Kuvendi: Ngjarja e rëndë, atentat vendit. PS: Topalli po na bën gazin e botës
Komisioni i Rregullores së Këshillit të Europës vazhdoi kredencialet e Shqipërisë. Në Tiranë, PS dhe PD akuzuan njëra-tjetrën se po pengojnë integrimin dhe se po e nxijnë Shqipërinë
Këshilli i Europës lejoi vazhdimin e kredencialeve të Shqipërisë në këtë organizëm, pas vendimit të marrë dje nga Komisioni i Rregullores, Imuniteteve dhe Mandateve. Vazhdimi i kredencialeve u shoqërua në Tiranë me akuza të ndërsjella mes Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Socialiste të tri herë kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Socialistët gjykojnë se janë cënuar në anëtarësinë e përhershme të delegacionit, nga 2 që kishin legjislaturën e shkuar në 1 tani, ndonëse numrin e deputetëve e kanë më të madh, 65.
Votimi
Për herë të dytë brenda vitit, delegacioni i Kuvendit u përball me verifikimin e anëtarësisë së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. KRRIM (Komisioni për Rregulloren, Imunitetet dhe Mandatet) shqyrtoi dje kredencialet e Shqipërisë pas dyshimeve në përbërjen e delegacionit. Dyshimet lindën, pasi në delegacion u vendosën emrat e deputetëve Kastriot Islami (PS) dhe Shpëtim Idrizi (Partia për Drejtësi dhe Unitet). KRRIM e shqyrtoi çështjen një ditë pas bllokimit dhe pezullimit të votë së Shqipërisë në sesionin e parë vjetor. Anëtare e KRRIM-së, deputetja e PD-së Lajla Përnaska tha dje në mesditë, se kredencialet ishin zhbllokuar me votë të njëzëshme në këtë strukturë në Strasburg. “Në unanimitet të plotë komisioni mbështeti kredencialet e Shqipërisë. Kjo ishte procedurë rutinë e komisionit. Ditën djeshme (të hënën) u bë një kontestim i qëllimshëm, i ndikuar nga skenar politik”, - tha Përnaska, duke bërë përgjegjës kryesocialistin. Opozitarët në Tiranë thanë se emrat e tyre në delegacion ishin përcaktuar në kundërshtim me rregulloren dhe me “përzgjedhje” të kryekuvendares Jozefina Topalli. Në janar 2009, KRRIM shqyrtoi përjashtimin nga Kuvendi i Shqipërisë të kryetarit të delegacionit në KE, Aleksandër Biberaj dhe zëvendësimin e tij me Ilir Rusmalin, që mbetet në këtë funksion.
Socialistët
Opozitarët vërejtën me keqardhje se Kuvendi drejtohet nga njerëz me mendësi komuniste, që “shpikin armiq për Shqipërinë”. Deputetja Mimi Kodheli tha se kryekuvendarja Topalli kishte shkelur rregulloren dhe se nuk u këshillua me krerët e grupeve partiakë. Sipas Kodhelit, në rast mosmarrëveshjesh për emërimet, duhet votim në Kuvend. “Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por edhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një”, - tha ajo. Kodheli citoi letrën informuese që PS-ja i dërgoi KE për respektim të rregullores, që sipas saj, “Topalli e ka shkelur me të dy këmbët”. “Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 7, pika 3, kKryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend. Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por dhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një. Opozita e drejtuar nga socialistët ka pasur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme, megjithëse ka pasur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. E njëjta gjë ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist. Ky akt dhunon gjithashtu nenin 6 (Kredencialet) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, - tha Kodheli. Ajo theksoi se Topalli “po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë” dhe se “ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë”.
Kuvendi
Jozefina Topalli sulmoi socialistët dhe i fajësoi se punojnë kundër integrimit. Sipas Topallit, Strasburgu vërejti se “nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare” dhe se “kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”. Topalli tha se një letrës e sekretares së Marrëdhënieve me Jashtë të PS-së, Arta Dade, dërguar KE-së, dëshmonte se opozita po dëmtonte interesat e vendit. “Më datë 24 janar, PS nëpërmjet kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e PS, firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht KE, heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare, “de facto” përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm. Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht PS-ja mashtron KE, kur thotë se “kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcionalitetin në përbërjen e delegacionit”, tha ajo. Topalli nuk iu shmang dot të shkuarës kur kujtoi anëtarësimin e Shqipërisë në KE. “15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i PS-së, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës, se “molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës në vitin 1995. Në cilësinë e kryetares së Kuvendit, nuk i garantoj dot shqiptarët se të njëjtët shokë dhe shoqe në Partinë Socialiste apo jashtë saj, nuk do të bashkohen për t’i bërë Shqipërisë të njëjtin atentat për herë të katërt, të pestë apo të gjashtë. Ajo për të cilën unë garantoj shqiptarët, është se besueshmëria e vendit kredencialet e tij në çdo organizëm ku ne marrim pjesë, do të ratifikohen gjithnjë, po me votë unanime”, tha Topalli. Ajo akuzoi Ramën se kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga KE dhe po ashtu nga lehtësimi i regjimit të vizave.
-
1548 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg