Rama, Berishës: “Hap kutitë, përpara se të detyrojë populli opozitar të largohesh megjithë kutitë”
Kreu socialist thotë se protesta që nis sot nuk do të jetë e fundit. Ai paralajmëron një vendim të dytë për qëndrimin që do të mbahet në fund të protestës treditore
Kreshnik KUÇAJ
Tri herë gjatë ditës dhe me përfundime te qarta kushtetuese dhe politike Edi Rama i kujtoi qeverisës së kryeministrit Sali Berisha, pushtetit të koalicionit PD-LSI se populli opozitar nuk do të bëjë lëshime në të kërkuarit e së drejtës për numërimin e votës dhe kthimin e demokracisë në vendi.
Mbrëmë pas dëgjimit nga Kuvendi të atyre që i quajti “shfaqje vulgariteti” të drejtuesve qeveritarë që i thirri “Saliu” dhe “Iliri” referuar kryeministrit Berisha dhe zëvendësit të tij Meta, Edi Rama nga selia e PS-së kujtoi se hapja e kutive është e vetmja rrugë që konfirmon vullnetin e nëpërkëmbur dhe votën e manipuluar e të deformuar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. “Thirrja ime është: mos u kap pas mikut të huaj që ke parë në ëndërr. Por hapi kutitë përpara se sa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë”-tha Rama. Ai iu referua kryeministrit, që e citoi të ketë thënë se një mik i ka këshilluar të mos hapë kutitë. Rama iu drejtua gjithashtu kryeministrit për të mos “gënjyer” sikurse u shpreh sepse shtoi që “të të vijë turp që sa më shumë plakesh, aq më shumë gënjen e abuzon me të vërtetën”. “Ka të ngjarë të më ngatërrosh me veten, por asnjëherë nuk kam sharë një njeri të familjes tënde. Sigurisht, kam thënë dhe e them, e do ta them përsëri: që interesat ekonomike e financiare të familjes tënde diktojnë qeverisjen e vendit, më shumë se interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi. Kjo është diçka e provuar, që provohet përditë e më shumë, e që e gjithë Shqipëria e ka mësuar dhe e mëson çdo ditë, jo falë fjalëve të mia, por falë bëmave të tua”-tha ai. Rama i kujtoi gjithashtu Berishës së “gjatë tërë jetës tënde i ke shërbyer diktaturës dhe komunizmit, madje je angazhuar dhe ke marrë pjesë drejtëpërdrejtë në persekutimin dhe internimin e njerëzve të pafajshëm. Pastaj kur Shqipëria ishte në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian e çove në humnerat e piramidave, duke vonuar një dhjetëvjeçar rrugën e saj drejt NATO dhe BE. Kurse sot, je përgjegjësi kryesor për vonesën e Shqipërisë që ka mbetur e fundit në Europë qoftë për heqjen e vizave, qoftë për aplikimin për t’u bërë “kandidat”-tha Rama. Ai kishte paralajmëruar më herët se protesta treditore që fillon sot në 16:00 në Sheshin “Skënderbej” nuk do të jetë e fundit. “Nesër (sot) nis një manifestim i madh popullor. Pas kësaj, një pjesë do të qëndrojë aty për një periudhë të paracaktuar dhe në fund të asaj periudhe do të ketë një tjetër vendim, në funksion të një rezultati që do ta kemi pas periudhës së paracaktuar për këto manifestime”, i tha Rama rrjetiti televiziv “Top Channel” më parë. Duke u dhënë një përgjigje krerëve të mazhorancës që pretendojnë të kundërtën, Rama tha se rruga e protestave është një dëshmi se Partia Socialiste është në krye të detyrës së saj për të qenë një fuqi e madhe shqiptare e një ndryshimi radikal. “Një pushtet i vjedhur që qëndron në këmbë në mënyrë të paligjshme, kërkon ta kthejë Shqipërinë në skemë të mbyllur dhe të instalojë në mënyrë përfundimtare një regjim të korrupsionit. Kemi të përndjekurit që janë tallur e përbuzur për vite me radhë, pa harruar atë katastrofë kombëtare që po ndodh me pronat publike dhe private. Sali Berisha bën një ftesë për festë, sepse e la Shqipërinë në klasë, si nxënësit më të keq të Europës, ndërkohë që bujarisht u pranuam në një provim që Sali Berisha nuk ka asnjë gjasë të kalojë dhe ne do të bëjmë gjithçka që na takon, duke filluar nga nesër (sot), të përshkallëzojmë protestën tonë në emër të një integrimi, i cili duhet të fillojë dhe të realizohet përmes standardeve europiane këtu në vend”, tha Rama. Ai ka vazhduar për të dytën ditë radhazi shpërndarjen e ftesave, që qytetarët t’i bashkohen protestës së sotme. Kreu socialist ka vijuar takimet “derë me derë”, teksa ka takuar qytetarët e lagjes së “Kombinatit”, duke iu shpërndarë atyre ftesën për pjesëmarrjen në miting.
-
1761 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg