Haiti, i gjithë ishulli në kaos
Pas tërmetit
Kutërbimi i kufomave mbulon rrugët e Port-au-Prince, ndërsa të mbijetuarit arratisen nga kryeqyteti. Nisin plaçkitjet e vrasjet
Rrëmujë e shkatërrim, kaos total edhe në qytetet e tjera të Haitit, përveç kryeqytetit Port-au-Prince ku janë përqëndruar deri më tani ndihmat dhe vëmendja e autoriteteve dhe ndërkombëtarëve pas tërmetit të tmerrshëm që goditi të martën e kaluar ishullin. Ekipi I BBC-së, raportoi nga Leogane, 19 km në perëndim të Port-au-Prince, duke përshkruar skena “apokaliptike” me mijëra vetë të pastrehë, pasi thuajse asnjë ndërtesë nuk ka mbetur në këmbë. Sipas OKB-së, gati 90 për qind e ndërtimeve atje është shkatërruar. Por pas shkatërrimeve dhe kaosit, sa vjen dhe rritet frika e plaçkitjeve dhe dhunës në kryeqytet. Policia ka njoftuar se nëpër rrugë ka banda të shumta kriminale. Agjentët hapën madje zjarr kundër një grupi hajdutësh, duke vrarë një prej tyre. viktima u qëllua me armë në kokë nga forcat e rendit, ai dhe disa plaçkitës të tjerë kishte hyrë në një magazinë me produkte ushqimore. Tërmeti i 12 janarit ka lënë të lirë rreth 3 mijë të dënuar, (për shkak të shembjes së burgjeve) disa prej të cilëve kriminelë mjaft të rrezikshëm.
Vazhdojnë kërkimet
E ndërkohë kanë vazhduar kërkimet nën gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara, dhe dje në mëngjes tre persona u nxorrën të gjallë nga mbeturinat e Caribbean Market në Port-au-Prince. Bëhet fjalë për një vogëlushe dhe një burrë haitjanë si dhe një grua amerikane. Ndërkohë në gërmadhat e po të njëjtit supermarket është lokalizuar edhe vendodhja e një italiani megjithëse nuk dihet nëse ai është ende gjallë. Nga ana tjetër, të mbijetuarit janë larguar, duke braktisur qytetin për të gjetur strehë nëpër fushat e panxhar-sheqerit. “Një orë me makinë nga Port-au-Prince, skena është apokaliptike”-tha një i dërguar i BBC-së, sipas të cilit pothuajse çdo ndërtesë që pa gjatë rrugës ishte shembur. “Pashë një rradhë të gjatë me njerëz përpara një rubineti të vetëm që ende nxjerr ujë. Dhjetra mijëra vetë qëndrojnë jashtë nëpër zona të hapura, si pranë kishave apo në oborret e shkollave”-tha gazetari. Sipas tij popullsia ka pësuar një tronditje të thellë. “Shumë përdorin facoleta për të mbuluar gojën dhe hundën nga pluhuri dhe era e tmerrshme e kufomave”-vazhdoi ai. “Ajo e Haitit është kriza më e madhe humanitare në dekadat e fundit”-tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun, ndërsa nisej për në Haiti. “Po shkoj për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e Kombeve të Bashkuara popullit haitjan”-tha ai. Ban Ki-mun shtoi se është përgatitur për më të keqen, sa u përket personelit të OKB-së që ka mbetur nën gërmadhat e ndërtesës së misionit të organizatës në ishull. Më pas pohoi se ka tre prioritete: të shpëtohen sa më shumë persona të jetë e mundur, të mbërrijnë sa më shpejt ndihmat humanitare dhe koordinimi I inciativave ndërkombëtare për ndihma. Po dje Kombet e Bashkuara konfirmuan vdekjen e kreut të misionit të saj në Haiti. Organizata tha se trupi i pajetë i Hedi Annabi është gjetur nën rrënojat e selisë së misionit të OKB-së në kryqytet, e cila u shemb nga tërmeti.
Vështirësi
Ndihmat ndërkombëtare arrijnë me vonesë
Ndihmat për viktimat e tërmetit të Haitit kanë arritur vetëm në disa pjesë kryeqytetit, Port-au-Prince ndërsa OKB dhe Oxfam po depërtojnë tek të mbjetuarit. OKB në Gjenevë thotë se tërmeti është tragjedia më e madhe me të cilën është konfrontuar organizata përsa i përket logjistikës si rezultat i shkatërrimit të plotë të qeverisë lokale dhe kombëtare. OKB thotë se operacionet e ndihmës janë më të vështira se ato të ndeshura gjatë cunamit aziatik në 2004. Sipas organizatës, aeroporti i Haitit është i tejmbushur, rrugët janë të bllokuara dhe infrastruktura që është e padëmtuar, është shumë e paktë. Pesë ditë pas tërmetit në Haiti, po ka edhe shqetësime të shumta se çështja e sigurisë në vend, mund të verë në rrezik operacionet shpëtuese. Një zyrtar i lartë i OKB-së, Alain Le Roy, tha se tani më e rëndësishmja është që të sigurohet që situata në Haiti të mos dalë jashtë kontrollit. Ai paralajmëroi se uria mund të shkaktonte probleme,ndërsa ndihmat nuk shkonin te të mbijetuarit shpejt. “Ka patur disa incidente ku njerëzit kanë vjedhur dhe janë përleshur me njëri-tjetrin për ushqim. Është e qartë se ata janë të dëshpëruar. Kanë tre ditë që disa prej tyre janë pa ushqime apo ndonjë lloj ndihme. Pra është e qartë se ka disa incidente, por në përgjithësi situata ende mbetet nën kontroll”. OKB po forcon patrullat e policisë dhe ato ushtarake në Port-au-Prince. Admirali Ted Branch i marinës amerikane tha se siguria, sidomos në vendet ku uleshin helikopterët amerikanë kishte rëndësi. Ai tha se nëse trupat amerikane përballeshin me përkeqësim të situatës, kjo do të ngadalësonte ndjeshëm, operacionet e ndihmës. Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se do të jetë një sfidë e madhe të dërgosh ndihmë në Haiti shpejt dhe jashtë rrezikut. Sipas tij, SHBA-të po kryejnë një nga përpjekjet më të mëdha të ndihmës në historinë e vet. Bashkë me të në Shtëpinë e Bardhë për këtë vlerësim ishin dhe dy paraardhësit e tij, Bill Klinton dhe Xhorxh W Bush, që po drejtojnë përpjekjet për sigurimin e fondeve. Bush tha se ajo çka për të cilën kishin nevojën haitianët nga amerikanët ishin paratë. Ndërkohë të paktën 50 mijë vete dihet se janë varrosur deri më tani, por numri i të vdekurve pritet të jetë edhe tre herë më i lartë se ai numër. Në Port au Prince, kamionë të mbushur me kufoma kanë dërguar trupat pa jetë në varreza masive jashtë qytetit. Mijëra trupa të tjerë pritet të jenë nën gërmadha. OKB ka bërë thirrje për më shumë se 500 milionë dollarë për të ndihmuar viktimat e tërmetit. Ministri i brendshëm, Paul Antoan Bien-Aime tha se 50 mijë kufoma tashmë janë gjetur dhe bilanci përfundimtar i të vdekurve mund të shkojë deri në 200 mijë.
Klinton: Haiti do të dalë më i fortë nga katastrofa
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ndodhej dje në Haiti për të inspektuar dëmet nga tërmeti i së martës. Pas bisedimeve me presidentin Rene Preval, Klinton u tha haitjanëve se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që vendi i tyre të dalë nga katastrofa “më i fortë dhe më i mirë”. “Por, unë dua të siguroj popullin e Haitit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mik, partner dhe mbështetës, ndaj do të punojmë me qeverinë tuaj nën drejtimin e presidentit Preval, që të ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme”, tha Klinton. Presidenti Barak Obama ka zgjedhur ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton të drejtojnë grumbullimin e ndihmave humanitare.
-
1745 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg