Hyrje | Politike | Rama: Pse nuk e rrëzonim dot Berishën pas Gërdecit

Rama: Pse nuk e rrëzonim dot Berishën pas Gërdecit

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

 

“Gërdeci është çështje e drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të japë vendimin. Ndërsa lëvizja e tanishme do të çojë në një varg protestash në mbarë vendin, që do të bllokojnë qeverinë e Berishës”.

 

Kreu i PS-së, Edi Rama, tha dje në emisionin “Antinomia” të gazetarit Mentor Nazarko, se qeveria e Sali Berishës nuk mund të rrëzohej pas tragjedisë së Gërdecit, sikur e kanë kërkuar shumë njerëz në atë kohë. I pyetur se përse nuk e kërkoi atëherë Rama dhe PS-ja këtë gjë apo pse nuk përdori protestat për të arritur rrëzimin e ekzekutivit, Rama iu përgjigj: “Nuk është e vërtetë teza se ajo që ndodhi në Gërdec, automatikisht do të kishte rrëzuar qeverinë. Qeveria nuk mund të rrëzohet mbi bazën e atij përfytyrimi që i ka bërë shumë njerëz të kërkojnë që opozita duhej të kishte rrëzuar qeverinë. Si mund ta rrëzonte opozita e asaj kohe qeverinë? Në çfarë forme”? Sipas tij, çështja e Gërdecit është çështje e drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të japë vendimin, duke analizuar imtësisht të gjithë provat dhe dëshmitë e një vepre, e cila pa asnjë dyshim është rezultat i një korrupsioni shtetëror.

“Është pushteti, qeveria dhe institucionet shtetërore që i kanë hapur rrugë fabrikës së vdekjes në Gërdec dhe që kanë mbyllur sytë në sinkron, përballë asaj fabrike. 12 agjenci shtetërore kanë bërë sikur ajo nuk ekziston. Por për të vënë gishtin drejtpërdrejt duhet drejtësia, këtë nuk e bën dot politika. Politika vendos gishtin moralisht dhe flet moralisht, duke përcaktuar kategorinë e fenomenit që ka përpara në kuptimin politik dhe moral. Penalizimin e bën vetëm drejtësia”, - tha ai. 

Ndërsa duke iu kthyer protestave aktuale, kreu i PS-së, i pyetur sesi do të vijojnë ato dhe si do të arrihet objektivi për rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjeve të reja, kryetari i socialistëve opozitarë, Edi Rama, garantoi për vendosmërinë e partisë së tij dhe aleatëve për të mos lëshuar pè ndaj përpjekjeve dhe kokëfortësisë së qeverisë dhe pushtetit për të mos hapur kutitë e votimit të 28 qershorit dhe, rrjedhimisht, për të bllokuar transparencën e procesit zgjedhor të deformuar. Ai hodhi poshtë përdorimin e dhunës dhe gjithashtu mundësinë e hyrjes në Kuvend pa plotësuar kërkesat. Rama i bëri deklaratat në selinë e PS-së, prej nga ku tha se populli opozitar kërkon zbardhjen e krimit elektoral.

Afati

Rama analizoi shkurt gjendjen pas protestës treditore dhe e quajti atë “aktivitet të jashtëzakonshëm”, duke u nisur nga “pjesëmarrja qytetare” dhe nga “intensiteti ditët e fundit”. Partia Socialiste përsëriti me ketë qëndrim atë që e quan “ultimatum” 10 ditor ndaj qeverisë për të hapur kutitë e votimit. Kryetari Rama tha se nuk do të tërhiqet nga kërkesa dhe se, nëse nuk plotësohet brenda 10 ditësh, protesta do të përshkallëzohej. Ai shtoi se kjo ishte periudhë e ndërmjetme që lidhet me afatin e përcaktuar nga lëvizja e re popullore për hapjen e kutive dhe rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, duke rivendosur legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë në vend. “Është thënë qartë, që pas 10 ditësh, në rast se Sali Berisha refuzon t’i hapë rrugë hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve, duke filluar nga hapja e kutive, hyjmë pashmangshmërisht në një fazë të re të aksionit opozitar dhe hapja e kutive, apo më saktë, moshapja e kutive bëhet një arsye e mjaftueshme për popullin opozitar që të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme”, - tha Rama. Ai theksoi se gjithmonë ka kohë për të reflektuar, pavarësisht se një qeveri, sipas tij, e kthyer në regjim dhe e transformuar nga shprehje e lirë e vullnetit të popullit në shërbim të njerëzve, duke deformuar vullnetin e popullit në shërbim të interesave familjare të një oborri të ngushtë njerëzish, nuk karakterizohet nga ndjenja e nevojës për reflektim. “Në rast se nga ana tjetër në këto 10 ditë nuk do të ketë asnjë reflektim dhe në rast se hapja e kutive do të vazhdojë të shihet si një ogur i zi, pa asnjë dyshim moshapja e tyre do të jetë ogurzezë për fatin e këtyre institucioneve të marra peng nga ata që duan të vazhdojnë regjimin e uzurpimit mbi kurrizin e shqiptarëve. Më vjen keq për spekulimet që bëhen, duke aluduar për veprime të dhunshme dhe për rrëzime me dhunë të institucioneve, sepse kjo lëvizje, e përsëris, nuk ka nevojë të krahasohet me çka është parë për keq në të shkuarën, por do të shihet si vijë e atyre lëvizje të mëdha popullore demokratike, që në të shkuarën e kanë çliruar popullin shqiptar nga pushtete uzurpatore, nga qeveri të kthyera në mjete përfitimi dhe abuzimi në kurriz të shqiptarëve, nga forca të cilat kanë transformuar ata që përfaqësojnë thjesht në numra për të rënduar mbi ta dhe të tjerët”, - tha Rama.

Synimi

Kreu opozitar nuk ka la hapësirë për të keqinterpretuar vendosmërinë për transparencën e 28 qershorit, ose në të kundërt, shkuarjen në zgjedhjet e reja. Sipas Edi Ramës, ka një keqkuptim të madh lidhur me protestën dhe me objektivin e saj. “Kjo është një lëvizje popullore demokratike, është shprehje e vullnetit të lirë të një populli të shumicës dhe njëkohësisht është mishërim i një vetëdijeje qytetare, se ka ardhur koha për të mbrojtur dinjitetin dhe për të mbrojtur njëkohësisht liri dhe të drejta, që janë seriozisht të kërcënuara. Një lëvizje popullore demokratike nuk ka të bëjë as me dhunën dhe as me format e degraduara të revoltës qytetare. Rrënimi i përditshëm moral i qeverisjes, nga një qeverisje për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një qeverisje për të përmbushur interesa personale, familjare, klanore të një grupi njerëzish që sot kanë pushtet ilegjitim është në radhë të parë një detyrim i madh qytetar”, - tha ai. Për tri herë me radhë kryebashkiakun e Tiranës, “është e kotë” dhe “e trishtueshme”, sikurse tha, që “kjo lëvizje e pandalshme deri në realizimin e objektivit të saj për të rivendosur demokracinë në Shqipërinë, për të zgjidhur përfundimisht nyjën 20-vjeçare që ka të bëjë me lirinë e zgjedhjeve, ndershmërinë e numërimit të votave, për ta hapur perspektivën e një qeverie kombëtare tërësisht me publikun dhe për publikun”. Po sipas Ramës, kemi të bëjmë me lëvizje që nuk mund të shihet dhe trajtohet si një shprehje e një revolte të paorganizuar dhe që ka të bëjë me data e me përmbysje në ato data të qeverisë. “Nuk është kështu dhe nuk do të ndodhë kështu. Sali Berisha do të detyrohet të dorëzohet përpara popullit, në rast se nuk do t’i hapë popullit rrugë për të parë votën e tij për të shpëtuar nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara”, - tha Rama.

Vendimi

Rama përsëriti gjithashtu se nuk do të ketë hyrje në Kuvend për sa kohë nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve. Ai deklaroi se “opozita nuk do të hyj në parlament, derisa Kuvendi të rivendoset mbi themelin e legjitimitetit që e ka të bëjë direkt me zgjedhjet”. Sipas Ramës, “ne i kemi dhënë Sali Berishës dhe shumicës së sotme parlamentare që qeveris me vota të grabitura mundësinë e këtij legjitimiteti, duke hetuar zgjedhjet e shkuara, duke hetuar votat në kutitë e votimit, duke hetuar procesin e numërimit, listat e zgjedhësve, procesverbaleve dhe të gjithë komponentët e tjerë, në mënyrë që pa shpërndarë mandatet të rivendosim ligjin në bazën e procesit zgjedhor dhe t’i japim mundësi procesit të ardhshëm zgjedhor, që të mos jetë si ai që lamë pas”.

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 1824 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive