

-Ku ishte dallimi?

Po ky ishte një jurist, që nuk ishte anëtar i nomenklaturës apo Partisë Komuniste dhe kishte mbërritur në udhëheqjen e qeverisë, zëvendëskryeministër, pas rënies së Murit të Berlinit, me formatin e parë të liberalëve, që me një revolucion të kadifenjtë, arritën të zëvendësojnë regjimin e Janosh Kadarit. Dallimi ishte se ky ishte shumë më reflektues ndaj përvojës dhe historisë, gabimeve të regjimit komunist dhe nevojës për të ruajtur asetet e krijuara, si një mundësi për konkurrencë dhe ekonomi të hapur. Te Ramizi unë nuk i gjeta dot këto gjëra, as te përfaqësuesit e tjerë. Ramiz Alia ishte produkt i një historie të gjatë në komunizëm, që solli shumë skartime në radhët e brezit që bëri luftën dhe dorëzoi pushtetin në pluralizëm. Valëve të spastrimeve dhe grupeve armiqësore, Ramizi u kishte shpëtuar mirë. Nuk e paragjykoj këtë gjë dhe nuk jam as në pozitën, as si familje dhe as në moshë, të njohjes së të gjitha detajeve sesi ka ndodhur kjo gjë, por Ramizi u shpëtoi të gjitha këtyre dhe unë di nga babai dhe historia që lidhet me këtë brez, që Ramizi kishte arritur të kristalizohej si një takticien i shkathët, që pas vdekjes së Hysni Kapos i shpëtoi ndëshkimit të Mehmet Shehut dhe doli më afër Enver Hoxhës se konkurrentët brenda shtresës së dytë të udhëheqjes, ku u konsolidua me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Me vdekjen e Enverit, Ramizit i ngeli në dorë si i vetmi i mundshëm, e gjithë trashëgimia problematike e 40 viteve komunizëm. Kjo ndodhi në një periudhë kur nevoja e ndryshimit kishte nisur që të shfaqej jo vetëm në të gjithë lindjen komuniste, por edhe në Shqipëri, jo vetëm te një brez i tërë njerëzish që jetonin në të gjitha mjediset e shoqërisë komuniste, por edhe intelektualësh dhe administratorësh që nga kooperativa në industri, që nga fakultetet, ku kishte një brez të shkëlqyer në atë kohë, që nga Ministria e Jashtme dhe diplomatët, që kishin nisur të flisnin dhe të shtronin e të përcillnin idetë dhe nevojën për ndryshim. Në këtë kohë, Ramiz Alia kishte shanset që t’i merrte vendimet më parë sesa të tjerët. Nuk i mori. Nuk ishte strateg, por takticien, historia nuk e bëri dot as lider komunist, prandaj mbeti hezitant, i dyzuar dhe u shmangej vendimeve strategjike, kur koha i shtroi ato si imperativa historike dhe kombëtare.

-Ishte i lirë Ramiz Alia në vendimet e veta? Ka një teori se ishte i kontrolluar nga e veja e Enver Hoxhës.

Ai ishte mjeshtër i manipulimit të mendjeve. Bënte atë që vendoste të bënte. Askush nuk e kufizonte dot, as Nexhmie Hoxha nuk e kufizonte dot, sepse ka pasur më shumë kulturë dhe bonsens se Ramiz Alia apo anëtarët e tjerë të byrosë, si Lenka, Pali etj. Nexhmie Hoxha, pasi i vdiq i shoqi, sidomos me largimin nga data e vdekjes së të shoqit, me afrimin ndaj viteve ‘90, u zhvesh nga nostalgjia e humbjes së themeluesit të shtetit komunist dhe nisi të dëgjojë me vëmendje zëra të rinj të nevojës për ndryshim. Për shembull, kur unë dhashë intervistën në 2 gusht 1990 te “Zëri i Amerikës”, të nesërmen, dokumenti i parë  ku u pasqyrua intervista ishte buletini rezervat i ATSH-së.  Harilla Papajorgji, zëvendësdrejtori i Nexhmies, i shkon në zyrë asaj të nesërmen: “Ja çka thënë ky revizionisti”! Për çudi, Nexhmija përgjigjet: “Ore, është larg koha kur burgosnim dhe largonim njerëz për krime verbale. Në fund të fundit, është nevoja për ndryshime dhe reforma dhe nëse ke ti ndonjë mendim tjetër, dil e thuaje ti aty, se pale ta hapin ata”! Dhe me kaq u mbyll historia.

Dua të përmend tani, atë që unë njoh si kulm të pavendosmërisë dhe të shanseve të humbura që lidhen me Ramiz Alinë dhe historinë e tranzicionit. Historia në fund të fundit është njerëzore, është kollaj të gjykosh sot. Por unë kam jetuar dhe punuar, shyqyr Zotit, pa vrarë njeri politikisht, në një regjim ku ishin të gjithë të kufizuar, të dënuar për mbijetesë gjithashtu, dhe jam munduar e përpjekur të bëj maksimumin e mundshëm për vendin tim, në limitet e asaj çka ka sjellë jeta edhe fati. Mua më solli jeta në periudhën e fundit të komunizmit, te mundësia profesionale për të ofruar dhe marrë përsipër, duke kushtëzuar madje nevojën që kishte regjimi për fytyra të reja, me një mandat për reforma të ekonomisë së tregut. Në këtë proces, në fillim të vitit 1988, caktohem si pjesëtar i një grupi pune, drejtuar nga Abdyl Backa, sekretar për Ekonominë i Ramiz Alisë, për të pritur në Tiranë drejtorin për Marrëdhëniet me Europën në Ministrinë e Ekonomisë të RFGJ. Në një javë pune, tek ish-protokolli i tregtisë së jashtme, ai na shpjegoi mekanizmat, principet dhe programet e politikës së Bashkimit Europian për vendet mesdhetare. Ishte një oportunitet që na ra qielli papritmas!

-A pati ndonjë ofertë nga Gjermania Perëndimore në atë kohë për t’u bashkuar me BE-në, sidomos në rrafshin ekonomik?

Unë isha i familjarizuar dhe i njohur me problematikën që po përcillte drejtori gjerman. Ai krijoi afrimitet me mua, se ia merrja fjalën nga goja kur shpjegonte. Më thotë veç: “E shoh që nuk jeni të panjohur me këtë gjë dhe ju duhet të merrni një vendim politik. Unë për këtë kam ardhur, që ju të merrni një vendim politik, ta pranoni këtë gjë dhe ne t’ju mbështesim që të ecni më tutje”. Pas tre muajsh vjen ftesa që ne të vizitonim Republikën Federale Gjermane. Meqë unë nuk kisha asnjë status zyrtar, nuk mund ta kryesoja unë atë delegacion dhe vendosën zëvendëskryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit - Luan Shahollarin në krye. Ishte një udhëtim pune i jashtëzakonshëm dyjavor, në pesë lande-shtete të RFGJ-së, nga Munihu në Hamburg, në takime me botën akademike, me drejtuesit e kompanive më të mëdha gjermane, dhe me zyrtarët e ekonomisë dhe Ministrisë së Jashtme. Mesazhi politik i Bonit zyrtar për Shqipërinë, që ne e përcollëm në zyrën e Ramiz Alisë me një raport prej 20 faqesh, pasi u kthyem, ishte: “Merrni një vendim politik për të vendosur marrëdhëniet me Brukselin, ne do t’ju marrim për dore dhe do t’ju tregojmë se në cilën zyrë duhet të trokisni, do t’ju presin mirë dhe do të keni akses në programet mesdhetare të Bashkimit Europian, sepse Gjermania e vlerëson si prioritar rolin dhe pozicionin e Shqipërisë në raport me Ballkanin dhe Europën Lindore për hapjen e saj dhe BE-së me rajonin!

-Ia referuat Ramiz Alisë këtë?

Raporti shkoi në duart e Ramiz Alisë në fillim të marsit 1989 dhe në fund të dhjetorit, kur takova për herë të parë Ramiz Alinë, arrita ta pyes: “Çfarë bëtë me raportin që ju dorëzuam para gjashtë muajsh?”. Ai më tha: “Kaq i rëndësishëm ishte ai, se ma humbi Hekuran Isai nëpër sirtarë”?! Mbaroi kjo histori me këtë mesazh fatzi! Kjo për mua e mbyll gjithë eksperimentin e dështuar të Ramiz Alisë. Do të kishim kapur trenin europian para rënies së Murit të Berlinit dhe nuk do të kishim nevojë për çarjen e ambasadave, duke ndërtuar marrëdhënie me BE dhe Perëndimin para vendeve të tjera ish-komuniste!

-Zoti Nano, kur morët propozimin për t’u bërë kryeministër, në një kohë që gjysmën e Shqipërisë e dominonin vullnetarët e Enver Hoxhës, një pjesë tjetër punëtorët dhe intelektualët e PD që shpërthyen në greva, a hezituat të bëheshit kryeministër?

Ajo që njihet publikisht si hezitimi im, ishte marrja e postit të kryetarit të Partisë Socialiste, jo të kryeministrit. Unë priresha për karrierë ekzekutive, pra administrative dhe jo politike. Unë hyra në qeveri me vullnetin e ekonomistit politik për reforma të ekonomisë së tregut. Meqenëse arrita ta krijoj këtë hapësirë qysh me mandatin e sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, nuk mund mos e pranoja organikisht ardhjen në krye të qeverisë. Unë përfaqësova i pari Shqipërinë në Forumin Ekonomik Botëror të Davos-it në Zvicër më 1991. U nisa si sekretar i Përgjithshëm nga Tirana dhe më priti sekretarja e Forumit Ekonomik, për të më dhënë lajmin: “Mirë se erdhët, zoti zëvendëskryeministër”! Gjatë kohës që unë udhëtoja, kishte dalë dekreti dhe unë nuk e dija. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme ky forum. Në këto kushte, nuk mund të mos e pranoja mandatin e kryeministrit për të vazhduar misionin e reformatorit.

-Pse ju refuzuat që të bëheshit sekretar i Parë dhe kryetar i Partisë Socialiste më pas?

Ramizi la vendin bosh dhe nuk la asnjë gjë mbrapa. Gërmadha do shembej, dhe nuk do të doja të isha drejtues i një shtëpie të prishur. Unë kisha idetë e mia dhe kisha rrethin dhe brezin tim që punonin për të siguruar një koncept tjetër për majtën në kuadër të shpalljes së pluralizmit, për krijimin e një të majtë të re socialiste. Ajo që dominonte tek unë, pavarësisht nga kjo koshiencë politike e brezit, ishte elementi profesional. Unë isha i arsyetuar që mund t’i kontribuoja reformimit të shoqërisë së tranzicionit me ekspertizë dhe reforma sa më pak të dhimbshme dhe profesionale. Kjo më afronte më shumë me administratë, sesa me partinë. Unë me të ndjerin Gramoz Pashko kombinohesha shumë mirë, sepse ai njihte doktrinat dhe botën më shumë sesa unë dhe unë njihja jetën dhe ekonominë shqiptare. Arritëm ta përfaqësojmë Shqipërinë në mënyrë dinjitoze në Konferencën e parë ekonomike rajonale në Athinë më 1989. Unë dhe Gramozi rrezikuam shumë, se flisnim hapur edhe me të huajt, në kafenetë e hotel “Dajtit”, ku përpunoheshin opinione, në prani të sigurimit dhe pinjollëve të nomenklaturës. Unë isha i prirur që, në kundërshtim me afinitetin profesional dhe social, apo të gjeneratës që kisha me Pashkon, të qëndroja në të majtë, kur Gramozi iku shumë kollaj djathtas bashkë me të tjerët dhe me shumë dinjitet gjithashtu shkroi programin e PD-së, sepse isha i bindur që intelektualët e pakët që kishin arritur të krijonin një alternativë arsyetimi, të paktën ndaj regjimit komunist para dhjetorit 1990, duhet të ruanin edhe balancën politike në kushtet e pluralizmit. Mbi këtë bazë refuzova ftesën e Ramizit për të drejtuar partinë.

-Ia propozuan atë dikujt tjetër përpara jush?

Po, Maqo Lakrorit, pastaj u futëm në një zhvillim të panjohurash. Maqo Lakrori sikur në fillim e pranoi, më pas pyeti të ndjerin të atin e vet dhe refuzoi. Nuk e di pse. Ishim në një terren të panjohurish, partia nuk dinte kujt do t’i ngelte. Është fryt i papërgjegjshmërisë dhe i reformave të munguara të asaj klase politike.

-Dhe si qëlloi që ju ngeli juve?

Në Kongresin e 10 të partisë, zgjedhjet dhe propozimet për kryetar do të bëheshin pasdite. Në momentin që dola nga shtëpia pas drekës, më përcjell nëna në korridor me lot në sy dhe më thotë: “ Bir, në duart e kujt do të na lësh?”.

Ajo ka qenë partizane, ish-mësuese dhe vetëm ajo më theu. Unë me lotët e nënës mora vendimin. Mora vendimin që kishte koshiencën e sakrificës, përfshirë dhe burgun brenda. U ndava nga lotët e nënës dhe iu dorëzova koshiencës dhe inkoshiencës se eksklamacioneve të sallës, që thërriste “Fatos Nano! Fatos Nano!”. Seanca u ndërpre për të formuluar propozimet. Në këtë ndërprerje mua më rrethuan shumë përfaqësues të delegatëve në rrethe. Ramizi nuk afrohej. Unë, tashmë me vendim të marrë, u përpoqa të ruaj nacionalitetin e arsyetimit dhe të vë kusht se me kë do të punoja.

-Me kë biseduat?

Nuk mbaj mend kush ka qenë rrotull, por ishin pak nga ata që ishin të përfshirë në listën e kandidatëve për forumet drejtuese. Unë thashë se pranoj që të jem kryetar, me kushtin që nënkryetarë të jenë Servet Pëllumbi, Spiroja (Dede) dhe Ismaili (Lleshi). Nuk u kontestua.

-Pati një bisedë me Ramizin kokë më kokë në këtë moment?

Jo, në këtë moment nuk kishte as vend, as kohë. Ramizi u çlirua nga ankthi i vakumit që kishte krijuar vetë dhe papritur po mbushej.

-Është e vërtetë që Ramiz Alia kërkoi të bëhej anëtar i PS-së pasi iku si president?

Po, dhe ma kërkoi mua. Më tha: “Po për mua ke ruajtur ndonjë teserë rezervë”? I thashë: “Do na lësh të punojmë tani”? Ai kërkoi të jetë pjesë e PS-së, pasi dha dorëheqjen si president me pak shantazh, në një bisedë të drejtpërdrejtë me mua, në vilën e presidentit. Më kërkoi që të mbaj qëndrim nëse duhet të jepte dorëheqjen ose jo, në prill të vitit 1992.

-A ju kërkoi garanci për veten Ramiz Alia?

Natyrisht ai garancinë nuk mund ta kërkonte nga opozita, do ta kërkonte nga qeveria. I ka pasur dyert të mbyllura nga qeveria, me presidentin e ri gjithashtu. Marrëdhëniet e Berishës me Alinë kanë qenë të vështira, mos them të pamundura.

-Por grupi i bllokmenëve që u dënuan në kongresin e 10-të, çfarë reagimi patën ndaj transformimit të Partisë së Punës?

Unë mora vendim si kryeministër për t’i nxjerrë nga blloku. Ikën me bisht ndër shalë në shtëpi të tjera, me përjashtim të Spiro Kolekës dhe ndonjë tjetri. E kini parasysh, Spiro, ndërtuesi i të gjitha “kutive” 50 m2 të strehimit në komunizëm, që kishte një vilë super të bollshme. Me thënë të drejtën nuk e di se kush e ka sot. Më shkruan një letër, fletore aritmetike me katrorë, 16 faqe me shkrim dore, ku më thoshte se jo vetëm se nuk duhet të dilte, por kishte nevojë për strehim suplementar, se ishte bërë gjysh dhe po i rriteshin fëmijët e fëmijëve. Si përfundim, në bashkëpunim me gardën e shtetit, me hir e me pahir, u shoqëruan në apartamentet e reja normale, ku u futën edhe familje të persekutuara në të njëjtën kohë. Një nga kuriozitetet në këtë histori, është se shkresën e firmosur në vendimin e qeverisë nga unë, ma kthejnë me shënimin e Pali Miskës, ku thoshte se nuk lëviz nga shtëpia, edhe sikur topat të bien. Vetëm topa s’kishte Pali, se duhen topa për të përballuar topa.

Marrë me shkurtime nga “Opinion”

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 2654 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive