Hyrje | Bota | “Kënaqësia e të jetuarit mban vulën franceze”

“Kënaqësia e të jetuarit mban vulën franceze”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Cilësi jete


 

Franca renditet e para, SHBA-të në vend të shtatë, ndërsa Italia e dhjeta. Klasifikimi i revistës prestigjioze “Living International”

 

 

Franca e para, ndërsa Italia e dhjeta. Është kjo renditja e vendeve të botës sa i përket cilësisë së jetës nga “Living International”, revistës së elitës globale. Në klasifikim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në vend të shtatë, me një zbritje prej katër vendesh, pasi vitin e kaluar renditeshin të tretat. Pas Francës renditen Australia, Zvicra, Gjermania, Zelanda e Re, Luksemburgu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika dhe Kanadaja. Ndërsa Italia ndiqet nga Holanda, Norvegjia, Austria, Lihtenshtajn, Malta, Danimarka dhe Spanja. Sa i përket Italisë fqinje, revista shkruan se vendi është dëmtuar shumë nga papunësia, grevat, korrupsioni, burokracia dhe çmimet e larta. Për të mos harruar keqfunksionimin e transportit, që natyrshëm nuk lë një shije të mirë tek turistët. Megjithatë, sipas “Living International”, Italia ka dete e liqene “në ngjyrë zafiri”, male dhe plazhe të mrekullueshme, për të mos harruar se 60 për qind e thesareve artistike të njerëzimit ndodhen atje. Janë elozhe ngushëlluese për italianët, që këtë vit kanë zbritur në klasifikim me tre vende. Gjithsesi, Italia nuk është e vetmja në zbritje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më parë të renditura në vend të tretë, dhe që më Francën kanë një raport dashuri-urrejtje (sepse amerikanët e konsiderojnë një komb socialist, madhe thuajse komunist), tashmë ndodhen katër vende më poshtë. “I kemi klasifikuar në vend të shtatë”, - shpjegon Jackie Flynn, redaktorja e revistës, sepse sipas saj, “ëndrra amerikane” është zbehur ndjeshëm kohët e fundit. Ajo thotë se niveli i jetesës në SHBA vazhdon të jetë mbase më i larti në botë, por që pas krizës së 2008-ës, njerëzit kanë problem pasigurie. Por humbësja më e madhe, përballë triumfit francez, është padyshim Anglia, e cila që prej vitit 1980, kur “International living” nisi të publikojë për herë të parë indeksin e cilësisë së jetës, ka ardhur gjithnjë e në zbritje, vit pas viti. Rivalja tradicionale e Francës ndodhet në vendin e 25-të kësaj here, madje renditet edhe pas ish-shteteve komuniste, si Lituania dhe Republika Çeke. “Jeta në Angli është shumë e shtrenjtë, njerëzit bëjnë një ekzistencë tepër të tensionuar, nuk e dinë se çfarë është “kënaqësia e të jetuarit” e francezëve”, vë në dukje revista. Sipas “Living International”, francezët punojnë më pak, shijojnë më shumë liri, e shfrytëzojnë më mirë kohën e lirë, vendi është i bukur dhe me variacione. Revista thekson se parametrat në të cilat bazohen gjykimet mbi renditjen, janë kostoja e jetesës, kultura, dëfrimi, situata ekonomike, klima e ambienti, liria personale, sistemi shëndetësor, rregulli i shoqërisë dhe siguria e brendshme.

 

 

 

Guantanamo, të burgosurit kthehen në rebelë

20 për qind e të burgosurve që lirohen nga Guantanamoja është rikthyer në veprim për grupet terroriste. Kështu pohon një raport i rezervuar i Pentagonit, sipas të cilit, tendenca vë në dukje problemet që po has administrata “Obama” në mbajtjen e fjalës për mbylljen e burgut famëkeq në ishullin kuban këtë muaj. Premtim ky që shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar disa herë se ka ndërmend ta mbajë. Në burg ndodhen ende 198 të burgosur, 90 prej të cilëve janë nga Jemeni. Pas zbulimit se atentatori nigerian që u përpoq të hidhte në erë ditën e Krishtlindjeve një avion amerikan në drejtim të Detroitit ishte stërvitur në Jemen, administrata amerikane vendosi të bllokojë programin e transferimit në vendin medioriental të disa prej të burgosurve të Guantanamos. Të dhënat u bënë publike nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Geoff Morrell, sipas të cilit, SHBA-të pritet të mos dërgojnë asnjë të burgosur në Jemen, duke parë situatën e tensionuar atje. E me gjithë vështirësitë e shumta që e detyruan të shtynte datën e parë të parashikuar për mbylljen e burgut (22 janari i 2010-ës), Barak Obama vazhdon të përsërisë se shumë shpejt Guantanamo “do të shpërbëhet”. “Dikush ka sugjeruar se ngjarjet në ditën e Krishtlindjeve duhet të na bëjnë të rishohim vendimin për mbylljen e burgut të Guantanamos. Por një gjë duhet të jetë e qartë: ne kemi pasur gjithnjë qëllimin e transferimit të të burgosurve në vende të treta (vendi i parë është ai i origjinës së të burgosurve, i dyti SHBA-të), me kusht që të na sigurohej se siguria jonë do të ishte e garantuar”, - shpjegoi Obama një ditë më parë. Presidenti amerikan shtoi se kishte biseduar me ministrin e Drejtësisë dhe kishin rënë dakord që SHBA-të nuk do të transferojnë për momentin të burgosur në Jemen. “Siç kam thënë gjithnjë, do ta mbyllim burgun e Guantanamos në një mënyrë që të ruajë sigurinë e amerikanëve”, - përfundoi Obama. Administrata e tij ka rënë dakord me disa prej vendeve aleate të SHBA-ve, mes të cilave edhe Shqipëria, për të pranuar një pjesë nga të burgosurit e Guantanamos. Pjesa tjetër do të përfundojë në burgjet amerikane, veçanërisht në shtetin e vetë presidentit amerikan Ilinois. Në 15 dhjetor, mediat amerikane dhanë lajmin se Guantanamo do të transferohej në Ilinois, shtetin e Abraham Linkolnit dhe Obamës, mu në zemër të Amerikës. Kampi i burgimit në Kubë do të zëvendësohet nga burgu i Tomsonit, një qytezë me vetëm 450 banorë, rreth 250 km larg Çikagos.

 

 

 

Studimi

 

Celularët të mbrojnë nga sëmundja e Alzhaimerit

 Një studim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sugjeron se përdorimi i telefonave celularë mund të ndihmojë parandalimin e dëmtimeve të trurit nga sëmundja e Azhaimerit dhe mund të rikthejë pak nga kujtesa e humbur. Por kërkuesit europianë e kanë trajtuar raportin me kujdes, duke thënë se duan të jenë të sigurt se ai nuk është ndikuar nga kompanitë celulare. Hulumtimet e bëra publike këtë javë nga revista “Journal of Alzheimer’s Disease” (Revista e sëmundjes Alzhaimer), thonë se përdorimi i gjatë i telefonave celularë mund të ndihmojë të ndalet humbja e kujtesës te njerëzit që vuajnë nga sëmundja e Alzhaimerit. Studimi i kryer ndaj minjve në laborator sugjeron se ekspozimi i gjatë ndaj valëve elektromagnetike që përdorin telefonat celularë, gjithashtu mund të ndihmojë rikthimin e një pjese të kujtesës së humbur. Kërkimet janë kryer nga një grup neuro-shkencëtarësh, inxhinierë elektrikë dhe neurologë nga universitetet në Japoni dhe Kinë, si dhe universiteti i Floridës Jugore në SHBA. Autori kryesor i studimit, Geri Arendash, nga Universiteti i Floridës Jugore, thotë se rezultatet janë befasi e madhe dhe japin shpresë për zhvillimin e trajtimit të sëmundjes së Alzhaimerit pa barna. Arendash thotë se ai ka pritur që ekspozimi ndaj celularëve të kishte efekte të dëmshme për trurin. Në vend të kësaj, thotë ai, rezultoi se minjtë janë mbrojtur nga efektet e “çmendurisë”, nëse u ekspozohen valëve elektromagnetike në moshë të re. Arendash po ashtu thotë se ekspozimi ndaj rrezatimit elektromagnetik të telefonave celularë ka treguar se te disa minj është rikthyer kujtesa e humbur, e cila filloi pasi në trurin e tyre u injektuan qeliza të sëmura të Alzhaimerit. Ai thotë se studimi hap një fushë tërësisht të re të kërkimeve dhe se ekipi i tij po e modifikon eksperimentin, për të parë nëse mund të prodhohen rezultate më të shpejta dhe të fillohet testimi te njerëzit. Në Europë, kërkuesit që janë specializuar në sëmundjen e Alzhaimerit thonë se studimi i ri është interesant, por vetëm preliminar. Në mesin e tyre është dhe Rebeka Vud, drejtuese e qendrës për trajtimin e Alzhaimerit në Britani. “Fakt i thjeshtë i jetës është se shumë njerëz përdorin telefona celularë. Pra, nëse kjo do të ishte e saktë, atëherë ata do të shëroheshin vetë. Nuk do të thosha se është e dëmshme dhe njerëzit nuk duhet t’i përdorin, sepse celularët sot janë pjesë normale e jetës. Por do të rekomandoja të bëhen kërkime të mëtejshme”, thotë Vud. Specialistët e tjerë tërheqin vërejtjen se nevojitet shumë punë për t’u siguruar se mund të ketë ndonjë dobi afatgjatë nga ekspozimi i gjatë i njerëzve ndaj rrezatimit elektromagnetik, si dhe të garantohet se ai nuk është i dëmshëm. Volfgang Losher, kreu i Departamentit të Farmakologjisë dhe Toksikologjisë në Universitetin e Mjekësisë Veterinare në Hanover të Gjermanisë, prej dy dekada po zhvillon kërkime për rrezatimin elektromagnetik te minjtë. Losher thotë se u shkri së qeshuri kur lexoi për efektet e dobishme të studimit të ri, për shkak se, sipas tij, një kërkim i tillë është “biznes tejet i politizuar dhe ndodhet nën presion të madh nga industria telefonike dhe shumë industri të tjera”. “Njëzet vjet më parë dolën publikimet e para për rrezikun nga kanceri në tru nga përdorimi i tepruar i telefonave celularë. Por reagimi i menjëhershëm i industrisë së celularëve ishte që të gjenden efektet pozitive nga përdorimi i telefonave celularë”, pohon kërkuesi gjerman. Losher thotë se nuk e ka të qartë nëse edhe kompanitë e celularëve kanë gisht dhe kanë kontribuar me pajisje për kërkimet, detaj që, sipas tij, mund ta ketë ndryshuar tërë ndikimin e studimit.

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1356 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive