Hyrje | Editorial | Eurosocialistët: Komision ndërkombëtar për hetimin e zgjedhjeve

Eurosocialistët: Komision ndërkombëtar për hetimin e zgjedhjeve

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Grupi socialist në APKE mbështet kërkesën e Partisë Socialiste shqiptare për hetimin e plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Mekshejn:“Kjo mundësi po shqyrtohet”

 

Grupi Socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës mbështeti kërkesën e raportit për Shqipërinë për një hetim të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri pa kushtëzuar të drejtën e hapjes së kutive. Socialistët europianë kanë parashikuar ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Objekt i këtij hetimi do të jetë pikërisht mënyra sesi janë numëruar votat gjatë 28 qershorit në Shqipëri. Ish-ministri britanik për Çështjet Europiane, që aktualisht është eurodeputet, Denis Mekshejn, tha për televizionin “Top Channel”, se është i shqetësuar për atë që po ndodh në Shqipëri. “Ne kemi përgjigjen e duhur  për të ngritur një komision ndërkombëtar për të hetuar sesi janë numëruar votat”, tha Mekshejn, duke shtuar se kjo mundësi po shqyrtohet, pasi vetëm kështu edhe deputetët socialistë mund të kthehen në Kuvend.

Delegacioni

Të njëjtin qëndrim për sa i përket kërkesës së opozitës për hetimin e pakushtëzuar të zgjedhjeve e kanë marrë edhe deputetët socialistë që ndodhen në Bruksel, Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, që u ftuan nga Grupi Socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ditën e djeshme, delegacioni socialist shqiptar mori pjesë në mbledhjen e grupit socialist, ku bënë një prezantim të detajuar të krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kryetari i grupit socialist, Andreas Gross, i cili do të flasë në emër të këtij grupi edhe në seancën plenare, ku do të zhvillohet debati për Shqipërinë, u shpreh në këtë takim se pa asnjë mëdyshje që “qëndrimi ynë si socialistë europianë është në mbështetje të Partisë Socialiste dhe se ne do të përdorim të gjithë mekanizmat dhe mundësitë për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës në Shqipëri, duke garantuar një përfaqësim të lartë të grupit socialist në Komitetin e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit që do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë”. Grupi socialist mbështeti kërkesën e raportit për Shqipërinë për një hetim të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri pa kushtëzuar të drejtën e hapjes së kutive. Duke marrë fjalën në këtë takim ish zëvendëskryeministri britanik Xhon Preskot theksoi se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet dhe procedurat gjyqësore postzgjedhore është një kopje e Armenisë. “Pra, nuk ka asnjë dyshim se ka pasur manipulime dhe ndryshim të vullnetit të zgjedhësve. Ne nuk duhet të lejojmë që kriza në Shqipëri të përshkallëzohet sikurse ndodhi edhe në Armeni, ku situata degradoi në konflikt dhe humbje jetësh njerëzore” tha Preskot. Deputetët socialistë Dade, Balla dhe Ahmetaj patën një takim të veçantë edhe me reporterin për Shqipërinë, Jako Lakso, me të cilën ndan të njëjtat mendime se raporti i përgatitur prej tij dhe zotit Uillshajër, i cili është miratuar nga Komiteti i Monitorimit, është një vlerësim korrekt i krizës politike dhe se rezoluta që buron nga ky raport, është një dokument i rëndësishëm mbi bazën e të cilit të gjitha palët marrin përgjegjësitë për një zhbllokim sa më të shpejtë të krizës politike dhe institucionale.

 

 

 

Strasburgu: Kredencialet e Shqipërisë, ratifikimi i kushtëzuar

 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës deklaroi dje zyrtarisht, se ratifikimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar është i kushtëzuar me ndryshimin e përbërjes aktuale. Referuar argumentimit të dhënë nga Këshilli i Rregullores në APKE, ratifikimi i kredencialeve të Shqipërisë është bërë në mënyrë provizore, duke lënë hapësirë për një ratifikim të dytë në sesionin e ardhshëm, ku shpresohet se do të jenë të pranishëm edhe anëtarët përfaqësues të Partisë Socialiste. Këshilli i Rregullores thotë se shpreson se do të ketë një zgjidhje të krizës politike në Shqipëri, që do të lejojë Parlamentin Shqiptar që të caktojë një delegacion të plotë dhe në kushte normale. “Këshilli i Rregullores shpreh shpresën se “një zgjidhje do të gjendet për t'i dhënë fund situatës politike në vend, e gjithashtu do të lejojë Parlamentin Shqiptar të caktojë një delegacion të plotë në Asamblenë Parlamentare, në kushte normale”, thuhet në reagimin zyrtar të Asamblesë Parlamentare të KE-së, ku njoftohet ratifikimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar, edhe pse ai është i paplotë dhe i formuar në kusht jonormale. Të njëjtën gjë e konfirmoi dje nga Brukseli edhe deputetja Arta Dade, e cila tha se Shqipëria i ka rifituar kredencialet e saj të plota në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), pasi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka premtuar se do të ndryshojë përbërjen e delegacionit shqiptar. Duke folur nga Strasburgu, kryesuesja e delegacionit të PS-së, Arta Dade, hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Sali Berisha dhe të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që thanë se ka qenë pikërisht opozita shqiptare ajo që tentoi të bllokojë ratifikimin përmes letrës që i dërgoi APKE-së. Dade tha se letra e PS-së që mban firmën e saj ka qenë konform rregullave dhe ka pasur si qëllim vetëm të evidentojë shkeljet e bëra në përzgjedhjen e delegacionit nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Ka edhe një letër tjetër të Topallit, të cilën e kam dhënë për median, e cila deformon realitetin. Mesa duket, Topalli e ka bërë një premtim që do ta ndryshojë përbërjen e delegacionit”, tha Dade.

K.KUÇAJ

 

 

 

Topalli letër APKE

 

“Sapo të vijnë socialistët, do të dërgoj emrat e tyre”

 

Pas akuzave të forta që i bëri Partisë Socialiste për letrën që i ishte dërguar Asamblesë, kryetarja e Kuvendit ka publikuar letrën që ajo vetë u kishte dërguar më datë 25 janar autoriteteve të larta të këtij institucioni. Në letrën e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, Topalli i shpjegon Komisionit të Rregullores së APKE-së se ka zbatuar të gjitha rregullat e parashikuara për përzgjedhjen e delegacionit. Topalli argumenton se është zbatuar neni i rregullores, i cili parashikon se delegacionit duhet të përfaqësojë me aq sa është e mundur proporcionalitetin politik. Megjithatë, Topalli premton se sapo PS-ja të futet në Kuvend, do të konsultohet me kreun e grupit dhe do të dërgojë emrat që do të caktohen në delegacion. “Në cilësinë e kryetares së Kuvendit, jam përpjekur të respektoj rregulloren për sa i përket proporcionalitetit, me aq sa ishte e mundur. Në mungesë të kryetarit të grupit socialist, unë nuk kisha me kë të këshillohesha për emrat e përfaqësuesve të PS-së (siç kërkohet me Rregulloren e Procedurës), por kam lënë vendin e tyre bosh deri në fund të bojkotit të tyre”, thotë Topalli në letrën e saj. Po ashtu, kryetarja e Kuvendit shton më tej, kur thotë se i ka bërë vazhdimisht apel opozitës për të ardhur në Kuvend, por kjo e fundit nuk ka pranuar. Në letrën e saj, Topalli ka cituar edhe një intervistë televizive të Edi Ramës, ku ky i fundit thoshte i pyetur nga gazetari se “nuk do të shkojmë ne në Strasburg por do të jetë Asambleja Parlamentare e KE-së që do të vijë te ne”. Duke shkuar më tej, Topalli ka renditur edhe deklarata të tjera të Edi Ramës në këtë intervistë, ku sipas saj, Rama kërcënon për marrjen e pushtetit me dhunë.

 

 

 

Bosh: Dialogu PS-PD, të gjitha palët dalin të fituara

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, u bëri dje apel mazhorancës dhe opozitës, që të angazhohen për zgjidhjen e krizës, ndërsa mbështeti nismën e pritshme të Këshillit të Europës për përzgjedhjen e presidentit Bamir Topi si negociator. Ambasadori Bosh tha se nga negociatat mes mazhorancës dhe opozitës nuk duhet të ketë një fitues, pasi kjo, sipas tij, nuk është një ndeshje futbolli. Një ditë para se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës të votohej rezoluta e dy reporterëve Jako Lakso dhe Dejvid Uillshajër, Bosh apeloi që këtë rekomandime që do të jepen të zbatohen. “Shpresoj që draft-rezoluta e Këshillit të Europës që do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë, në të cilën partitë do të mund të mblidhen së bashku. Kam parë reagime pozitive nga të dyja palët, dhe kjo është një gjë e mirë, por tani duhet të merren hapa të tjerë pasues. Sigurisht, sa herë që kemi dy palë që kanë opinion të ndryshëm për një çështje duhet të arrihet kompromis, sepse nuk është një ndeshje futbolli, që në fund ka vetëm një fitues. Ai që duhet të respektohet në këtë rast është interesi i vendit. Ndaj fitues nuk mund te jenë një apo dy persona, por 3 milionë shqiptarë. Shpresoj vërtet që të zbatohet rekomandimi që do të jepet nga Këshilli Europës”, tha Bosh, ndërsa merrte pjesë në një ceremoni ku u themelua Klubi i Gazetarëve. Duke vijuar më tej, ambasadori i OSBE-së shprehu mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të mbështetur, si negociatat PD-së PS, ashtu edhe negociatorin, ku i propozuar nga KE-ja është pikërisht kreu i shtetit.

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1646 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive