Hyrje | Bota | Miliband i thotë jo BE-së

Miliband i thotë jo BE-së

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Shefi i diplomacisë britanike, Devid Miliband, tashmë edhe zyrtarisht e ka përjashtuar veten nga gara për postin e ministrit të Jashtëm të BE-së, duke thënë se mbështet fushatën e ish-kryeministrit të Britanisë, Toni Bler, për t’u bërë presidenti i parë i unionit. Me një sy të hedhur nga mundësia që në të ardhmen të kryesojë Partinë Laburiste, Miliband theksoi se ardhmëria e tij është e lidhur me Britaninë, duke theksuar se ai dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat në Britani pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm. Kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, i cili është përgjegjës për hartimin e listës së ngushtë të kandidatëve për mbulimin e tre funksioneve të reja të BE-së, atë të presidentit, ministrit të Jashtëm dhe sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, po përballet me vështirësi mjaft të mëdha. Pas hartimit të listës, përzgjedhja e Reinfeldit duhet të marrë pëlqimin e 27 udhëheqësve të shteteve anëtare të BE-së. Ai këtë do të përpiqet ta bëjë gjatë samitit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel. Në komentin e tij të parë publik, në lidhje me kandidaturën e tij të mundshme për ministër të Jashtëm të unionit, Miliband tha: “Jam i përkushtuar ndaj Britanisë dhe qeverisë laburiste të vendit. Pas disa muajsh në vendin tonë do të kemi zgjedhje të përgjithshme. Në momentin kur u vendosa para zgjedhjes, se a do të qëndroj apo të largohem nga Britania, për mua ka ekzistuar vetëm një përgjigje: që të qëndroj dhe të luftoj për atë Britani, në të cilën besoj. Kjo për mua është një gjë tejet e qartë”. Edhe sekretari për biznes dhe ish-komisioneri për Tregti i BE-së, Lordi Mandelson, bëri të qartë se nuk është i interesuar për funksionin e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme. “Dëshiroj të mbetem anëtar i qeverisë së Britanisë, dëshiroj t’i shërbej popullit britanik. Unë tashmë kam shërbyer në Bruksel. Tani jam kthyer përgjithmonë në shtëpi. Nuk do të largohem nga politika britanike”, tha Mendelson. Bler deri më tani ka refuzuar të bëjë komente publike, për dëshirën e tij për t’u bërë president i BE-së, përkundër faktit se është kandidati i përzgjedhur nga ana e qeverisë në Londër. Reinfeldt bëri të qartë se në samitin e BE-së do të kumtojë emrat e kandidatëve të tij të preferuar, për të mbuluar tre funksionet e reja në union. Kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, thuhet se është favoriti kryesor për të mbuluar funksionin e presidentit, pasi ka siguruar mbështetjen e francezëve dhe të gjermanëve, si dhe të disa shteteve më të vogla, anëtare të unionit. Favorit për funksionin e përfaqësuesit për politikë të jashtme konsiderohet ish-ministri i Jashtëm i Italisë, Massimo d’Alema, ndërsa favorit për mbulimin e funksionit të sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës konsiderohet diplomati francez, Pierre de Boissieu.

 

 

 

 

Studimi në Suedi

 

Vërtetohen efektet e celularit në trurin tonë

 

Sipas studiuesve, bëhet fjalë për një ndryshim biologjik, pasi celulari modifikon përqendrimin e një proteine mbrojtëse të trurit të njeriut

 

Prej shumë kohësh është folur për problemet që mund të na shkaktojë përdorimi i tepërt i telefonit celular në trurin tonë, por asnjëherë më parë nuk ka pasur një studim të mirëfilltë që të vërtetojë apo provojë një gjë të tillë shkencërisht. Një studim i ri i kryer në Suedi, duket se ka bërë një hap përpara në këtë drejtim, pasi tregon mbi një ndryshim biologjik si pasojë e ekspozimit të gjatë ndaj pajisjeve pa fije. Për momentin, e vetmja e dhënë e sigurt është që celularët prodhojnë një efekt biologjik në trurin tonë. Nuk është ende e qartë nëse një gjë e tillë paraqet rreziqe të rënda, por gjithsesi, studiuesit këshillojnë përdorimin sa më të limituar të jetë e mundur, përfshirë këtu dhe masat mbrojtëse, siç janë kufjet, të telefonave celularë apo pajisjeve të tjera pa fije. Nga studimi i kryer në Universitetin Örebro të Suedisë, rezulton një korrelacion i fortë mes përdorimit të celularëve dhe një proteine që ndodhet në lëngun përgjegjës, veç të tjerash për mbrojtjen e trurit nga ndikimet e jashtme. Përdorimi intensiv i dispozitivëve wireless ka shfaqur prirjen për të rritur nivelin e kësaj proteine (të quajtur transtiretina) në gjakun e njeriut. Kërkuesit këshillojnë shumë kujdes në interpretimin e këtyre të dhënave. Nuk është ende e qartë nëse shtimi i kësaj proteine mund të konsiderohet si shenjë rreziku për shëndetin tonë. Gjithsesi, tashmë ekzistojnë provat shkencore se celularët prodhojnë një ndryshim biologjik të trurit tonë, i cili për t’u vetë mbrojtur nga fluksi konstant i sinjaleve wireless (pa fije), ka prirjen të prodhojë transtiretinën në sasi më të mëdha. Pjesa e dytë e studimit është fokusuar edhe te simptomat që fëmijët dhe adoleshentët shfaqin me përdorimin e rregullt të celularit. Studimi tregon për dhimbje koke, shqetësime astmatike dhe problem përqendrimi pikërisht te fëmijët që përdorin shumë celularin. Edhe në këtë rast, studiuesit theksojnë se është ende herët për të arritur në konkluzione. “Është e nevojshme të kryhen kontrolle të mëtejshme për të përjashtuar prezencën e faktorëve të tjerë”, - thonë ata. Gjithsesi, në pritje të të dhënave të tjera më të sakta mbi rreziqet, këshillohet marrja e disa masave parandaluese. Studiuesit thonë se vetëm 2 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve përdorin kufjet, të cilat natyrshëm mbrojnë trurin tonë. “Është mjaft shqetësuese”, - theksojnë kërkuesit suedez, sipas të cilëve për momentin ajo çka është vërtetuar është nxehja e prodhuar nga celularët, i ashtuquajturi efekti termik. Por ata vënë në dukje se mund të ketë faktorë të tjerë, të cilët mund të zbulohen vite më vonë. 

 

 

35 mijë dollarë për të vizituar shtëpinë e Gejts

 

Çdo vit, themeluesi i “Mikrosoftit” vë në ankand një vizitë në shtëpinë e tij për qëllime bamirësie

 

Sa do të ishit të gatshëm të paguanit për të kaluar një ditë nën shoqërinë e Bill Gejts, duke bërë shëtitje në rezidencën e tij mahnitëse pranë liqenit Uashington? Një punonjës i “Mikrosoftit” arriti të përfitojë udhëtimin në një ankand të kompanisë për një shumë prej 35 mijë dollarësh. Çdo vjeshtë “Mikrosofti” vë në dispozicion një seri produktesh dhe shërbimesh në një ankand të brendshëm për qëllime bamirësie. Prej disa vitesh tashmë, oferta që tërheq më shumë përfitime, është gjithnjë një tur në shtëpinë e ish-bosit Bill Gejts. Vitin e kaluar, në kulmin e recensionit ekonomik, mjaftuan 8 mijë dollarë për të përfituar një ditë nën shoqërinë e manjatit. Ndërsa këtë vit u arrit deri në katërfishimin e shumës së ofertës maksimale dhe për rrjedhojë fituese. Rezidenca ndodhet pikërisht mbi liqenin Uashington, pak hapa nga Siatëlli, ku ndodhen dhe zyrat e përgjithshme të “Mikrosoftit”. Ai ose ajo që fiton ankandin mund të marrë me vete edhe një grup miqsh. Të gjithë mysafirët priten nga vetë Bill Gejts personalisht, i cili përveçse bën udhërrëfyesin në shtëpinë e tij gjigande, u ofron atyre edhe ndonjë gjë për të ngrënë. Gjatë ankandit të kompanisë, ka edhe produkte të tjera që kanë arritur shifra rekord. “Sanduiçi më i mirë në botë”, për shembull, u shit për 500 dollarë. Punonjësve iu desh të luftonin edhe për një xhiro në makinën “Chevrolet Corvette”, me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë, Stiv Ballmer. Për ata që nuk janë punonjës të “Mikrosoftit”, por ua lejon xhepi që të derdhin gjithë ato para, mund të kënaqen me një xhiro virtuale në shtëpinë e Bill Gejts, që ndodhet në “YouTube”.

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1254 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive