PS: Hetimi përmes kutive garantohet nga Kushtetuta
Para nisjes së përgatitjeve për tryezën, opozita argumenton se hetimi i plotë i zgjedhjeve është një e drejtë legjitime që nuk bie ndesh me asnjë ligj
Kreshnik KUÇAJ
Partia Socialiste argumentoi dje se kërkesa e saj për hetimin e plotë të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit nuk bie ndesh me Kushtetutën. Ashtu si Partia Demokratike, edhe Partia Socialiste tha një ditë para nisjes së përgatitjes së tryezën së negociatave se është e vendosur për kërkesën e saj, e cila cilësohet konform Kushtetutës e ligjeve. Deputeti Taulant Balla tha dje se Partia Demokratike e kryetari i saj Sali Berisha nuk kanë të drejtë të flasin për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Tashmë për të gjithë shqiptarët dhe për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë është mëse e qartë domosdoshmëria e hetimit të plotë të zgjedhjeve. Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo. Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri, që mund të flasë për Kushtetutën” tha Balla. Sipas deputetit socialist, kryeministri Berisha nuk e njeh Kushtetutën pasi përndryshe nuk do kishte shkelur me dhjetëra herë gjatë këtyre viteve. Balla tha se janë 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë gjetur fajtor Berishën si shkelës të Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, Balla tha se kreu aktual i qeverisë në të gjitha rastet i është kundërvënë Gjykatës Kushtetuese dhe asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë e 20 “atentateve” kushtetuese. “Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve, Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve? Kur në fakt është pikërisht Kushtetuta, dokumenti themelor i shtetit, që garanton të drejtën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e Parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim” vijoi Balla. Sipas tij, Partia Socialiste ndan me Këshillin e Evropës e me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, se bojkoti dhe protestat qytetare janë të vetmit mekanizma demokratikë, në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar. Balla tha se refuzimi i kësaj të drejte për të hetuar zgjedhjet është në thelb, uzurpimi i parlamentit. “Shqipëria rrezikon të destabilizohet thotë Këshilli i Evropës. Është e vërtetë, sepse kjo krizë politike është një krizë degraduese për institucionet e vendit dhe problemi qëndron në themelin e kësaj krize, legjitimiteti i zgjedhjeve është një problem që duhet zgjidhur për të ndalur këtë degradim” përfundoi Balla.
Meta: Presioni i protestave nuk i shërben negociatave
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha dje se opozita nuk duhet të bëjë presione, por duhet të respektojë institucionet dhe ligjet e vendit. Sipas tij, presionet e opozitës për organizimin e protestave popullore nuk i shërbejnë procesit të negociatave. Numri dy i qeverisë tha se lideri i opozitës ka dalë nga realiteti dhe se institucionet në vend funksionojnë në mënyrë demokratike, edhe pse pranoi se ky funksionim nuk është perfekt. Ai ka shtuar më tej se respekton pozitën kushtetuese të Presidentit Bamir Topi, por nuk pranoi të bëjë komente të gjata lidhur me rolin e tij si negociator për zgjidhjen e krizës politike në vend. “Nuk dua të bëj asnjë koment për rolin e Presidentit, pasi unë respektoj pozitën e tij kushtetuese mbi palët dhe angazhimin tij të shprehur në mënyrë të vazhdueshme për të kontribuar në ecjen para të vendit, përmes një dialogu sa më të frytshëm që inkurajon të gjithë të bëhen pjesë e këtyre proceseve integruese” tha Meta. Duke i dhënë përgjigje pyetjes nëse do të jetë në tryezën e negociatave mes mazhorancës dhe opozitës, Meta u përgjigj në mënyrë indirekte duke thënë se kryeministri Berisha ka qenë i qartë dhe i vullnetshëm për t’i ofruar garancitë opozitës. Meta përmendi rezolutën e Këshillit të Evropes për zgjidhjen e krizës, për të cilën tha se mazhoranca pjesë e së cilës është edhe LSI-ja, do ta respektojë. “Besoj se zoti Berisha është tërësisht i qartë dhe i vullnetshëm për të ofruar ato garanci demokratike të cilat asnjë herë nuk kanë munguar nga ana e mazhorancës dhe nga e qeverisë për opozitën, por që akoma më tej janë përforcuar dhe nga një mesazh tepër i qartë dhe kompleks që vjen nga Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të cilën qeveria dhe mazhoranca janë shprehur plotësisht të dëshiruar dhe të vullnetshëm që ta zbatojnë dhe respektojnë siç i takon një mazhorance serioze, një mazhorance që punon për integrimin europian të vendit” tha Meta. Ndërkohë, Meta hodhi poshtë zërat se deputetët socialistë që janë shprehur se do të futen në Kuvend para datës 4 mars të këtij viti mund të gjejnë “strehim” tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Meta tha se këto nuk janë manovra të preferuara nga forca e tij politike. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka qëllim të shtojë grupin e saj parlamentare me manovra, të cilat nuk janë aspak të preferuara nga ana e jonë. Aq më tepër as nuk janë të domosdoshme, për arsye sepse ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe jemi të bindur se kjo do të jetë një qeveri shumë e suksesshme, e cila do të përmbush të gjitha angazhimet e saj kryesore me përgjegjësi dhe seriozitet të plotë deri në 28 qershor të vitit 2013. Përsa i takon qëndrimeve dhe problemeve që janë brenda opozitës ato janë problemet e tyre dhe unë nuk dua të marrë përsipër të bëhem pjesë e debateve të tyre”tha Meta.
Xhaçka: Meta dhe Berisha, diversion duke na kthyer 13 vjet pas
Deputetja socialiste Olta Xhaçka deklaroi dje se kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta po përsërit fjalitë e kryeministrit Sali Berisha duke bërë diversion ndaj opozitës. Pas deklaratës së djeshme të Metës, deputetja socialiste tha se numri dy i qeverisë po përsërit fjali boshe me një logjikë që të çon 13 vite më parë. “Ilir Meta vazhdon të përsërisë fjalët boshe të Sali Berishës ndërkohë që rezoluta që aq shpesh evokohet në këtë logjikë të çalë, pranon se Shqipëria është në krizë. Rezoluta kërkon dialog. Sali Berisha e Ilir Meta bëjnë diversion, duke na kthyer 13 vjet pas kur Sali Berisha refuzonte të pranonte dialogun, vullnetin e popullit e vullnetin e palëve. U desh detyrimisht të ndërhynin ndërkombëtarët për të vendosur rendin e munguar” tha Xhaçka. Sipas saj, opozita nuk mund të lejojë më shembullin e politikës së vjetër të mashtrimit publik që duhet çrrënjosur nga jeta publike shqiptare, duke filluar me çrrënjosjen e korrupsionit elektoral. “Ne rikërkojmë sot tryezën e Kryetarit të Shtetit, Presidentit të vendit, duke theksuar se zvarritja e dialogut nga Sali Berisha nuk e ul dot ritmin e përgatitjeve tona për protestën e madhe të Frontit Opozitar, deri në largimin e qeverisë. Kërkojmë dialog për zgjidhje ose do të vijojmë me protesta për zgjedhje” tha Xhaçka.
Nis organizimi i tryezës
Takimi Berisha-Rama, Topi drejt caktimit të 13-14 shkurtit
Kriza politike në vend duket se do të marrë një zhvillim tjetër ditës së sotme kur pritet që kreu i shtetit Bamir Topi të nisë konsultat me partitë politike për organizimin e tryezës politike. Pas konsultave të sotme, burime në selitë diplomatike në Tiranë të përforcuara nga burime të tjera në kampin e djathtë thonë se ekziston mundësia që dita e parë e organizimit të tryezës Berisha-Rama të jetë e shtuna e ardhshme ose e diela, pra ose 13 ose14 shkurti. Kjo datë, e cila mund të shpallet nga presidenti, shihet si një datë e përshtatshme për vetë faktin se është një javë para se në Tiranë të mbërrijë delegacionit i lartë i Këshilli të Evropës, i cili duhet t’i gjejë palët politike në diskutime. Ndërkohë, edhe pse kreu i shtetit do të nisë konsultat me përfaqësuesit e partive të mëdha politike, duket se edhe vetë selitë partiake nuk do të mbeten pas për vetë faktin se është parashikuar që gjatë ditës së sotme të ketë diskutime dhe negociata në nivel ekspertësh partiak ku si përfaqësues i mazhorancës do të jetë Ilir Rusmali dhe si përfaqësues i opozitës Fatmir Xhafaj. Pavarësisht se nuk konfirmohet nga të dyja palët politike por vetëm nga njëra, pritet që diskutimet informale të kenë në qendër pikërisht modalitetet e takimit në një tryezë të kryetarëve Sali Berisha e Edi Rama. Por përtej këtyre përgatitjeve, burimet partiake nuk u shprehën entuziaste për produktin që mund të prodhojë takimi i parë i fundjavës së ardhshme për të cilën Berisha mund të shtyjë edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar që është parashikuar të votojë për kryesinë. Sipas të njëjtave burime, shpresa për vendosjen në një “hulli” të negociatave janë pikërisht tek vizita e delegacionit të zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës me datën 22 shkurt, pra një javë pas takimit të parë Berisha-Rama.
K.KUÇAJ
Dade: Topi të zgjidhë krizën
Partia Socialiste shprehet e vendosur për të mos lëshuar aspak nga kërkesa e saj për hapjen e kutive. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste Arta Dade, shprehet për “Vizion Plus” se kreu i shtetit duhet të zgjidhë krizën politike në vend, të evidentuar sipas saj, dhe në raportin për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kriza politike, sipas Dades, vjen nga mosfunksionimi i hallkave institucionale, renditur mes argumenteve edhe komunikimin e vështirë mes presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha. Dade komentoi dhe qëndrimin e bërë tashmë publik nga mazhoranca, për djegie të mandateve të 64 deputetëve socialistë pas 4 marsit. Sipas Dades, Partia Socialiste, ka qenë gjithmonë e gatshme për zgjidhjen e ngërçit politik ndërsa i ka kujtuar kryeministrit Berisha se ai ka në dorë rikthimin e opozitës në parlament dhe ndërprerjen e protestave.
-
430 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg