Hyrje | Editorial | Dell: Institucionet paralele janë struktura kriminale

Dell: Institucionet paralele janë struktura kriminale

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Ambasadori amerikan

 

 

Diplomati numër një i Uashingtonit në Prishtinë kërkon rikthimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe mbështet strategjinë e ICO-së dhe qeverisë “Thaçi”

 

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, i ka garantuar mbështetje qeverisë dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare në rikthimin e sundimit të ligjit në veri të vendit. Pas kritikave të mëparshme në lidhje me mungesën e një varg ligjesh thelbësore për funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ambasadori Dell tha se është e rëndësishme që këto ligje të miratohen nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti, ndërsa zbatimi i tyre të bëhet në të gjithë territorin e Kosovës. “Për këtë arsye, ne mbështesim plotësisht planin e qeverisë dhe të ICO-së për intensifikimin e punës në kthimin e veriut të vendit në sistemin e këtij shteti, me theks të veçantë te sundimi i ligjit. Strukturat e krimit të organizuar dhe të ashtuquajturat struktura paralele bashkohen me një fjalë: joligjshmërinë”, - tha Dell, duke shtuar se një pjesë e mirë e axhendës për sundimin e ligjit është që të sigurohet që ligji, në mënyrë të barabartë, të zbatohet në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës. Këto deklarata ai i bëri pas nënshkrimit të një memorandumi të mirëkuptimit për mbështetjen e SHBA-ve në ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës me ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e qeverisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, ndër të tjera, parashikon edhe krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore dhe zgjedhjen e udhëheqësve komunalë përmes organizimit të zgjedhjeve lokale brenda këtij viti. Dell përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës për rikthimin e sundimit të ligjit në veri dhe duke folur për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, ai shprehu bindjen se decentralizmi do të shërbejë si një shans i mirë për integrimin e serbëve të veriut. “Kemi parë një shembull të përkryer për atë që qytetarët e zakonshëm serbë dëshirojnë, në nëntorin e kaluar. Ata duan një shans për të rikthyer kontrollin mbi jetën e tyre dhe qeverisjen e jetës së tyre, gjëra të cilat, përmes decentralizimit, ua ofron Pakoja e Ahtisarit dhe Qeveria e Kosovës. Ne thjesht po u ofrojmë njerëzve atë që duan dhe besojmë që ata do të vijnë dhe do ta pranojnë atë”, tha diplomati amerikan. Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës pati nxitur reagime të ashpra në Prishtinë të autoriteteve vendore, si dhe të atyre ndërkombëtare. Sidoqoftë, imponimi, si mundësi për zbatimin e strategjisë për veriun, u hodh poshtë ditë më parë edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së Beogradit zyrtar në konsultat për zbatimin e këtij dokumenti. Dell theksoi nevojën për respektimin e integritetit territorial dhe funksionimin e një sistemi qeverisës në Kosovë, gjë që, siç theksoi ai, mundësohet edhe nga Rezoluta 1244, të cilën e respektojnë edhe shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. “Përpjekjet e Beogradit për të riimponuar një sistem të drejtësisë këtu, përbën një shkelje të qartë të Rezolutës 1244. Nuk njoh asnjë shtet, madje as ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që nuk e njeh këtë”, - tha Dell. Rëndësinë për funksionimin e vetëm një sistemi ligjor në Kosovë e theksoi edhe ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. “Nuk e pranoj qëndrimin e strukturave paralele apo të tjerëve që kanë ambicie ta ndajnë sistemin gjyqësor në sistem tjetër. Krejt ajo që del jashtë sistemit gjyqësor, të ndërtuar me Kushtetutë, me Pakon e Ahtisarit, me ligjet e Kosovës, është joligjore dhe nuk obligon”, tha Kelmendi.

 

 

 

Gjukanoviç: Uashingtoni nuk bëri presion për Kosovën

 Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka mohuar se vizita e tij në Uashington ka të bëjë me vendosjen marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Kryeministri malazez ka thënë se askush në Uashington nuk ka insistuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve fqinjë. Në një intervistë për gazetën serbe "Danas", Gjukanoviç ka deklaruar se Mali i Zi kishte planifikuar vendosjen e marrëdhënieve të plota me Kosovën edhe më herët, por këtë e nuk e ka bërë për shkak të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. Ai ka shtuar se për Beogradin ishte e rëndësishme që në këtë plan të mos bëhej asgjë, deri në paraqitjen e argumenteve për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para kësaj gjykate. “Por tashmë kjo fazë ka përfunduar dhe Mali i Zi konsideron se duhet vepruar në pajtim me vendimin të cilin ky shtet e ka marrë para më shumë se një viti”, - tha Gjukanoviç. Kryeministri malazez ka theksuar se në rastin e vendimit për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën kanë mbisunduar vlerësimet se në këtë mënyrë po respektohet realiteti politik, i cili është e pamundur të ndryshohet. Ndërsa duke komentuar marrëdhëniet ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit, Gjukanoviç tha se problem evident është se një pjesë e opinionit në Serbi ende nuk është i gatshëm të pranojë se Mali i Zi me të vërtetë është i pavarur dhe e zhvillon politikën e tij, në pajtim me vlerësimet e interesave nacionale.

 

 

Policia ndalon edhe zëvendësin e Bogdanoviçit

Policia e Kosovës ndaloi dje një delegacion qeveritar të Beogradit, i cili kishte hyrë në Kosovë dhe po zhvillonte aktivitete politike, pa leje të autoriteteve të Prishtinës. I ashtuquajturi ndihmësministër për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Borislav Ristiç, është ndaluar nga policia në rajonin e Pejës. Siç pohoi për “Express” zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, Ristiç u dëbua dhe u përcoll për në kufirin me Serbinë. Ndërkohë, mediat lokale serbe raportuan se delegacioni nga Beogradi ndodhej në një takim me serbët e kthyer në fshatin Dersnik të Klinës. “KiM Radio” raportoi se, përveç Ristiç, u ndaluan edhe përfaqësuesi i kësaj ministrie: Borislav Tajiç, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, Miladin Gjuroviç, i ashtuquajturi kryetar i komunës së Klinës, Svetislav Dabizhleviç, si dhe një përfaqësues i serbëve të kthyer në fshat. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, deklaroi se të ndaluarit u shoqëruan për në stacionin policor të Klinës, ku dhe u morën në pyetje. Më 13 janar, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës pati ndaluar ministrin Goran Bogdanoviç, ndërsa po zhvillonte aktivitete politike në Shtërpcë, pa marrë leje nga autoritetet në Prishtinë. Ai u shoqërua deri në Merdar dhe delegacioni i tij, u dëbua nga Kosova. Por Bogdanoviç, pasi kishte dalë në zonën neutrale, u kishte deklaruar gazetarëve se “Kosova është territor i Serbisë” dhe se ai kurrë nuk do të kërkojë leje për të shkuar atje.

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 586 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive