Evis Mula shkon “La Scala”, pasi fitoi “Marie Krajën”
Fituesja e Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit, mexosopranoja Evis Mula dhe kosovarja Besa Llugiqi ftohen nga drejtori Luca Targetti në “La Scala”
Lajmet e mira nuk kanë përfunduar vetëm me shpalljen e fituesve. Pas spektaklit të ofruar nga producentja Zana Çela, drejtori artistik i teatrit “La Scala” në Milano ka ftuar zyrtarisht fituesen Evis Mula dhe sopranon kosovare Besa Llugiqi në teatrin me famë botërore. Dy vajzat e veçuara nga drejtori i “La Scala”-s, si zërat më premtues të këtij edicioni, do të nisen brenda pak ditësh për një audicion në skenën aq të lakmuar për artistët e rinj dhe jo vetëm. Një mbrëmje gala, e mbushur me emocionet e një konkursi ndërkombëtar dhe shumë spektakël, ka qenë ajo çfarë ka ofruar nata finale e edicionit të dhjetë të Festivalit Operistik “Marie Kraja”. Të dielën në mbrëmje është mbyllur edicioni i radhës i festivalit, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, dhe producentja dhe prezantuesja e tij, Zana Çela, ka ofruar në sallën e Akademisë së Arteve jo vetëm një garë të madhe, por edhe një spektakël të vërtetë nën regjinë e Pali Kukes. Për më shumë se tri orë, përveç interpretimit të shkëlqyer të dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria ndërkombëtare, e diela është kthyer në një natë festive, kulmi i së cilës është shënuar në momentin e ndarjes së çmimeve të mëdha për këtë vit. Në këtë jubile, çmimin e madh që mban emrin e yllit të skenës tonë e ka fituar një shqiptare. Juria ndërkombëtare e drejtuar nga Joan Matabosch, drejtor artistik i teatrit të Barcelonës, ka votuar për sopranon Evis Mula, si më të mirën e edicionit të dhjetë të festivalit “Marie Kraja”. Çmimin e dytë e ka fituar baritoni italian Francesco Landolfi, ndërsa të tretin sopranoja amerikane Michelle Trovato. Por lajmet e mira nuk kanë përfunduar vetëm me shpalljen e emrave të fituesve. Pas spektaklit të ofruar mbrëmjen e së dielës nga producentja Zana Çela, drejtori artistik i teatrit “La Scala” në Milano ka ftuar zyrtarisht fituesen Evis Mula dhe sopranon kosovare Besa Llugiqi në teatrin me famë botërore. Dy vajzat e veçuara nga drejtori i “La Scala”-s si zërat më premtues të këtij edicioni, do të nisen brenda pak ditësh për një audicion në skenën aq të lakmuar për artistët e rinj dhe jo vetëm. Kështu pra, ende pa përfunduar mirë, Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja” ka hapur dyer të reja mundësish dhe ka ngritur ura bashkëpunimi. Dy sopranot e talentuara që interpretuan me sukses në skenën e “Marie Krajës” kanë fituar një biletë për në Milano, prej nga, të gjitha gjasat janë, që të përfitojnë mundësi të jashtëzakonshme për karrierën e tyre. Targetti ka mbajtur në këtë mënyrë edhe premtimin që dha kur sapo shkeli në tokën shqiptare. Ai u shpreh se jo vetëm që e kishte planifikuar me kohë pjesëmarrjen e tij në festivalin e organizuar nga producentja e njohur shqiptare, por edhe se do t’i gjykonte me kujdes konkurrentët e këtij viti, në mënyrë që të veçonte zërat më të talentuar, për t’u krijuar mundësitë për të shkuar më tej. Ndërkaq, në finalen e së dielës, producentja dhe prezantuesja e festivalit, Zana Çela, ka ofruar në sallën e Akademisë së Arteve jo vetëm një garë të madhe ndërkombëtare, por edhe një spektakël të bukur mbi një skenë madhështore, për skenografinë e së cilës kishte menduar Bashkim Zahaj. Për më shumë se tri orë, përveç interpretimit të shkëlqyer të dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria ndërkombëtare, mbrëmja ka qenë edhe një udhëtim retrospektivë nëpër dhjetë vitet e “Marie Krajës”. Një material i pasur filmik, pasazhe me fituesit e shumtë ndër vite dhe mbi të gjitha, një homazh për të madhen Marie Kraja, emrin e së cilës mban ky festival, kanë përcjellë te spektatorët emocione të veçanta. Kanë parakaluar kështu përpara publikut pamjet e mbrëmjes së 22 janar të vitit 1999, kur u ngrit sipari i një ngjarjeje të pazakontë për ambientet artistike të kohës. Atë mbrëmje të ftohtë dimri, festivali (atëherë) kombëtar i vokalit operistik ngrohu skenën e mpirë të Teatrit të Operës dhe të Baletit me zërat e këngëtarëve të rinj shqiptarë. 20 soprano, tenorë, basë dhe baritonë patën fatin të ishin në një sfidë jetike për karrierën e tyre, që do të vlerësohej për herë të parë nga një juri ndërkombëtare. Ishte koha kur opera shqiptare kishte divat e saj, kishte zërat që vinin nga një epokë e shquar dhe që me pasion e këmbëngulje i jepnin jetë skenës kombëtare. Por koha kërkonte më shumë. Sepse historia kishte mbetur te lavdia e të mëdhenjve, por pa gjetur dot një trashëgimtar të vetëm mes brezave të rinj. Në këtë gjendje amullie, kur publiku kërkonte vazhdimësinë, ndërsa skena protagonistët e saj të rinj, lindi festivali “Marie Kraja”, një iniciativë e guximshme e Zana Çelës, e cila me mbështetjen e fortë të një grupi artistësh, hodhi hapin për të kapërcyer ngërçin që skena kombëtare nuk e meritonte. Me këtë atmosferë të kësaj ngjarjeje, të kthyer tashmë në traditë, që sivjet festoi vitin e dhjetë të jetës, janë shfaqur copëza interpretimesh nga fituesit ndër vite të “Marie Krajës”, duke filluar që nga fituesja e edicionit të parë, Mariana Leka, e deri tek ai i edicionit të nëntë, baritoni Michael Anthony McGee, fitues i edicionit të kaluar.
Përveç retrospektivës, në skenën e “Marie Krajës” këtë vit u ngjitën edhe shumë të ftuar. Ka përshëndetur festivalin Ramë Lahaj, fituesi i çmimit të tretë të edicionit të kaluar. Një interpretim emocionues kanë ofruar edhe solistët e Teatrit të Operës dhe Baletit, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, të cilët kishin krijuar një koreografi enkas për këtë natë, mbi tingujt e jares së njohur shkodrane “Për mue paska kenë kismet”. Ndërsa dhjetë finalistët kanë sjellë në skenë një minispektakël më vete, me interpretimin e secilit prej tyre nga një këngë të njohur nga vendi i tij. Madhështia e spektakli ka arritur kulmin, kur të gjithë bashkë, të shoqëruar edhe nga dy fitueset ndër vite të “Marie Krajës”, sopranoja Mariana Leka dhe Eriona Gjyseli, kanë interpretuar jaren e famshme shqiptare “Ta dish”.
Me të tillë atmosferë festive, edicioni i dhjetë i festivalit “Marie Kraja” ka nxjerrë edhe këtë vit fituesin e vet. Në këtë mënyrë, themeluesja e festivalit, të vetëm në llojin e tij në Shqipëri “Marie Kraja”, producentja Zana Çela, e ka çuar deri në fund sfidën e radhës. Për dy net ajo ka ngjitur në skenë 20 konkurrentë të ardhur nga të pesë kontinentet, të cilët garuan për çmimin e madh që mban emrin e artistes që themeloi operën shqiptare, Marie Kraja. Çmimi i këtij festivali, i ngritur si institucioni më i rëndësishëm i muzikës operistike shqiptare, këtë vit ka mbetur në Tiranë. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera në të shkuarën, juria ka vendosur që shanset t’i jepen një sopranoje shqiptare. Ajo e këtij viti quhet Evis Mula, dyert për të cilën u hapën ende pa përfunduar edicioni i dhjetë i “Marie Krajës”.
-
1145 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg