Hyrje | Politike | Berisha: Zgjedhje? Shqiptarët do të votojnë për ne më 28 qershor 2013

Berisha: Zgjedhje? Shqiptarët do të votojnë për ne më 28 qershor 2013

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Kryeministri e vendosi veten tek ata që i përkufizoi me përemrin “ne” në rrëzimin e regjimit njëpartiak, apo sikurse u shpreh, të “Murit të Berlinit Shqiptar”: Realizuam ëndrrën europiane të shqiptarëve

 

Kryeqeveritari Sali Berisha përdori dje historinë e fillimviteve ‘90-të të demokracisë, për të mos i kthyer përgjigje të hapur kërkesës të ligjshme të opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Berisha u mbajt te ngjarjet e korrikut dhe dhjetorit 1990, për të sulmuar në largësi dhe pa emra opozitën përpara protestave të radhës në fillim të muajit të ardhshëm. Ai tha se 8 dhjetori 1990 do të shënohej e festohej nga shqiptarët. Berisha përsëri për çështjen e zgjedhjeve dhe përmendi me eufori se ato nuk do të fitohet nga opozita as pas katër vjetësh. Kryeministri e vendosi veten tek ata që i përkufizoi me përemrin “ne” në rrëzimin e regjimit njëpartiak, apo sikurse u shpreh, të “Murit të Berlinit Shqiptar”. Ai i bëri komentet në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike. Ai iu përgjigj për së largu opozitës dhe kërkesës për zgjedhje të parakohshme, kur tregoi 2013-ën. “Pasi shembëm “Murin e Berlinit”, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë, se ne besonim realisht te kjo ëndërr dhe ne e realizuam atë. Kështu që, ky 8 dhjetor, idealin europian, idealin euroatlantik e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri. Ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri në 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, mesa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë mazhorancë”, - tha ai, duke shtuar “këta janë të gjithë treguesit”. Për Sali Berishën, historia e shembjes së komunizmit nisi tek ambasadat, ngjarje për të cilën ai kujtoi një miting të kohës. “Në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore. Por kjo ishte e përkohshme, sepse murin do ta fshihnin nga faqja e dheut studentët e universitetit të Tiranës, në dhjetor të vitit ‘90, në 8 dhjetor, të cilët me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të Murit të Berlinit dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe. Mund të tingëllojë si joreale përpjekja për rikthimin e Murit të Berlinit, por faktet i kthyen ato përpjekje dhe vetëm ato muaj, në kufijtë e Shqipërisë, janë vrarë me dhjetëra e qindra të rinj, për fajin e vetëm se kërkonin të dilnin në botën e lirë”, - tha Berisha. Ai renditi ato që i quan suksese të pafund të qeverisjes së tij për heqjen e vizave: pranimin e aplikimit për statusin “kandidat” për anëtarësim në BE dhe hyrjen në NATO.

Vizat dhe antimafia

Kryeqeveritari në fjalën në grup u përqendrua te domosdoshmëria e miratimit të ligjit antimafia, një tjetër hap i kundërshtuar nga opozita, meqë vërehen shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Berisha tha se ishte detyrim miratimi, sepse sipas tij, “ky ligj i jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit, të vendosur nga mafia, bllokimit të saj, çka do të thotë “de facto” bllokim i mundësisë së funksionimit të degëve të klanit, të pagoditura për vepra penale nga ligji”. Berisha iu referua bisedimeve me ministrin e Brendshëm të Italisë, Roberto Maroni dhe ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, Dhimitër Drucas. Sipas Berishës, Maroni i kishte deklaruar se “të gjithë sukseset e fundit në Itali të luftës kundër mafies, të cilat janë suksese shumë të mëdha, e kanë bazën e tyre në zbatimin rigoroz të ligjit antimafie dhe të një disipline të caktuar në burgjet e Italisë, për bosët e mafies”. Sipas Berishës, miratimi i ligjit të hartuar me ndihmesën e ndërkombëtarëve është një hap për të vazhduar procesin e heqjes së vizave. “Heqja e vizave përbën një arritje shekullore. Ne duhet të ndihemi krenarë për reformat që ndërmorëm, për të bërë të mundur këtë proces, duhet të jemi krenar, sepse Shqipërinë, nga një protektorat krimi dhe droge të Aldo Bareve dhe të bashkëpunëtorëve të Aldo Bares në pushtet etj., e bëmë një vend të besueshëm për të gjithë vendet anëtare, por në radhë të parë për të dy vendet tona fqinjë e mike, Italinë dhe Greqinë”, - tha ai.

 

 

Reagimi

 

Meta: Pushteti nuk merret me dhunë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje, se ultimatumi drejtuar qeverisë nga Partia Socialiste për pranimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit brenda 10 ditëve është i pavlerë. Ilir Meta e përkufizoi ultimatumin drejtuar kryeministrit Sali Berisha se “është krejtësisht jashtë çdo logjike demokratike, qytetare dhe çdo mendësie europiane”. Ai kujtoi se një ultimatum ishte dhënë edhe për 20 nëntorin, por sipas tij, asgjë nuk ndodhi. “Një ultimatum u dha përpara që në datën 20 nëntor do të bëhej nami, ndërsa ju sot e shikoni apo jo, që jemi këtu me ju me të gjithë mediat. Ndaj gjej rastin të ftoj edhe njëherë tjetër lidershipin e PS-së, që të heqë dorë nga politika e dështuar e nxitjes së tensioneve, të rrëmujave, të ultimatumeve të pa vlera, pasi Shqipëria është një vend tërësisht demokratik, është një vend që ka Kushtetutën e saj, është një vend që është anëtar i NATO-s, është një vend që po përgatitet tashmë për të hyrë në një fazë të re të anëtarësimit BE”, - tha Meta. Për zëvendësin e Berishës në qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike me të majtët e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Metës, “të gjithë e dinë që kutitë e zgjedhjeve i bëri vetë Edi Rama”. Meta iu referua procesit të zgjedhjeve, kur vijoi të argumentojë thënien e tij, se “edhe numërimin, edhe firmosjen, edhe vulosjen, pra ishte vetë Rama me 20 mijë komisionerët e tij në të gjithë Shqipërinë që i bëri” dhe kur shtoi se “kjo është një histori e mbyllur”. Ai tha gjithashtu, se alibia e kutive për “të justifikuar marrjen e pushtetit me forcë”, sikurse u shpreh, “absolutisht jo vetëm që është e dështuar, jo vetëm që po kthehet në një gjë qesharake, por është edhe e turpshme, sepse nuk ka qenë në traditën e PS-së”. “Dhe, - vijoi Meta, - këtu ndiej dhimbje të thellë, kjo formë rruge dhe ky frymëzim anti-shtet dhe anti-institucion. Këto janë frymëzime anti-europiane”. Meta përsëriti se qeveria e ka ftuar mëse njëherë Ramën të dialogojë dhe të hyjë në Kuvend, por nuk ka gjetur mirëkuptimin e tij dhe të opozitës. Për Ilir Metën, referuar mundësisë për të negociuar me Ramën, “qeveria ka qenë dhe është e hapur vazhdimisht”, por sipas tij, “ultimatumi nuk mund të quhet dialog”. “Ultimatumi është ultimatum, vihet data dhe më pas konsiderohet i skaduar. Dialogu do të thotë që të shqyrtohet çdo kërkesë e ligjshme, ndërkohë që kërkesa për hapjen e kutive është e paligjshme është antikushtetuese dhe këta zotërinj jo se kanë hallin e kutive, sepse vetë i kanë numëruar dhe certifikuar ato, por duan një alibi për rrëmuja në këtë vend, kur qytetarët duan qetësi dhe normalitet”, - tha Meta, kryetar i LSI-së. Duke iu referuar rolit presidencial për një ndërmjetësim të mundshëm, Meta tha se në radhë të parë ka vend që opozita “duhet të reflektojnë dhe të kuptojë që nuk merret pushteti me forcë”, se “nuk merret pushteti me dhunë” dhe se “nuk merret pushteti me ultimatume, sepse çështja e kutive është alibia e tyre”.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 331 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive