Mafia, plan për të rrëmbyer Silvio Berluskonin
Rrëfimi i një të penduari
Një ish-mafioz që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë ka treguar planin e “Koza Nostrës” për të rrëmbyer Berluskonin në vitin 1970
Silvio Berluskoni i ka shpëtuar paq një rrëmbimi nga mafia italiane, falë ndihmës së një mafiozi. Ngjarja u përket gati 40 viteve të shkuara, kur Berluskoni nuk i ishte futur ende rrugës së politikës, por ishte një sipërmarrës gjithnjë e në rritje të aktivitetit të tij. Ish-mafiozi Gaspare Mutolo, që mori statusin e të penduarit pas bashkëpunimit me drejtësinë, veçanërisht gjatë periudhës së prokurorit të famshëm Xhovani Falkone, ka thënë për një revistë italiane se organizata kishte planifikuar të rrëmbente Berluskonin në vitin 1970, ndërsa ai po bëhej një sipërmarrës i suksesshëm. Një skuadër me 18 vetë u krijua për të marrë peng pronarin e ekipit të futbollit të “Milanit”, por puna u anulua, sepse sikur ta dinte se çfarë do të ndodhte, në atë kohë Berluskoni punësoi një prej njerëzve të “Koza Nostrës”, Vitorio Manganon, për ta mbrojtur. “Rrëmbimi më i rëndësishëm në të cilin jam përfshirë ndonjëherë ishte pikërisht ai që ishte planifikuar kundër Berluskonit, në 1970-ën, por që nuk u krye ndonjëherë”, - ka thënë 69-vjeçari Mutolo, i cili pretendon se ka vrarë 30 vetë gjatë 25 viteve të tij në mafia, krime për të cilat nuk është paditur asnjëherë. “Unë as që e dija se kush ishte, thjesht na thanë se duhet të rrëmbenim njëfarë Berluskoni, atë tipin që po ndërtonte “Milano 2” (Sipërmarrja e pronave të kryeministrit që ndodhej në rrethinat e Milanos). Në atë kohë, bosi i bosëve ishte Gaetano Badalamenti dhe ai lëshoi urdhrin, duke thënë se nuk do të kryheshin më rrëmbime në Sicili. Kjo nuk ishte aspak problem, sepse kishte plot njerëz të pasur në veri të Italisë, ndaj ne vajtëm andej ku terreni ishte krejt i pastër”, - ka rrëfyer Mutolo për “Vanity Fair”. Sipas tij, mafiozë rrëmbenin njerëzit, negocionin me familjet e tyre që të paguanin një haraç dhe më pas e merrnin sërish mbrapsht personin e marrë peng. “Për Berluskonin u përgatitën 18 prej nesh dhe më pas morëm urdhra të tjerë dhe plani u anulua. Zbuluam se Berluskoni kishte punësuar Vittorio Manganon (një ish-gangster mafioz, i cili vdiq në burg) për ta mbrojtur. Mangano ishte me të vërtetë i zoti dhe nuk bëhej shaka me të”, - ka vazhduar intervistën ish-mafiozi. Silvio Berluskoni e ka mohuar gjithnjë të kishte dijeni që Mangano ishte anëtar i mafies siciliane. Ai ka thënë se e kishte punësuar Manganon për t’u kujdesur për kuajt e tij dhe më pas si shef në vilën e tij në Arkore, pranë Milanos. Megjithatë, Mangano u dënua disa vite më vonë si anëtar i “Koza Nostrës”, për trafik droge dhe dy akuza për vrasje. Ai vdiq nga shkaqe natyrale në vitin 2000, ndërsa ndodhej në burg. Ndërsa Gaspare Mutolo, i cili ka treguar ngjarjen, u dënua për trafik droge dhe shoqërim mafioz në vitin 1987, në të cilin u dënua me 16 vjet heqje lirie. Në 1992-in ai vendosi të tradhtojë mafien, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe u lirua, ndërsa aktualisht ndodhet në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.
BE-ja zgjedh presidentin më 19 nëntor
Presidenti i parë i BE-së do të zgjidhet më 19 nëntor dhe pothuajse me siguri që ai do të jetë një ish apo kryesues aktual i një qeverie. Deklaratën e ka bërë vetë kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt, në intervistën dhënë gazetës “Financial Times”. Reinfeldt, i cili po e kryeson procesin për emërimin e presidentit, zbuloi se vendimi do të merret të enjten e ardhshme, gjatë takimit të presidentëve dhe të kryeministrave të 27 shteteve anëtare të BE-së, i cili do të zhvillohet në Bruksel. Presidenca është një prej dy funksioneve të reja të larta të unionit, të cilat BE-ja i ka krijuar për të ushtruar në mënyrë më efektive ndikimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe për të përmirësuar procedurat politike. Funksioni tjetër është ai i përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme, i cili do të ketë kompetenca të shtuara. Zyrtarët qeveritarë në kryeqytetet e BE-së kanë theksuar se gara për këto dy funksione mbetet e hapur, por si kandidat i fuqishëm për funksionin e presidencës mbetet kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, i cili ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë funksion. Reinfeldt, shteti i të cilit është kryesues i radhës i BE-së, theksoi se ai do të intensifikojë këtë javë konsultimet me udhëheqësit e BE-së. “Deri me tani nuk e kam pyetur askënd se a dëshiron të jetë kandidat apo jo dhe nuk do ta bëj këtë, përderisa të mos kemi një shumicë të qartë, e cila do të mbështesë kandidaturën e ndonjë kandidati të caktuar. Kemi një situatë të tendosur, me kryeministra dhe individë tjerë, të cilët tashmë ushtrojnë funksione. Unë duhet të jem i sigurt, para se të pyes ata se a dëshirojnë të jenë kandidat”, tha Reinfeldt. Megjithatë, ai bëri të qartë se kandidati që do të emërohet pothuajse se me siguri se do të jetë një politikan, i cili ka përvojë në kryesimin e qeverisë. “Është e qartë se kemi një grup të ngushtë të kandidatëve, kryesisht ish apo kryeministra aktualë”, tha Reinfeldt. Kryeministri i Britanisë, Gordon Braun, gjatë javës së kaluar nënvizoi përkrahjen e tij për Toni Bler, si kandidat të mundshëm për president të unionit. Zyrtarët britanikë kanë theksuar se mungesa e konsensusit për kandidatët alternativë nënkupton se ish-kryeministri i Britanisë, për të cilin më herët u theksua se gjasat e tij janë zbehur dukshëm, është rikthyer në garë. Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, i ka thënë miqve të tij, se ai dëshiron të mbetet i angazhuar në politikën e Britanisë, ku ai konsiderohet si pasardhës i mundshëm i Braunit dhe se nuk e synon funksionin e përfaqësuesit të BE-së për politikë të jashtme. Reinfeldt duhet të sigurojë një kompromis delikat ndërmjet 27 shteteve anëtare të BE-së, për mbulimin e funksionit të presidentit dhe të përfaqësuesit për politikë të jashtme. Reinfledt theksoi se ka biseduar me pothuajse të gjithë 27 udhëheqësit e shteteve anëtare të unionit. “Jam shumë afër kompletimit të rrethit të parë të konsultimeve. Pas kësaj, do të fillojë rrethin e dytë, me gjasë që nga dita e sotme, me ç’rast do të fillojë punën për gjetjen e një kompromisi”, nënvizoi Reinfeldt.
Ankaraja e lodhur me Europën, kërkon sërish perandorinë otomane
Analistët politikë europianë thonë se në takimin e fundit mes Obamës dhe kryeministrit izraelit, Netanjahu, që zgjati gati një orë e gjysmë, pavarësisht urgjencës së presidentit amerikan për të marrë pjesë në varrimin e viktimave të masakrës në Fort Hud, veç konfliktit izraelito-palestinez, u diskutua gjerësisht edhe për Turqinë. Ndryshimi i raporteve mes Ankarasë, Sirisë dhe Iranit, armiqve historikë, ftohja e marrëdhënieve me Izraelin, kontrolli në rritje i Turqisë ndaj furnizimeve europiane të naftës mund të shfaqë për Europën dhe NATO-n jo më pak problematike sesa çështja bërthamore iraniane. Që Turqia po ndryshonte politikën e jashtme, kjo u bë e qartë që në vitin 2003, kur ajo vuri veton ndaj kalimit të trupave amerikane për të pushtuar Irakun. Ftohja e raporteve me Izraelin, të shoqëruara nga sulmet verbale të kryeministrit Erdoan kundër Jerusalemit nuk janë produkti kryesor, por termometri i një riorientimi turk, që lind nga tre zhgënjime dhe katër ndryshime historike.
Zhgënjimet
Dështimi i politikës së zgjerimit në ish-republikat aziatike të gjuhës turke të ish-Bashkimit Sovjetik, dështimi i pranimit në Komunitetin Europian, dështimi i sforcove të ndërmjetësimit në konfliktin palestinez (në të cilin Izraeli kontribuoi duke nisur një operacion ushtarak kundër Gazës, pikërisht një ditë pasi siguroi kryeministrin Erdoan interesimin e tij në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke mohuar aksesin në Gaza).
Ndryshimet historike
Fundi i luftës së ftohtë dhe i rrezikut sovjetik, fundi i rrezikut arab me rënien e regjimit të Sadam Hyseinit, izolimin e Sirisë, me humbjen e lidershipit arab në Egjipt, kundërshtarë që justifikonin aleancën me Izraelin prapa shpinës së tyre, fundit i pavarësisë ekonomike me Perëndimin falë zhvillimit të ekspertëve në botën arabo-islamike, si dhe fundi i tensionit me Armeninë dhe kurdët. Për të shfrytëzuar këto ndryshime historike u zhvillua edhe doktrina e “pushtetit të butë” turk, që rilëshon idenë e një perandorie otomane, në të cilën ministri i Jashtëm Ahmed Devutoglu është mendja dhe kryeministri Erdoan zemra. Një rilindje kjo e bazuar në penetrimin tregtar dhe diplomacinë e ndërmjetësimit të konflikteve rajonale me tri sprapsje të brendshme mjaft të rëndësishme: limitimi i autoritetit të ushtarakëve “rojeve” të laicizmit të Ataturkut, konsolidimi i prezencës së partisë islamike AKP mes masës konservatore të Anadollit kundrejt inteligjencës laike të Stambollit dhe lejimi i konsolidimit të asaj që ka qenë gjithnjë një parti islamike fundamentaliste, por me fjalë admiruese e vlerave perëndimore. Duke mos pasur më nevojë për Izraelin, prapa shpinës së armikut arab dhe për të evituar votën në Kongresin Amerikan mbi masakrën e armenëve, pasi ka dobësuar falë presionit europian rolin e ushtrisë në politikën turke, duke denoncuar Izraelin, por pa prishur raportet ekonomike dhe teknologjiko-ushtarake, balancuar hezitimet e Europës me presionin e energjisë, tashmë Turqisë nuk i kushton shumë dhe mund të prodhojë rezultate fantastike në botën islamike. Trupat e sulltanit të Kostandinopojës natyrisht që nuk janë rikthyer në portat e Vjenës. Por manifestet që denoncojnë “kalin e Trojës me ngjyrat e Islamit”, të përhapur në Varshavë dhe kryeqytetet e tjera europiane duken më realiste se ç’ngjajnë të vërtetë.
“Il Giornale”
-
2276 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg