Rama: Berisha, ke 10 ditë kohë për kushtet!
Kreu i opozitës paralajmëron protesta të përshkallëzuara në javën e ardhshme. “Nëse qeveria mohon të drejtën për të parë, ne do t’i mohojmë të drejtën për të na qeverisur”
Kreshnik KUÇAJ
Opozita i vendosi dje një ultimatum 10-ditor kryeministrit Sali Berisha për të pranuar kushtin e hapjes së kutive të votimit, përndryshe do të përballet me përshkallëzimin e protestave deri në realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Mesditën e djeshme, ndërsa po i jepej fund protestës 48-orëshe të opozitës, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi se beteja do të vazhdojë edhe më tej, dhe do të jetë e përshkallëzuar. “Në qoftë se brenda 10 ditësh Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir qeverinë e tij dhe të mbajtur peng, duke shkatërruar shtetin dhe ekonominë e shqiptarëve për interesat e familjes së tij, ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme. Uroj që kjo javë e fundit e nëntorit, java e festave të mëdha kombëtare dhe fetare, të sjellë dritën e arsyes në tunelin e shembur të interesit të Sali Berishës për pushtetin personal”, tha Rama, në mitingun përmbyllës të protestës. Duke i bërë një apel të drejtpërdrejtë kryeministrit, Rama i tha se “nuk është burrni të qëndrosh kokëfortësish mbi kutitë e mbyllura të krimit elektoral, siç qëndrove mbi piramidat e mashtrimit financiar”. Në fjalimin e tij, Rama shpjegoi se përshkallëzimi i protestave nuk ka si qëllim përdorimin e dhunës, por do të ndikojë në rënien e qeverisë dhe do të sjellë zgjedhjet e parakohshme.
Aksioni
Duke paralajmëruar pjesët e aksionit opozitar për arritjen e realizimit të zgjedhjeve të parakohshme, Rama tha se beteja do të kalojë në një fazë të re jo vetëm fjalësh, por edhe veprimesh ndaj pushtetit që nuk i ka votat e popullit për të qeverisur. “Ne nuk vijmë nga tradita e dhunës mbi institucionet dhe nuk nxisim dhunë ndaj institucioneve të marra peng nga dhunuesit e votës sonë. Ne nuk qëndruam këtu për ta pushtuar fizikisht Kryeministrinë, por për t’i treguar njeriut që e ka pushtuar atë, se ka dy rrugë për të dalë nga zullumi ku është zhytur duke grabitur zgjedhjet: Ose të hapë kutitë, ose të ikë bashkë me kutitë! Kjo betejë nuk është më asnjë betejë fjalësh, mes nesh që themi të hapen kutitë dhe Saliut që thotë, kutitë nuk hapen, sikur qielli dhe toka të puqen. Qielli dhe toka nuk do të puqen, ndërsa në këtë qiell dhe mbi këtë tokë, kjo betejë do të kalojë në një fazë të re jo vetëm fjalësh, por edhe veprimesh ndaj pushtetit që nuk i ka votat e popullit për të qeverisur Shqipërinë”, tha Rama. Kreu i PS-së tha se opozita nuk po kërkon pushtetin, por të drejtën e saj demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. Rama tha se, në rast se qeveria ua mohon këtë të drejtë për të parë, atëherë opozita së bashku me qytetarët do t’i mohojë qeverisë të drejtën për t’i qeverisur. Po ashtu, Rama falënderoi 100 mijë qytetarët që iu bashkuan protestës së opozitës, duke e cilësuar këtë protestë si nisjen e një lëvizjeje të re historike. “Një lëvizje e re popullore ka lindur në Shqipëri. Sot Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë. Populli opozitar më i bashkuar për lirinë dhe më i shumtë në numër se asnjëherë për të drejtën sovrane, ka shkruar në formë ultimative kërkesën e tij për qeverinë: të hapen kutitë e votimit, ose vala e protestës do të hapet në gjithë Shqipërinë, deri në largimin e qeverisë! Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e parlamentit shqiptar do të vazhdojë më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë e me çdo mjet të protestës, përballë qeverisë”, tha Rama, duke paralajmëruar qeverinë për ultimatumin e vendosur. Ndërkohë, aksioni i opozitës pritet që të përshkallëzohet në mosbindje civile ekonomike, hap i cili do të nisë nga drejtuesit e pushtetit vendor, për të kaluar më pas në kategori të tjera të shoqërisë. Kjo mosbindje ekonomike mund të paralizojë financat e qeverisë, duke ndikuar edhe më shumë në synimin për rënien e saj dhe realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Leskaj: Do ta përshkallëzojmë protestën
Përfaqësuesja e lartë e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi dje, se opozita së bashku me qytetarët nuk do t’i ndërpresin protestat dhe se mbyllja e protestës 48-orëshe është fillimi i ri. Duke folur në televizionin “News 24”, Leskaj tha se përfundimi i djeshëm i protestës është vetëm një fillim i ri. Ndërkohë, edhe pse nuk është bërë akoma e ditur zyrtarisht skenari i përshkallëzimit të protestës së opozitës, Leskaj pohoi se çdo detaj do të bëhet i ditur në ditët në vazhdim. “Përveç protestës masive, kjo padyshim është një protestë që u adresohet jo vetëm të drejtave të shqiptarëve për të drejtat e votës, por protestë që synon t’i japë fund korrupsionit, varfërisë e të gjithë problemeve që u marrin jetën sot padrejtësisht shqiptarëve. Ka një plan për protestën, por çdo hap që ka të bëjë me ecurinë e këtij kundërshtimi të madh ndaj qeverisë së pavotuar, do ecë sipas një plani konkret. Do ta bëjmë të ditur të gjithë zhvillimin e protestës. Sot e përfundojmë këtu këtë protestë, që theksoj se është vetëm fillimi. Nuk e kemi pasur planifikim mbylljen pasdite, dhe theksoj se nuk është e rëndësishme se kur mbyllet protesta, por e vërteta është se protesta që kërkon hapjen e kutive do të vazhdojë”, tha Leskaj pak orë para se të bëhej mbyllja e protestës së opozitës, që zgjati tri ditë.
Balla: Për ne Berisha tashmë ka rënë
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha dje, se protesta treditore e opozitës ishte një fitore, pasi për opozitën tashmë kryeministri Sali Berisha ka rënë, edhe pse nuk pranon hapjen e kutive. Sipas përfaqësuesit socialist, mbledhja e djeshme e grupit parlamentar ishte një mbledhje konsultative dhe nuk është marrë ndonjë vendim. “Ne e fituam betejën ndaj skeptikëve, pasi përcollëm një mesazh të rëndësishëm. Për ne Berisha tashmë ka rënë”, tha Balla, duke shpjeguar se protestat e opozitës do të vijojnë dhe se do të përshkallëzohen.
-
657 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg