Rusmali: Kushtet e negociatave i përcaktoi KE, ne i zbatojmë
Mazhoranca konfirmon vendosmërinë për të mos pranuar hapjen e kutive ndërsa sot nisin përgatitjet për negociatat. Pritet takimi informal i ekspertëve partiakë
Kreshnik KUÇAJ
Mazhoranca e djathtë konfirmoi dje pozicionimin e qartë për të mos pranuar kushtin e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Deklaratat u bënë një ditë para ditës kur pritet që presidenti Bamir Topi të nisë zyrtarisht punën për të ulur në një tryezë diskutimesh forcat politike dhe kur në selitë e partive politike po diskutohet mundësia që ditën e sotme të zhvillohet një takim informal ekspertësh mes Ilir Rusmalit dhe Fatmir Xhafës. Kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropes, Ilir Rusmali tha dje se rezoluta është e qartë dhe do të zbatohet me përpikmëri nga mazhoranca. Deputeti demokrat i cili pritet të jetë pjesë e delegacionit negociator të mazhorancës tha gjithashtu se kreu i opozitës Edi Rama po bën presion para negociatave përmes protestave popullore. “Kryetari i Partisë Socialiste është përpjekur të bëjë një binjakëzim midis nevojës për dialog politik dhe kërcënimit për protesta. Ky binjakëzim është e papranueshme nga këndvështrimi i Rezolutës së Asamblesë KE-së. Ai po përpiqet përditë me kërcënim dhe me keqinterpretim të përligjë bojkotin, si i mbështetur në Rezolutën e Këshillit të Evropës. Ndërkohë, që në paragrafin e parë Rezoluta për Shqipërinë thekson se ky bojkot i zotit Rama i bën reformat e nevojshme shqiptare të pamundura. Ajo thekson se kjo situatë, situata e bojkotit dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tij për integrim evropian” tha Rusmali në daljen e djeshme për mediat. Përfaqësuesi i mazhorancës tha më tej se rezoluta në asnjë rresht të saj nuk bën lidhje mes dialogut politik me kërcënimin për protesta. Po ashtu, Rusmali nuk komentoi qartësisht nëse qëndrimet që po mbajnë palët politike për çështjen e hapjes së kutive të votimit mund të dështojnë tryezën e presidentit Bamir Topi. Rusmali tha vetëm se mazhoranca është e gatshme që të zbatojë me përpikmëri rekomandimet e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropes. “Rezoluta e Asamblesë përcakton se cilat janë kushtet e negociatës, se cilat janë kushtet që duhet të respektojnë palët në dialogun e tyre politik. Ne si Parti Demokratike kemi deklaruar në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve që, PD-ja është e gatshme ta zbatojë pikë për pikë këtë Rezolutë, me të gjithë përmbajtjen e vet. Ajo që nuk po shohim të ndodhë është ajo që duhej të vinte nga Partia Socialiste, nga zoti Rama, i cili edhe pse rezoluta është shumë e rreptë me të, përpiqet ta paraqesë atë në të kundërtën e vet, ta paraqesë si mbështetje të bojkotit” vijoi Rusmali. Më tej, përfaqësuesi i Partisë Demokratike nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjes nëse ka pasur kontakte mes PD-së dhe kreut të shtetit duke u përgjigjur se kjo pyetje duhej t’i drejtohej presidentit Topi sepse është ai që i ka ndërmarrë përsipër negociatat. ”Negociata është një çështje e Presidentit të Republikës. Ne, kur thashë që jemi të gatshëm të respektojmë pikë për pikë rezolutën, e respektojmë dhe jemi shumë seriozë edhe në respektimi e kësaj pike. Kështu që unë besoj se pyetja nuk mund t’i drejtohet një përfaqësuesi të njërës palë politike; pyetja për negociata i drejtohet autorit, njeriut që merr përsipër negociatat” tha Rusmali. Po ashtu, deputeti demokrat mohoi që të ketë pasur negociatave në nivel partiak me Partinë Socialiste sepse, ashtu sikurse parashikon rezoluta, kushtet e negociatave janë të përcaktuara qartë. Rusmali tha se rezoluta i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të drejtojë negociatat dhe PD-ja do ta respektojë këtë pikë.
-
276 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg