Mbi 100 mijë të vdekur, i gjithë vendi në kaos
Tërmeti në Haiti
Dhjetë lëkundje të forta sizmike shkatërrojnë një prej vendeve më të varfra të botës. OKB: Është goditur 1/3 e popullsisë
Tërmeti që shkatërroi Haitin mund të ketë shkaktuar mbi 100 mijë të vdekur. Parashikimi tragjik vjen nga kryeministri i vendit, ku ndodhi katastrofa, Jean Max Bellerive, i intervistuar mbrëmë nga CNN. ‘Është e vështirë të bëhet një vlerësim i saktë i numrit të viktimave, apo ndërtesave që janë shkatërruar dhe të njerëzve që mund të jenë brenda tyre. Por besoj se bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë viktima. Shpresoj të mos jetë e vërtetë dhe shpresoj me gjithë shpirt që njerëzit të kenë pasur kohë të kenë dalë në rrugë. Por di të them se disa lagje janë shkatërruar plotësisht dhe nuk ka asnjë frymë njeriu”, - tha ai. Tërmeti 7 ballësh i shkallës rihter që goditi të martën në mbrëmje ishullin karaibik ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë, përmasat reale të së cilës ende nuk dihen. Lëkundja e fortë sizmike pati si epiqendër rreth 15 km larg kryeqytetit haitian, Port-au-Prince dhe praktikisht e ka reduktuar qytetin në një grumbull gërmadhash. Në zonën e goditur prej tërmetit, të populluar dendësisht, jetojnë të paktën 1,8 milionë vetë, nga 9 milionë banorë që ka i gjithë vendi. Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, është ende herët të flitet për një bilanc të viktimave, pasi informacionet, për shkak të dëmtimit të plotë të rrjetit të telekomunikimit, mbërrijnë me vështirësi. Por ajo çka është e sigurt, është se mijëra vetë kanë mbetur të groposur nën gërmadhat e ndërtesave dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë të nxjerrin sa më shumë persona të gjallë që të jetë e mundur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat që nga fillimi kanë monitoruar nga afër situatën, flasin për një numër tepër të lartë viktimash. Mes ndërtesave të shembura janë edhe dhjetëra spitale, dhe si pasojë në kryeqytet ka mbetur vetëm një në funksion dhe tashmë ka ezauruar kapacitetin e tij për shtrimin e të plagosurve. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka nisur ngritjen e disa pikave të ndihmës së shpejtë nëpër terren, për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve. Edhe pallati presidencial në Port-au-Prince tashmë është shndërruar në një pirg mbeturinash, por fatmirësisht presidenti i vendit, René Preval, ka arritur të shpëtojë bashkë me familjen e tij, pasi në momentin kur ra tërmeti nuk ndodhej atje. Kreu apostolik i Haitit, arqipeshkvi Bernardito Auza, deklaroi për agjencinë e lajmeve “Fides”, se katedralja, arqipeshkvia dhe të gjitha kishat e mëdha bashkë me seminarët janë shndërruar në gërmadha dhe si pasojë qindra priftërinj dhe praktikantë fetarë kanë mbetur nën gërmadha. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe qindra ndërtesa qeveritare e shkolla. Shumë viktima numërohen edhe mes Kaskave Blu të misionit “Minustah” të Kombeve të Bashkuara në Haiti (rreth 11 mijë efektivë, mes të cilëve 7.031 ushtarakë dhe 2.034 agjentë policie). Ndërtesa me pesë kate e këtij misioni është thërrmuar e tëra dhe sipas ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kushner, të gjithë personat që ndodheshin brenda saj kur ra tërmeti kanë vdekur, përfshirë këtu komandantin e misionit, tunizianin Hedi Annabi. Ende nuk dihet numri i saktë i turistëve që ndodheshin në Haiti dhe se sa prej tyre mund të kenë mbetur viktimë e kësaj fatkeqësie natyrore, por sipas një përllogaritje të parë, bëhet fjalë për mijëra turistë të huaj, 190 prej të cilëve italianë. Por ndërkohë, ka nga ata që kanë nisur të përfitojnë nga drama kolektive që po përjeton i gjithë vendi. Një grup burrash dhe grash sulmoi dhe plaçkiti një supermarket të kryeqytetit, duke përfituar nga të çarat e krijuara në murin e ndërtesës dhe arratisjes masive në kryeqytet. Sipas agjencive të lajmeve, ka pasur plaçkitje në disa zona të qytetit. Tërmeti ka dëmtuar edhe ndërtesat e rajoneve të policisë, duke e bërë më të vështirë koordinimin e aktivitetit të kontrollit ndaj veprave kriminale që ndodhin rëndom në këto situata. Kushtet e tmerrshme të pjesës më të madhe të popullsisë, pasi Haiti është një prej vendeve më të varfra të botës, dhe më i varfri në kontinentin amerikan, rrezikojnë që ta shndërrojnë në shpërthyese situatën.
Ndihmat ndërkombëtare
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, deklaroi se SHBA-të do të bëjnë menjëherë pjesën e tyre për t’i garantuar Haitit asistencën maksimale të mundshme. “Jemi gati të dërgojmë mjete ushtarake dhe civile për të ndihmuar personat e goditur nga katastrofa”, - shpjegoi dje Klinton, e cila shtoi se SHBA-të do të dërgojnë gjithashtu edhe asistencën e nevojshme humanitare. Fjalët e saj u përsëritën më pas edhe nga presidenti amerikan, Barak Obama. Por ishte e gjithë makina ndërkombëtare e ndihmës, që u vu në lëvizje menjëherë. Përveç SHBA-ve, edhe Franca, Italia e Kanadaja njoftuan menjëherë për dërgimin e ndihmave dhe ekipeve të kërkimit në Port-au-Prince. Ndërsa në Kombet e Bashkuara, zëdhënësja e Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Stephanie Bunker, deklaroi se organizata u ka dërguar një mesazh të gjitha zyrave nëpër botë për të përgatitur një mobilizim maksimal të ndihmave me destinacion Haitin. SHBA-të kanë siguruar tashmë dërgimin e një skuadre të agjencisë së ndihmës për zhvillim USAID me 72 operatorë dhe 6 qenë të specializuar në kërkimin e personave të bllokuar nëpër gërmadha. Bashkë me ta do të dërgohen në Haiti edhe 48 tonelata me pajisje të ndihmës së parë, të shoqëruar nga ekspertë të katastrofave natyrore. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, shpjegoi se Italia “nuk do të lërë asnjë përpjekje pa bërë për të qenë afër popullatës haitiane dhe natyrisht italianëve prezentë në zonën ku goditi tërmeti”. Edhe qeveria venezueliane ka njoftuar dërgimin e një “skuadre me ndihma humanitare” të përbërë prej 50 burrash së bashku me ushqime dhe medikamente. Edhe Parisi njoftoi për dërgimin e menjëhershëm në kryeqytetin haitian të shkatërruar nga tërmeti ndihma urgjente. Të gjithë vendet e Amerikës Latine kanë treguar disponueshmërinë për të dërguar ndihma, veçanërisht Brazili. Presidenti i këtij të fundit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka garantuar dërgimin e 10 milionë dollarëve ndihma, ndërkohë që Banka Interamerikane e Zhvillimit ka lëvruar ndihmë urgjente prej 200 mijë dollarësh.
Dëshmi dramatike nga katastrofa
Britma nën gërmadha dhe kufoma nëpër rrugë
Janë të tmerrshme dhe dramatike dëshmitë që vijnë përmes internetit nga Haiti, pas tërmetit që shkatërroi ishullin. “Dëgjohen nën gërmadha britmat dhe thirrjet për ndihmë të atyre që kanë mbetur të bllokuar dhe mijëra vetë janë të dëshpëruar për të afërmit e tyre. Mungojnë dritat për të vazhduar gërmimet gjatë natës. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të presim mëngjesin”, - ka thënë për “Corriere della serra” Fiammetta Cappellini, përfaqësuese e AVSI, një OJQ-je italiane që ndodhet në Port-Au-Prince. Ajo tha se pas tërmetit rrugët u shndërruan në kurthe dhe mijëra vetë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra. Operatorja shtoi se shumë ndërtesa të rëndësishme të qytetit “janë zhdukur”. “Ka të plagosur çdo dy hapa”, - tha Carel Pedre, gazetar i “Radio 1” të Haitit, i kontaktuar nga uebsajti i të përjavshmes franceze “Le Nouvel Observateur”. “I gjithë vendi është shkatërruar, mund të them se kam parë mbi 1 mijë të plagosur. Është goditur i gjithë vendi. Të vetmit që mund të kenë shpëtuar janë ata që ishin në rrugë ose nëpër automjete, larg ndërtesave”, - shtoi ai. Sipas gazetarit, të gjithë mjetet e komunikimit janë thuajse shkatërruar plotësisht dhe njerëzit nuk arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin. “Është një katastrofë gjigande, kemi nevojë për ndihmë”, - shtoi Pedre. Sipas tij, kufomat kanë mbuluar rrugët dhe autoritetet nuk duken gjëkundi. “Nuk kam parë as policë dhe as ushtarë të impenjuar në shpëtimin e njerëzve. Këtu është një shkatërrim total”, - tha gazetari i kontaktuar nga “Ansa”. “Mijëra vetë kaluan natën e tyre të parë nën qiell të hapur, për të zbuluar në orët e para të mëngjesit një katastrofë të paimagjinueshme”, - ishte ky teksti i një prej agjencive haitiane të mërkurën në mëngjes, pas tërmetit të tmerrshëm që goditi ishullin. “Qyteti ka vdekur, një pjesë e Haitit është shkatërruar plotësisht’, - shkruhej në uebsajtin “Haitipressnetwork”. “Jemi përtokë”, - tha një misionar francez, Andrè Siohan, në një mesazh të postës elektronike të dërguar agjencisë “Misna”. “Isha në qendër sot në mëngjes për të vizituar komunitetet fetare mike, por e gjithë zona është shkatërruar dhe ka mijëra viktima. Lutuni për ne”, - tha misionari ,i cili arrin të komunikojë vetëm falë një sistemi satelitor. “E lamë vendin në kaos. Njerëzit qanin dhe ulërinin nëpër rrugë”, - ka treguar një pasagjer haitian, që sapo kishte mbërritur në Florida. Udhëtarët e fundit të fluturimit amerikan që u largua nga Port-au-Prince mbërritën në Majami, duke treguar histori tmerri.
-
1022 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg