Topi: Po konsultohem me Ramën e Berishën për datën e tryezës
Kreu i shtetit merr përsipër zyrtarisht rolin e organizatorit të tryezës, që synon zgjidhjen e krizës politike: Të përgatisim termat e bisedimeve
Kreshnik KUÇAJ
Presidenti Bamir Topi deklaroi dje nisjen e përgatitjeve për organizimin e tryezës politike që do të vendosë përballë kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, që do të negociojnë për zgjidhjen e krizës politike. Një ditë pasi kryeministri Berisha i kërkoi kreut të shtetit që të dërgojë ftesën për nisjen e negociatave, kreu i shtetit tha zyrtarisht se ka nisur konsultimet me palët politike, për të vendosur pastaj për datën e mbledhjes së tryezës. Përmes një njoftimi zyrtar, Topi tha se do të vendosë kontakte me kryeministrin Berisha, kreun e PS-së, Edi Rama dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të koordinuar veprimet dhe termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama. Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, u tha dje në reagimin zyrtar të Presidencës. Pavarësisht angazhimit fillestar të kreut të shtetit, duket se ky i fundit do të presë edhe një herë tjetër, derisa palët politike të përgatisin dosjet dhe qëndrimet që do të ballafaqohen. Referuar deklaratës së djeshme të Topit, por edhe asaj të dy ditëve më parë të kryeministrit Berisha, që tha se nevojiten parapërgatitje, duket se data e organizimit të tryezës mund të realizohet në ditët në vijim. Po ashtu, mësohet se mazhoranca është e interesuar që takimet të nisin pak ditë para se të mbërrijë në Tiranë delegacioni i zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës, në mënyrë që vizitat e tyre të mos rezultojnë e panevojshme dhe që ata të mos përjashtohen nga procesi i negociatave. Vizita e ekipit të zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës është parashikuar të nisë më datë 22 shkurt.
Aktivizimi i kreut të shtetit
Presidenti Bamir Topi ka shprehur gatishmërinë e tij për të organizuar një tryezë politike për zgjidhjen e krizës disa muaj më parë, por fillimisht nuk është marrë parasysh, të paktën nga mazhoranca. Ndërsa shpallte gatishmërinë e tij për këtë rol, kreu i shtetit ka sqaruar se nuk do të ndërmarrë asnjë hap të njëanshëm, por do të presë sinjalet e qarta nga selitë e partive. Deri dy ditë më parë ishte vetëm kreu socialist, Edi Rama, ai i cili ishte shprehur qartë se e pranonte presidentin Topi si organizator të tryezës. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha nuk u artikulua qartë deri dy ditë më parë për qëndrimin që do të mbante. Që nga miratimi i rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Berisha e kushtëzoi presidentin Topi, duke i thënë se tryeza mund të organizohet në momentin që ai (Topi) do të bindte Ramën të tërhiqej nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Pak orë pas takimit që zhvilloi me ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë, Berisha u artikulua qartësisht se pranon të ulet në tryezën e Topit me kundërshtarin e tij politik. Tashmë, kreu i shtetit ka marrë mbështetjen e qartë të faktorit ndërkombëtar dhe është pranuar edhe nga dy forcat kryesore në vend dhe mbetet vetëm përfundimi i përgatitjeve të selive partiake, për të caktuar edhe datën e takimit dhe nisjen e negociatave zyrtare.
-
1131 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg