Hyrje | Bota | Berluskoni bënte seks natën që Obama u zgjodh president

Berluskoni bënte seks natën që Obama u zgjodh president

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image


 

 

Del sot në shitje libri i shoqërueses me pagesë Patrizia d'Addario, e cila pretendon se ka kryer marrëdhënie seksuale me kryeministrin italian

 

I shumëpërfoluri kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, ballafaqohet me një tjetër çështje të turpshme, pasi del në shitje pikërisht sot libri i Patrizia d'Addario, vajzës eskortë (shoqëruese me pagesë), e cila pretendon se ka kryer marrëdhënie seksuale me kavalierin në rezidencën e tij në Romë. D'Addario tregon në libër sesi 73-vjeçari “veshi pizhamet e tij të mëndafshta dhe i kërkoi asaj të kalonin natën bashkë, pas festës luksoze që sapo kishte përfunduar në shtëpinë e tij madhështore”. Ajo ndjeu sikur të kishte hyrë në një harem, pasi në festë, mbi 20 modele të reja dhe shoqëruese konkurronin për favoret e kryeministrit, të cilin ajo e përshkruan si të vetmin burrë në sallë “me të drejtën për t’u çiftuar”. D'Addario pretendon se takimi i saj seksual me manjatin italian ndodhi pikërisht natën që Barak Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 42-vjeçarja e ka titulluar librin e saj “President, kënaqu” (presidenti i këshillit të ministrave), duke iu referuar një skene të famshme të filmit “Amarcord” të Federiko Felinit, në të cilën një prostitutë ngjitet në shtrat dhe fton një aristokrat italian të bëjë ç’të dojë me të. Në libër ajo tregon se iu kërkua të merrte pjesë në dy prej festive private të kryeministrit nga Xhampaolo Tarantini, biznesmeni 35-vjeçar nga qyteti i saj i lindjes, Bari, i cili aktualisht po hetohet me akuzat për sigurim prostitutash. Asaj i ofruan 2 mijë euro për të shkuar në këto darka, por kryesisht pranoi ftesën, sepse shpresonte që Berluskoni ta ndihmonte në lidhje me një çështje pronash. “Hyra në një korridor të gjatë dhe më pas na çuan në sallonin madhështor ku po zhvillohej festa. Edhe vajza të tjera erdhën, përfshirë këtu edhe një dyshe lesbike, si dhe disa vajza të tjera eskortë. Pas dhjetë minutash erdhi edhe kryeministri. Ai përshëndeti të gjithë, shumë prej të cilëve i njihte, ndaj i takoi personalisht, madje i puthi”, - shkruhet në libër. Sipas shoqërueses më të famshme në botë, Berluskoni tha anekdota dhe bëri disa batuta dhe më pas u tregoi të ftuarve një video promocionale për partinë e tij “Populli i Lirisë”, të shoqëruar nga një këngë gazmore të fushatës elektorale “Falë Zotit Silvio është këtu”. “Ai ishte në kolltuk dhe të gjitha ne, rreth 20 vajza, ishin në dispozicion të tij. Po shikoja gjithçka me kuriozitet dhe mendimi im i parë ishte se ndodhesha në një harem”, - shkruan D'Addario. Sipas saj, bukuroshet e reja ishin në garë të ashpër me njëra-tjetrën, për faktin se kush do të ishte fatlumja që do të ulej pranë kryeministrit. “Kryeministri ka nevojë për ledhatime. Duke qenë shoqëruese, mendoj se kam parë pak gjëra të drejta, por kurrë nuk kisha parë 20 gra për një burrë të vetëm. Normalisht, në një orgji zakonisht është i njëjti numër grash dhe burrash, ndryshe njerëzit mërziten. Por jo atje, burrat e tjerë nuk kishin të drejtën e fjalës. ishte vetëm një burrë me të drejtën për t’u çiftuar, dhe ai ishte kryeministri” , shkruhet në libër. D'Addario rrëfen sesi u rikthye në rezidencën e Berluskonit në 4 nëntor të 2008-ës, për një pritje të dytë private dhe atë natë ajo kreu marrëdhënie seksuale me të. “Kryeministri ishte shumë i sjellshëm me mua dhe i dashur, më dukej si një djalë i vogël që kishte fituar një çmim në një park lojërash. E gjeta veten krejt vetëm në dhomën e tij të madhe. Krejt papritur kryeministri hyri dhe unë u hodha përpjetë. Ai ishte veshur me të bardha dhe m’u duk si një fantazmë. Kishte veshur një palë pizhame të bardha mëndafshi dhe një rrobëdeshamë gjithashtu të bardhë”. Pas natës që kaloi me Berluskonin, Patrizia u shoqërua nga një shofer në hotelin e saj. “Pak më vonë zbulova se kjo kishte qenë një natë e veçantë jo vetëm për mua, por për të gjithë botën. Ishte zgjedhur presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më bëri përshtypje fakti që nata ime me Berluskonin ishte lidhur me një eveniment kaq të rëndësishëm”. D'Addario fillimisht e konsideroi veten “një grua me fat”, pasi kishte shkuar në shtrat me kryeministrin, por kur ai nuk mbajti premtimet që i kishte dhënë për ta ndihmuar në çështjen e pronave dhe për ta promovuar në fushën e politikës, ajo u ndje e shfrytëzuar dhe e tradhtuar, ndaj vendosi të publikonte historinë e saj. Silvio Berluskoni është përfshirë në një sërë akuzash aspak të këndshme që nga muaji prill, kur bashkëshortja e tij prej 20 vjetësh e akuzoi se e kishte tradhtuar me një vajzë të re dhe i kërkoi publikisht divorcin. Por kryeministri italian i ka mohuar të gjithë pretendimet, që kanë bërë xhiron e botës nëpërmjet medias, duke e rrethuar me turp kavalierin e famshëm tashmë pa mburojë (pas rrëzimit të ligjit “Alfano”, që i jepte atij imunitet nga ndjekja penale për sa kohë do të ishte në krye të qeverisë italiane).

 

 

 

Akuzat e një biznesmeni

 

Rusia është shtet kriminel

Një biznesmen i fuqishëm amerikan, një prej investitorëve kryesorë të huaj në Rusi, ka deklaruar se vendi është shndërruar tashmë në një shtet kriminal. Bill Browder, nga firma “Hermitage Capital”, bëri këto akuza, pas lajmit se avokati i tij ka vdekur në një burg në Rusi, ku u mbajt për një vit, pa ngritur fare padi kundër tij. Ai theksoi se avokati i tij, Sergei Magnitsky, në të vërtetë u mbajt peng dhe më pas u vra nga autoritetet ruse. Nëpërmjet “Hermitage Capital”, Browder ka bërë fushatë kundër korrupsionit në disa prej kompanive më të mëdha në Rusi. Zyrtarët rusë njoftuan se kanë filluar hetimet në lidhje me vdekjen e Magnitskyt. Në vitin 2005, Browder u dëbua nga Rusia, pasi u cilësua nga zyrtarët rusë si “kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë”, pas akuzave se firma e tij i është shmangur obligimeve tatimore, por Browder theksoi se kompania e tij është vendosur në shënjestër të kriminelëve, të cilët kanë tentuar të përvetësojnë me miliona euro të pasurisë së tij. Por ai pati deklaruar se ky ishte një dënim, për shkak se ishte një kërcënim për politikanët e korruptuar dhe burokratët rusë. Që nga dëbimi i Browder nga Rusia, disa bashkëpunëtorë të tij në Rusi, përfshirë këtu edhe avokatët, të cilët kanë punuar për kompaninë e tij, janë arrestuar, rrahur apo plaçkitur. Para ngritjes së akuzave për shmangie të obligimeve tatimore në adresë të tij, Browder për shumë vite me radhë ka qenë njëri prej mbështetësve kryesorë të qeverisë ruse dhe presidentit të atëhershëm të Rusisë, Vladimir Putin. Browder theksoi se gjatë kohës sa ka qenë në burg, Magnitsky ka pasur probleme shëndetësore dhe se ai më pas është transferuar në një burg tjetër, në të cilin i është mohuar trajtimi mjekësor. Ai më tutje shtoi se beson se vdekja e avokatit të tij është e lidhur drejtpërsëdrejti me akuzat në adresë të tij për shmangie të obligimeve tatimore. “Ata kanë ngritur akuza kundër meje dhe e kanë shfrytëzuar atë si mjet. Magnitsky ka qenë peng i tyre dhe ata e kanë vrarë atë, duke ia mohuar trajtimin mjekësor”, tha Browder. Rrethanat e vdekjes së Magniskyt kanë detyruar Browderin që të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Rusisë dhe Putinit. “Kur Putin doli për herë të parë në sipërfaqe dhe theksoi se ai do të frenojë oligarkët, unë kam qenë ithtari më i madh i këtij koncepti. Megjithatë, tani në funksione kemi zyrtarë për zbatimin e ligjit, të cilët janë kriminelë me kompetenca të pakufizuara, të cilët shkatërrojnë jetët e njerëzve. Rusia në thelb tani është një shtet kriminel”, tha Browder. Ai theksoi se do të bëjë çmos që është në fuqinë e tij, për të siguruar drejtësi për Magnitskyn. “Ne nuk do të ndalemi, përderisa njerëzit përgjegjës për vdekjen e tij të mos dalin para drejtësisë”, tha ai. Duke reaguar ndaj vdekjes së Magnitskyt, ministri rus i Drejtësisë, Alexander Konovalov, theksoi se atij i nevojiten dëshmi shtesë për atë se Magnitskyt në burg nuk i është ofruar trajtimi i duhur mjekësor.

 

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 2736 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive