Hyrje | Bota | Tërmeti në Haiti, mbërrijnë ndihmat e para ndërkombëtare

Tërmeti në Haiti, mbërrijnë ndihmat e para ndërkombëtare

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Katastrofa më e rëndë e historisë

 

 

SHBA-të nisin arsenal lufte, 3500 ushtarë dhe 2 mijë marinësa. Mbërrijnë avionët e parë të UNICEF-it, ndërsa i gjithë vendi është ende në kaos

 

 

Haiti përjetoi një tjetër natë tmerri, të dytën pas tërmetit të dhunshëm që thuajse rrafshoi kryeqytetin e tij, Port-au-Prince, dhe që mund të ketë shkaktuar mbi 100 mijë të vdekur. Mijëra vetë pritën dritën e diellit të shtrirë nëpër parqe publike, ndërsa qindra kufoma janë ende nëpër rrugë. Dje u kthye sërish frika dhe paniku pas një tjetër lëkundjeje prej 4,7 ballësh dhe një alarm i ri cunami, që më pas u shua. Në kryeqytet ka ende kaos, ndërsa vazhdojnë, edhe pse me ritme të ngadalta, kërkimet për të mbijetuar. Nga ana tjetër, ka nisur të lëvizë edhe makina e ndihmave ndërkombëtare, megjithëse ndihma e të mbijetuarve është tepër e vështirë, për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës dhe komunikimit. Nuk dihet ende se sa mund të jetë numri i saktë i viktimave, por kushtet e tmerrshme në të cilat po përjetojnë të plagosurit, shton frikën e rritjes së numrit të të vdekurve me kalimin e orëve. “Ka mbi 500 mijë viktima”, - tha senatori Youri Latortue, duke e bazuar parashikimin e tij nga dëmet të provokuara nga tronditja e tokës. Ndërkohë, mijëra vetë vazhdojnë të jenë nën gërmadha. Ekipet e kërkimit po punojnë pa pushim, ndërsa nuk mund të llogaritet numri i të plagosurve që kanë mbetur pa ndihma. Nuk dihet ende as fati i 11 mijë punonjësve të misionit të OKB-së që garantonte rregullin në vendin e trazuar tashmë të goditur nga katastrofa. 16 janë të vdekurit mes funksionarëve shtetëror dhe 50 të plagosur dhe 150 konsiderohen ende të humbur. Por ndërkohë, numërohen rreth 20 të vdekur edhe mes Kaskave Blu.

Situatë e dëshpëruar e fëmijëve

Shoqata “Shpëtoni fëmijët”, ashtu si UNICEF-i dhe entet e tjera ndërkombëtare po kujdesen për ndihmat ndaj të vegjëlve të prekur prej tërmetit. Sipas OJQ-së angleze, ka të paktën 2 milionë fëmijë të prekur nga katastrofa, shumë prej të cilëve kanë mbetur jetimë apo të plagosur seriozisht dhe kanë nevojë urgjente për kurime. “Kudo ka shkatërrime”, - deklaroi Ian Rodgers nga kjo organizatë, sipas të cilit është ende shumë e vështirë të arrihen të plagosurit. Nuk mund të numërohen fëmijët dhe familjet që kanë nevojë për një vend të sigurt, si dhe nevojat më elementare. Në Haiti ndërkohë mbërriti dje fluturimi i parë me ndihma nga UNICEF-i me një vlerë prej 500 mijë dollarësh, të mjaftueshme për të asistuar 10 mijë vetë, si dhe një avion mallrash nga “Mjekët pa kufij” me 25 tonë material, mes të cilave 3 tonë mjekime urgjence, batanije, sete për të gatuar dhe për higjienën personale, tenda dhe kontejnerë uji. Ndërkohë, është gati dërgimi nga Republika Dominikane fqinje e 13 mijë kg ushqime teraupetike, gati për t’u përdorur kundër urisë, ndërsa pritet të mbërrijë nga anije mallrash e nisur nga Panamaja me ndihmat e tjera të UNICEF-it. Ky i fundit ka mobilizuar ndihma me një vlerë totale prej 3,4 milionë dollarësh. Ndërsa qeveria amerikane ka dërguar tashmë në ishull anije lufte, helikopterë, avionë ngarkesash dhe dhjetëra ekipe me civilë  e ushtarë për t’iu përgjigjur katastrofës. Ndërsa janë gati për t’u nisur janë 3500 ushtarë dhe 2 mijë marinësa, ndërsa në Haiti tashmë janë ulur dy avionë ushtarakë “Hercules C-130” bashkë me një skuadër ekspertësh për vlerësimin e tragjedisë dhe një skuadër e forcave speciale të aeronautikës po punon për rivendosjen e komunikimit në aeroport dhe drejtuar trafikun ajror. Në Uashington, impenjimi duket maksimal, pasi presidenti amerikan, Barak Obama, premtoi ndihma të shpejta dhe koordinuara, ndërsa sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, ndërpreu turin e saj në Azi dhe sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, anuloi udhëtimin e tij në Australi, me qëllim për të koordinuar ndihmat.

 

 

 

 

Kontrollohet në çdo aeroport

 

Miki, 8-vjeçari “i dyshuar për terrorizëm”

 

Është vetëm 8 vjeç dhe mëson në një shkollë fetare. Por që nga hera e parë që udhëtoi me avion, kur ishte 2 vjeç, ndalohet gjithnjë, merret në pyetje dhe kontrollohet nga funksionarët nga TSA-ja, Administrata e Sigurisë së Transportit. Bashkë me familjen, ai është i fundit që zë vend në avion dhe jo rrallëherë shkakton vonesa në fluturime. Motivi: Michael Hicks, djali i një sipërmarrësi dhe një fotoreportereje, është një “i dyshuar për terrorizëm”. Duket si e pamundur, por ja që kështu është. Miki, siç thirret shkurt nga prindërit dhe miqtë, figuron në “listën selektive”, një listë e stërgjatë e atyre që nuk lejohen të fluturojnë. Dhe në këto 6 vjet, familja e tij nuk ka arritur ta heqë emrin e tij nga kjo listë. Rasti absurd është sinjalizuar nga “New York Times”, sipas së cilës, bëhet fjalë për ngjashmëri emrash. Një Michael Hicks ekziston me të vërtetë në listën e të dyshuarve për terrorizëm, por nuk dihet se kush është, dhe gazeta ka arritur të gjejë mbi 1600 vetë me të njëjtin emër në SHBA. Veç të tjerash, djali ka dhe një aspekt krejt inofensiv, mban syze, është i edukuar dhe i qeshur, dhe nuk bën naze asnjëherë ndaj kontrolleve. “Qau vetëm herën e parë, kur ishte 2 vjeç. Ndërsa tani është mësuar të ndalohet”, - tregon e ëma. Normalisht, në sportele, punonjësit shprehin habi kur emri i tij figuron në “listën e selektuar” dhe menjëherë duhet të njoftojnë eprorët e tyre. Por askush nuk e lë të kalojë pa e inspektuar mirë e mirë. “Të mëdhenjtë janë të paarsyeshëm”, - thotë vetë Miki. I pyetur nga “New York Times”, zëdhënësi i TSA-së, Xhejms Fotenos, deklaroi se “zakonisht fëmijët nuk figurojnë listën e tyre” dhe siguroi se mes reformave të urdhëruara nga Obama, pas atentatit të shmangur të Krishtlindjeve, ndodhet dhe rishikimi i listave me emrat e dyshuar. Deputeti demokrat Pasrell i ka kërkuar TSA-së të lërë të qetë Mikin e vogël dhe i ka bërë thirrje FBI-së dhe CIA-s të reduktojnë bankën e tyre të të dhënave mbi terroristët. “Aty ka mbi 550 mijë emra, është një kaos total, duhet të jenë më të saktë”, - ankohet ai. Por gazeta vë në dukje se në tre vitet e fundit, rreth 82 mijë pasagjerë që janë bllokuar nëpër aeroporte, viktimë e rasteve të ngjashme me atë të Mikit, kanë paditur TSA-në dhe mbi 25 mijë raste janë ende në shqyrtim. Një biznesmen kanadez, Mario Labbè, u detyrua të heqë dorë fillimisht nga udhëtimet për në SHBA dhe i caktonte takimet me amerikanët në Francë, më pas vendosi të ndryshojë emër, gjë është e ligjshme në vendin e tij, dhe vetëm tani shkon e vjen lirshëm nga Toronto në Nju Jork.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1114 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive