Hyrje | Bota | Kontinenti i vjetër mbulohet nga uji, bora dhe akulli

Kontinenti i vjetër mbulohet nga uji, bora dhe akulli

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Alarm në Europë

 

 

Italia Qendrore nën ujë, ndërsa Britania përballet me dimrin më të ashpër të dekadave të fundit. 122 viktima në Poloni, ku termometri shënon -22 gradë celsius

 

 

Moti i keq ka alarmuar një pjesë të mirë të Europës, pas përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe problemeve të shumta në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Mediat italiane raportojnë se Italia Qendrore ndodhet nën ujë, për shkak të shirave të rrëmbyeshme të ditëve të fundit, ndërsa edhe Roma është në rrezik. Mbrojtja Civile deklaroi se uji rrezikon të shkaktojë përmbytje, veçanërisht në Umbria, Marche dhe Toskanë. Në këtë të fundit, ende nuk janë zhdukur imazhet e daljes nga shtrati të lumit Serkio dhe fryrjes së liqenit Masaciuçoli, që kërcënuan rajonin. Problemet më të mëdha janë regjistruar në Grossetano, ku disa rrugë komunale dhe nënkalime janë tashmë nën ujë. Por shirat vazhdojnë në Pizano, Arezzo dhe Siena, ndërsa reshjet e borës kanë mbuluar Firencen, megjithëse tranziti nëpër rrugë është ende i rregullt. Por ndërkohë, lumi Elsa ka arritur kulmin në Castelfiorentino me 2,61 metra mbi nivelin e lejuar dhe vazhdon ende të rritet. Po kështu edhe lumi Tevere ka vënë nën alarm provincën e Peruxhas, pasi niveli i ujit vazhdon të rritet. Mbrojtja civile e rajonit thotë se po monitoron nga afër situatën dhe për momentin çdo gjë është nën kontroll, megjithëse rreziku mbetet i lartë. Alarmi për Teveren ka mbledhur në Romë, në një takim emergjent, Mbrojtjen Civile, e cila vendosi boshatisjen e digës në Castel Giubileo. Edhe pse ka dalë dielli, niveli i ujit dhe lumi vazhdon të rritet në veri të kryeqytetit italian, në kufi me Umbrian. Disa rrugë të vogla janë mbyllur për qarkullimin e mjeteve, ndërkohë që Departamenti i Mbrojtjes Civile mbajti gjatë natës një mbledhje emergjente teknike, për të përballuar një rritje eventuale të nivelit të lumit. Me gjithë situatën nën kontroll, ekspertët parashikojnë që sot dhe nesër të ketë një rritje të mëtejshme të nivelit të ujit, ku si pasojë Roma është vënë nën alarm.

 

 

Britania mbulohet nga bora dhe akulli

Dimri më i ashpër gjatë dekadave të fundit në Britani ka provokuar një kaos të vërtetë për udhëtarët, ku aeroportet dhe rrugët janë mbuluar me borë dhe akull, ndërsa mijëra shkolla janë mbyllur në të gjithë vendin. Miliona njerëz në Londër dhe juglindje të Anglisë përjetuan dje reshje të fuqishme të borës, pasi stuhitë u përhapën gjatë natës nga Skocia dhe pjesët veriore të Anglisë. “Moti i ftohtë që po e përjetojmë tani, filloi nga mesi i dhjetorit dhe është periudha më e gjatë e motit të acartë, e cila është shënuar në Britani që nga viti 1981”, theksuan meteorologët nga agjencia “Met Office”. Kjo agjenci theksoi se moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim, me reshje të herëpashershme të borës. Fabrika më e madhe e kripës në Britani ka deklaruar se nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat e të gjithë autoriteteve lokale në vend, të cilat po luftojnë që të mbajnë rrugët të hapura për trafik. Aeroporti Gatwick në Londër u mbyll dje, në momentin kur personeli u përpoq të largonte borën nga pistat, dhe si rrjedhojë pati vonesa dhe anulime të fluturimeve. E njëjta situatë ishte edhe aeroportet Luton, Birmingem dhe Southampton. Ndërkohë, temperaturat e ulëta deri në -22 gradë celsius kanë shkaktuar 122 viktima në Poloni dhe lumi kryesor është ngritur shumë, duke shkaktuar frikë për përmbytje. Sipas policisë polake, pjesa më e madhe e viktimave ishin të pastrehë të moshave nga 30 në 40 vjeç, që kishin vdekur nga hipotermia, pasi kishin pirë. Pjesa më e madhe e vendit është mbuluar nga bora, por polakët janë mësuar me kushte të tilla atmosferike dhe po e përballojnë mjaft mirë situatën. Në dimrin e katër viteve më parë, temperaturat ranë nën -35 gradë celsius dhe 233 vetë vdiqën si pasojë. Franca Perëndimore ndërkohë ka ngritur nivelin e alarmit të motit për 14 rajone të saj. Qendra rajonale e transportit deklaroi se rrugët dytësore të këtyre rajoneve janë bërë të pakalueshme. “Kombinimi i borës dhe akullit po e bën lëvizjen tepër të vështirë”, - deklaruan disa zyrtarë për të përditshmen “Le Point”.

 

 

 

Mistreci i vogël

 

11-vjeçari është ndaluar mbi 50 herë nga policia

Autoritetet angleze e kanë ndalur 50 herë në dy vitet e fundit, që mesatarisht do të thotë dy ndalime në muaj për një 11-vjeçar ngatërrestar, që si marifet të radhës u përpoq të vriste me thikë nënën dhe të motrën. Kur ishte vetëm 9 vjeç tentoi të hiqte qafe xhaxhain e tij, duke u armatosur me motosharrë. “U përpoq të më vriste”, - tha për të përditshmen “The Sun” xhaxhai i djalit, duke kujtuar ditën në të cilën “vogëlushi” iu sul sipër, duke i ulëritur si i çmendur, ndërsa përpiqej të ndizte motosharrën që e mbante në duar me forcë. Nëna e djalit mistrec është mjaft e shqetësuar për situatën por tenton të minimizojë dramacitetin e situatës. Ajo rrëfen ngjarjen, duke thënë se dy net më parë i biri u përpoq ta therte atë dhe të motrën me një thikë kuzhine, por ajo çka e shqetëson më shumë është se pa në sytë e të birit një kërkesë të dëshpëruar për ndihmë. “Ai pi kanabis prej të paktën 2 vjetësh, dhe në 12 vitet e fundit është zënë disa herë me “presh në dorë”, duke vjedhur në makinat e familjes, në tentativën për të marrë ndonjë sterlinë”, - vazhdon gruaja. Sipas saj, gjithnjë e më shpesh në shtëpi mungojnë sende të ndryshme, dhe gruaja që ka rritur katër fëmijë, shpreson që policia të mund ta mbajë në burg të paktën për një ditë, në mënyrë që mistreci i vogël të mund të kuptojë se drejt çfarë lloj jete po shkon. Por duke pasur parasysh moshën e vogël të tij, autoritetet nuk mund të bëjnë gjë tjetër më shumë se ta marrin në rajon dhe ta lirojnë brenda pak orësh. E ëma e shqetësuar thotë me siguri, se i biri nuk është i keq, por thjesht ka nevojë për vëmendjen, që ajo, duke qenë 40-vjeçare dhe prind i vetëm, nuk ka mundur t’ia japë, që pasi i ati ia mbathi. Ajo njeh tek i biri frikën për t’u përballur me jetën dhe nuk fsheh se edhe ajo vetë provon të njëjtën ndjesi. Shërbimet sociale lokale sipas saj, kanë bërë shumë pak për familjen pavarësisht kërkesave të shumta për ndihmë të bëra gjatë viteve të fundit.

 

 

Gabim informatik me 2010-ën

 

Gjermani, çoroditen 20 milionë karta krediti

 

Ka nisur keq viti i ri për bankat gjermane. Një problem informatik lidhur me leximin e 2010-ës ka bërë të papërdorshme mbi 20 milionë karta krediti dhe debiti në Gjermani. Sipas deklaratës së shoqatës gjermane të arkave të kursimit dhe të kompensimit, shumë prej kartave të bllokuara janë të lidhura me qarkun “Eurocheque” (EC). Sipas ekspertëve, problem qëndron pikërisht në software-in e mikroçipit të kartave, që nuk arrijnë “të lexojnë” datën e re, pra vitin 2010. Një problem ky që gjunjëzuar miliona qytetarë gjermanë. Komisioni bankar “Zka” pati premtuar se do të korrigjonte brenda të martës këtë problem, por mesa duket nuk ishte e mundur të respektohej afati i dhënë. Mes bankave më të goditura janë “Postbank” dhe “Commerzbank”. Një zëdhënës i kësaj të fundit, që është dhe banka e dytë tregtare në Gjermani, tha se megjithatë është gjetur një zgjidhje për pjesën më të madhe të sporteleve automatike të institutit. Vetëm në disa raste, sipas tij, ende nuk njihen kartat e reja EC, dhe problemi informatik nuk u përket klientëve titullarë të kartave të kreditit.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1198 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive