Hyrje | Editorial | Nuk ju lejojmë të zbatoni strategjinë për integrimin e veriut

Nuk ju lejojmë të zbatoni strategjinë për integrimin e veriut

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Serbët kërcënojnë:  

 

 

 

Kuvend politik serb i mbledhur dje në Mitrovicë, kërkoi largimin e EULEX-it dhe mandatoi peshkopin Artemie, në krye të një delegacioni për të mos lejuar ndarjen e Kosovës nga Serbia

 

 

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, të disa partive politike nga Serbia, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, kanë kundërshtuar ashpër zbatimin e strategjisë së Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut. Të mbledhur në një kuvend politik serb në veri të Mitrovicës, përfaqësuesit e këtij komuniteti e kanë kundërshtuar sërish strategjinë, duke thënë se nuk do të lejojnë që ajo të zbatohet. Në këtë kuvend, përveç përfaqësuesve politikë të komunitetit serb, kanë marrë pjesë edhe ata të Partisë Radikale të Serbisë, përfaqësues të Partisë Demokratike të Serbisë, si dhe Peshkopi Artemie. Mesazhi në fund të takimit, drejtuar institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, ishte se strategjia e për veriun nuk do të mund të zbatohet dhe do të kundërshtohet nga serbët. Njëri nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiç, i ka ftuar serbët e Mitrovicës të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos e lejojnë zbatimin e planeve për integrimin e kësaj pjese. “Ju ftoj, sidomos juve, qytetarë të Mitrovicës, që për 10 vjet luftuat të mbeteni në këtë qytet, që të vazhdoni edhe më tej dhe të mos lejoni që planet e tilla të zbatohen”, ka thënë Jakshiç. Ndërkaq, radikalët e Tomisllav Nikoliçit dhe përfaqësuesit e partisë së ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica përcollën kritika ndaj presidentit të Serbisë, Boris Tadiç dhe ministrit të Jashtëm Vuk Jeremiç, duke i akuzuar për politika joparimore në raport me komunitetin serb dhe Kosovën. Dragan Todoroviç i bëri thirrje Beogradit të dëgjojë edhe zërin e serbëve të Kosovës dhe ftoi qeverinë e Serbisë që të ndërpresë mikpritjen e misionit të EULEX-it. “EULEX-it duhet t’i tregohen dyert prej nga erdhi, pasi duhet të largohet, sepse nuk ka se çfarë kërkon më në Kosovë”, tha Todoroviç. Kritika të ashpra janë dhënë edhe në adresë të KFOR-it, nga ana e një përfaqësuesi tjetër serb nga veriu, Milan Ivanoviç. “KFOR-I nuk arriti të garantojë siguri dhe tashmë dëshiron të merret me politikë”, tha ai. Ndërkaq, anash këtij veprimi politik, indiferente nuk ka qëndruar as Kisha Ortodokse Serbe. Peshkopi Artemie ka marrë mandatin nga ky kuvend joformal serb, që të kryesojë një delegacion, i cili do të merret me politikat e Serbisë për ruajtjen dhe moslejimin, siç thuhet, të pavarësisë dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia. Takimi në veri të Mitrovicës ka rezultuar edhe me një kërkesë adresuar Parlamentit të Serbisë dhe i është kërkuar të miratojë një rezolutë, me të cilën do të deklarohet sërish për moslejimin e ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Reagimi i Prishtinës

Këto veprime në veri nuk e kanë befasuar Qeverinë e Kosovës. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ka qenë e pritshme rezistenca serbe e strukturave paralele, pas përkrahjes që faktori ndërkombëtar i dha strategjisë për integrimin e kësaj pjese në sistemin legal të Kosovës. “Ne e kemi ditur se do të ketë rezistenca të tilla, në veçanti të njerëzve që janë të lidhur me veprimet ilegale, por ajo që dua ta them, është se vendosmëria e institucioneve të Kosovës dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare janë më të fuqishme sesa reagimet që mund t’i bëjë dikush. Unë e di se shumica e popullatës lokale serbe atje është e interesuar për rend dhe ligj, për demokraci dhe zhvillim ekonomik”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Kuçi. Strategjia për veriun është përkrahur deri më tani publikisht nga ICO-ja, ambasada amerikane dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, kurse BE-ja, përkatësisht misioni i EULEX-it, nuk e ka sqaruar ende pozicionin ndaj këtij dokumenti.

 

 

 

Shefja e diplomacisë evropiane

 

Kosova mbetet një nga sfidat e BE-së

 

Shefja e diplomacisë europiane, Kethrin Ashton, ka deklaruar se një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Bashkimit Europian është edhe Kosova, pasi shteti i ri nuk është njohur ende nga pesë vendet anëtare të BE-së. “Ka dallime lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës, por ka një marrëveshje absolute lidhur me programet themelore të ndihmës që ne po zbatojmë në Kosovë. Detyra ime është t’i kthej qëndrimet në veprime dhe t’i përfaqësoj ato. Kur nuk gjejmë gjuhën e përbashkët ka diskutime të vazhdueshme ndërmjet vendeve anëtare”, ka thënë ajo në një intervistë për gazetën londineze “Financial Times”. Më parë, blloku prej 27 anëtarësh kishte tri personalitete të ngarkuara për të drejtuar marrëdhëniet me jashtë ndërsa tani, sipas traktatit të Lisbonës, në postin e shefes së diplomacisë së BE-së është vetëm Kethrin Ashton, me një rol mbështetës për ministrat e Jashtëm nga qeveritë e vendeve anëtare. Vetëm një ditë më parë, shefi i diplomacisë finlandeze, Aleksandër Stub, në një vizitë në Prishtinë, tha se Bashkimi Europian duhet të rikthejë vëmendjen te Ballkani Perëndimor, por se vendet e këtij të fundit duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë, përpara se të shpresojnë të marrin statusin e kandidatit për anëtarësim. Stub tha se Brukseli aktualisht po merret me çështjen e Turqisë, por pas një raundi diplomatik që kishte zhvilluar këto ditë në pesë vende të rajonit, ai u bind se edhe Ballkani Perëndimor kërkon një vëmendje të veçantë. “Mesazhi im, sapo të kthehem në Bruksel, drejtuar kolegëve të mi atje, do të jetë se ne duhet ta marrim Ballkanin Perëndimor seriozisht”, deklaroi Stub. Ministri i Jashtëm finlandez, po ashtu ka përmendur edhe mosmarrëveshjet rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë, si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Një mesazh të veçantë, ministri finlandez tha se do ta ketë edhe për pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke i inkurajuar ato që ta bëjnë një gjë të tillë. Si procesi i njohjes së Kosovës, ashtu edhe integrimi i rajonit, sipas tij, do të marrin mjaft kohë. Por, në fund, Stub tha se do të dëshironte që t’i shihte Kosovën dhe Serbinë, siç u shpreh ai, “dorë për dore” të integruara në BE.

 

 

Qeveria, 2 milionë euro për Graçanicën e Shtërpcën

Qeveria e Kosovës ka ndarë 2,1 milionë euro nga rezerva e paparashikuar, për realizimin e disa projekteve kapitale në Komunën e Shtërpcës dhe asaj të Graçanicës. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave (MEF), Bedri Hamza, tha në mbledhjen e radhës së ekzekutivit, se ky akordim për komunën e Graçanicës dhe Shtërpcës bëhet me qëllim të mbështetjes dhe përkrahjes së komunave të reja sidomos atyre me popullsi të përzier. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiç, kujtoi premtimin e kryeministrit Hashim Thaçi për përkrahjen e komunave të reja, në mënyrë që të tregohet niveli i lartë i demokracisë. “Ju vetë keni thënë se ne i përkrahim ato komuna të reja që janë shumë me rëndësi, që të tregojnë sa demokratikë jemi ne”, tha Rashiç. Mirëpo zëvendësministri Hamza shtoi se janë lënë 500 mijë euro si shumë fleksibile që mund të përdoren për projekte, të cilat përfaqësuesit e këtyre komunave i konsiderojnë si projekte të rëndësishme që duhet të realizohen në këtë fazë. Banorët e Shtërpcës dhe të Graçanicës, kjo e fundit e krijuar rishtas si komunë, kanë marrë pjesë në përqindje të kënaqshme në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, të organizuara nga Prishtina.

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 825 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive