“Zhurmat” e shoqërisë dhe “pagjumësia” e individit…
Nuk e kam fjalën për zhurmat fizike që ndeshim përditë në rrugët tona, as për zhurmat kakofonike muzikore që bëhen në lokalet e natës në Tiranë dhe qytetet të tjera metropolitane. Nuk është fjala as për “pagjumësinë e qytetarit” që vjen nga ndotja akustike e përmasave gati alarmante. Është fjala për “zhurmën sociale” dhe për “pagjumësi individuale” që po përjetojnë njerëzit tanë. Ky është një problem i përzier i jetës së shoqërisë tonë, që shfaqet si dukuri e komplikuar në formën e aliazhit socio-filozofik, që ka të bëjë me raportet e ndryshuara, midis njeriut dhe shoqërisë, që lidhet me vështirësitë e adoptimit të tyre reciprok. Jeta jonë po bëhet shumë dinamike, konkurenciale, e zhurmshme, kaotike, shpesh pa rregulla të qarta sociale, të cilat po ndikojnë në atë situatë të vështirë në të cilën njeriu “mbetet pa pagjumë”. Është një veçori universale e jetës dhe shoqërisë moderne, që shfaqet kudo. Por ne, ngaqë për gjysmë shekulli jetuam në një shoqëri totale që e vuri njeriun në gjumë, nga që shteti pretendonte të zgjidhte të tërë problemet social-ekonomike të njeriut, “që nga djepi deri në varr” jemi të shqetësuar nga “pagjumësia” që përjetojmë. Asgjë nuk mund të bënim individualisht, sepse çdo gjë ishte në duart e të tjerëve, ndaj përgjithësisht kemi qenë të gjithë si popull gati në “gjumë letargjik”.
Tani, në këto dy dekada ne po përballemi me situata të vështira sociale dhe individuale, që po na lënë gjithnjë e më shumë “pa gjumë”. Ky është një problem ekzistencial, që ka të bëjë me çdo njeri dhe që shfaqet në jetën e secilit prej nesh, si një raport jetësor i vështirë, i ngatërruar midis çdo njeriu që është dhe shfaqet në jetën private si “subjekt” dhe shoqërisë që e rrethon si “objekt” që i krijon vështirësi dhe e lë “pa gjumë”. Kjo luftë është tashmë e qartë në jetën e çdo shqiptari dhe në çdo rast konceptualisht dhe empirikisht, shfaqet si betejë e përditshme ekzistenciale, midis përpjekjeve jetike të subjektit të njeriut të veçantë dhe “zhurmave” të shoqërisë. Në këtë përplasje nuk ka më qetësi, garanci, siguri, sukses të padiskutueshëm, sepse jeta jonë është vërtetë më e lirë, më e bukur, por është çdo ditë është “më e pasigurt”. Është kjo situatë që ka bërë, që tek shumë njerëz ka filluar të sjell shqetësim dhe “pagjumësi” (jo në kuptimin e gjumit fizik në shtrat, por në kuptimin filozofik, si mungesë stabiliteti, qetësie, sigurie dhe aftësie përshtatëse me shoqërinë tonë). Teza se njeriu në shoqërinë dhe jetën moderne mbetet pa gjumë nuk është e re, sepse “pagjumësia” është dukuri sociale e zbuluar nga zhvillimet në realitetin empirik të shoqërive të perëndimit që në shekullin e kaluar. Por tani pagjumësia e njeriut është bërë më shqetësuese, më e thellë, me pasoja individuale më të prekshme, më shkatërruese. Problemi është sa material aq dhe filozofik, psikologjik dhe patologjik, i cili duhet vlerësuar me seriozitet për të mbrojtur njerëzit tanë nga “rreziqet e pagjumësisë”.
Këtë çështje e ka trajtuar me mjeshtëri në mesin e shekullit të kaluar filozofi i shquar francez Emmanuel Levinas, dhe më duket se idetë e tij edhe tani pas vdekjes (ka vdekur në 1995) është bërë një ndjenjë që vepron më në gjerësi sociale, më thellë individualisht dhe në situata më akute në jetën e njerëzve tanë. Kur flasim për “njeriun e pagjumë”, është fjala për vështirësitë e jetës së përditshme me të cilat po përballen njerëzit tanë, në betejën e tyre si “subjekt” në raport me shoqërinë shqiptare si “objekt”. Nuk ka dyshim njerëzit tanë po ndeshen me shumë vështirësi ekonomike, sociale e morale. Ne nuk jemi qenie të izoluara që të jetojmë të veçuar nga shoqëria, apo siç thotë Levinasi “në kufijtë e qenësimit jopersonal”. Kjo do të thotë që, sado modern, liberal dhe individualist të bëhet njeriu, sado njerëzit tanë të luftojnë për të qenë të vetëmjaftueshëm (gjë shumë e mirë dhe tipar esencial i njeriut të suksesshëm), sado të luftojë i vetmuar, nuk mund t’i ikin determinizmit social të shoqërisë. Pikërisht kjo situatë e ndryshuar në shoqërinë tonë, ky “ekuacion i përmbysur” i raportit midis vetes dhe shoqërisë, midis qenies së njerëzve tanë të përveçëm si subjekt dhe shoqërisë shqiptare si “objekt i përbashkët”, zhvillohet ajo situatë individuale që përjetohet nga secili prej nesh, të cilën Levinas e quan “pagjumësi”, e cila sipas tij, është një gjendje e vështirë neurotike e njeriut, e cila nuk e lë atë të tërhiqet brenda vetes dhe të “bjerë në gjumë”.
Nuk besoj se ka më njerëz në shoqërinë shqiptare që të jetojnë të qetë, që të mos përjetojnë shqetësime, që vijnë nga raportet delikate me veten dhe shoqërinë shqiptare. Tani “pagjumësia” është bërë ndjenjë e përditshme e njerëzve tanë, e cila shfaqet tek të gjithë në forma të ndryshme. Por në esencë “pagjumësia” është gjendje e shqetësimit permanent që e përjetojnë të gjithë individualisht dhe në familjet tona, që na vijnë nga përballja me “zhurmat sociale”, me reformat e papërfunduara, debatet e mëdha politike e morale, që kanë mbështjellë shoqërinë tonë, në këtë fazë të ndryshimeve të shumë koncepteve dhe zakoneve tradicionale. Kjo situatë tranzitive e shton më shumë intensitetin e zhurmave sociale dhe të pagjumësisë te ne shqiptarët, sepse ato në njëfarë mënyre na “diktojnë” që të çdo njeri të bëjë që në jetën e vet, brenda qenies së tij, sipas veçorive të individualitetit dhe personalitetit vetjak, të mos udhëhiqet nga parimet morale dhe vullneti i tij i lirë, por nga zhurmat deterministe të shoqërisë, të cilat ende janë me tone diktuese të larta dhe shqetësuese.
Në këtë kontekst, “pagjumësia” si ndjenjë është bërë jashtëzakonisht e përhapur në jetën e njerëzve tanë. Madje me siguri që në të ardhmen sa më moderne të bëhet shoqëria shqiptare, aq më të mëdha do të jenë zhurmat sociale dhe po aq i shqetësuar dhe i pagjumë do të jetë njeriu, pikërisht për shkak se, ndërsa në dukje na krijohet ideja e shoqërisë me “liri në zgjerim”, në të vërtetë jo vetëm te ne, por edhe në shoqëritë e perëndimit, duket se gjithnjë e më shumë zvogëlohen mundësitë e pavarësisë së njeriut në vendimmarrjet e tij. Por te ne për shumë shkaqe historike, ontologjike, sociale e kulturore, shpesh situata e raporteve të njeriut me shoqërinë bëhet kaq neurotike, saqë “kostoja e pagjumësisë” që paguajnë njerëzit tanë është përtej normalitetit të “konceptit filozofik”. Sepse analiza e realitetit imediat të marrëdhënieve të njerëzve tanë me shoqërinë është e tillë, shpesh jashtë “standardeve të modernitetit” që e bëjnë njeriun tonë, vërtet mbetet pa gjumë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë, më autentik dhe fizik të fjalës. Sa më shumë njeriu të humbasë aftësinë që të ketë idetë e veta në jetë, mundësitë që t’i realizojë ato në shoqëri, aq më shumë do të jetë i varur nga shoqëria, nga mundësitë dhe zgjidhjet e saj të kufizuara, të cilat natyrshëm bëjnë njeriun qenie të shqetësuar, “njeri të pagjumë”.
Pagjumësia në shoqërinë tonë në shumë raste është e lidhur me faktin se po shtohen njerëzit, të cilët nga që nuk kanë mundësi të kenë mundësitë realizuese për jetën personale, nga që ndihen të pafuqishëm, detyrohen të pranojnë dhe t’i nënshtrohen pasivisht “dorës sociale” ose presionit marginalizues të shoqërisë. Këtu nuk është fjala vetëm për të varfrit, që përbëjnë pjesën më të madhe të grupit social që janë pa gjumë, nga që nuk kanë kushte dhe mundësi ekonomike, që të “tërhiqen” nga mbështetja financiare e shoqërisë dhe të garantohen me forcat e tyre brenda vetes. Por këtu është fjala edhe për shtresa, grupe sociale dhe individë që kanë probleme të theksuara të përshtatjes personale në grupin social, në familje, apo që jetojnë në vartësi të dipendencave me natyrë normale apo patologjike. Të gjithë këta individë nga që janë të pafuqishëm që të orientohen në jetë të lirë, të jetojnë sipas vullnetit të tyre, janë të detyruar të jetojnë nën vartësinë dhe presionin e shoqërisë. Dhe kjo situatë sociale dhe gjendje personale i lë ata pagjumë. Ata janë “të pagjumë”, ngaqë jetojnë “jashtë vetes”, në vartësi të të tjerëve, qoftë kjo edhe shoqëria e marrë si tërësi. Sa më të brishtë të jenë njerëzit tanë si subjekte, aq më shumë të “pagjumë” do të shfaqen në jetën e përditshme. Kjo është pagjumësi që lidhet me mungesën e aftësisë për të afruar dhe përshtatur “ekzistencën e tyre” me “ekzistuesen” me mundësitë e shoqërisë shqiptare.
Pagjumësia është ndjenjë individuale që qëndron në kapërcyell dhe që shfaqet si përgjegjësi e përbashkët e njeriut dhe shoqërisë tonë, që nuk zgjidhet me shikime të njëanshme, qoftë liberale apo individualiste që bëjnë përgjegjës për “pagjumësinë” individin dhe lënë jashtë përgjegjësinë “zhurmat sociale” që vijnë nga jashtë dhe e lënë njeriun pa gjumë. Nuk ka dyshim që shoqëria shqiptare sa më moderne do të bëhet, aq më shumë neurotike, e shqetësuar, e papërcaktuar do të jetë jeta e njerëzve tanë. Për këtë nuk ka pse të dyshojmë. Simptomat e patologjive sociale, shfaqjet e mungesës së drejtpeshimit individual, janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Njerëzit po bëhen më shumë neurotikë, të pastabilizuar, në konflikt me veten dhe të tjerët. Konflikte që fillojnë në familje, në komunitet dhe në jetën e përgjithshme të shoqërisë. Është e vështirë që njeriu të jetojë i qetë me “veten”, në kushtet kur marrëdhëniet e tij me të tjerët me shoqërinë po bëhen gjithnjë e më shumë të lodhshme, intensive, konfliktuale. Kjo situatë që zhvillohet jashtë tij, përtej arsyes së tij, jashtë dëshirës së tij janë shkaqe sociale që e bëjnë të “mbetet pa gjumë”.
Nuk mund të flesh brenda vetes, në një kohë që shoqëria është e potershme, plot zhurmë e intensitet, që nuk e lë njeriun të qetë. Jo vetëm Levinasi, por edhe Hajdegeri para tij e kanë parashikuar këtë realitet të “pagjumësisë së njeriut”, e cila rrjedh në logjikën e saj, por që nuk është gjithnjë koherente me njeriun, veten e tij, mënyrën personale të të menduarit dhe të jetuarit. Padyshim në shoqërinë tonë sot nuk është e mundur që njeriu të tërhiqet, të mbyllet në rehatinë e tij, të bjerë në gjumë dhe të mos shqetësohet nga zhurmat e forta të shoqërisë shqiptare që gëlojnë në politikë, ekonomi, moral të cilat buçasin në veshët e tij. Shoqëria shqiptare ka marrë rrugën liberale dhe do të bëhet me siguri gjithnjë e më shumë individualiste, e mbështetur në kompeticionin permanent të njeriut që synon të jetë i suksesshëm, fitimtar, sfidues. Këto sfida njeriu nuk i realizon asnjëherë jashtë shoqërisë apo as kundër saj. Ca më pak ato nuk realizohen, nëse njeriu “bie në gjumë”, tërhiqet brenda vetes, duke jetuar i mbyllur, i izoluar nga sfidat, të papriturat dhe “zhurmat” e shoqërisë shqiptare. Koha kërkon që t’i mësojmë njerëzit tanë, veçanërisht të rinjtë, që të mendojnë ndryshe. Shumë të rinj, por jo vetëm, ngaqë e mendojnë gabim aksin social të shoqërisë, tërhiqen nga lufta për shkak të vështirësive dhe bien në gjumë. Ndaj po krijohen njerëz dhe grupe sociale që nuk kuptojnë se në këtë jetë nuk ka gjëra definitive, përfundimtare, të sigurta. Ne do të jemi gjithnjë e më shumë “të pagjumë”, sepse jemi futur në betejën e familjarizimit me parametrat e jetës moderne, që e sjell suksesin jo duke fjetur, por duke u përplasur me vështirësitë e jetës, me pengesat e shoqërisë. Pagjumësia thonë sociologët edhe filozofët ka një të mire, sepse ai është “mjeti” që na që na detyron të ballafaqohemi me të tjerët…
Gëzim TUSHI
-
908 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg