Hyrje | Politike | Meta: Kuvendi u tërhoq për kufijtë me Greqinë

Meta: Kuvendi u tërhoq për kufijtë me Greqinë

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Ministri i Jashtëm thotë se Kuvendi kishte planifikuar votimin e marrëveshjes, por u tërhoq për të bërë shpjegimet e duhura

 

Kreshnik KUÇAJ

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pranoi dje, se Kuvendi Shqiptar e ka shtyrë qëllimisht ratifikimin e marrëveshjes për ndarjen e kufijve detarë me Greqinë, ndryshe nga sa kishin deklaruar burimet e Kuvendit pak ditë më parë. Sipas Metës, çështja në fjalë ka qenë parashikuar në kalendarin e punimeve, ashtu si çdo akt tjetër qeveritar, por më pas është vendosur që të shtyhet, për t’i hapur rrugë bërjes së transparencës, për shkak të pretendimeve se marrëveshja cënon territorin shqiptar. “Çështja ka qenë në rendin e ditë së Kuvendit, në atë vijimësi normale të të gjithë akteve që kalojnë nga qeveria. Natyrisht, është shtyrë për t’u dhënë më shumë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe për të bërë një proces sa më transparent dhe natyrisht, që atë pikën e vet të transparencës do ta ketë”, tha Meta në një intervistë për “Neës 24”. Duke mbrojtur marrëveshjen në fjalë, Meta tha se ajo është një marrëveshje e domosdoshme, sepse vetëm përmes përcaktimit të kufirit ne mund të shfrytëzojmë në interesin tonë të gjitha të mirat e detit dhe të nëndetit. Kryediplomati shqiptar tha se ka pasur mjaft kompani të huaja që kanë shfaqur interes për kërkimin në nëndetin shqiptar. Ndërkohë, për sa u përket negociatave dhe marrëveshjes në fjalë, Meta tha se ajo është bërë në interesin e Shqipërisë dhe të Greqisë, në partneritet të plotë dhe e bazuar në parimin e baraslargësisë. Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte parashikuar që të miratohej gjatë kësaj jave, por Konferenca e Kryetarëve vendosi që kjo pikë të mos parashikohej në kalendarin e punimeve trejavore të Kuvendit. Të pyetur për këtë gjë, burime të Kuvendit e mohuan mundësinë që të kishte pasur ndonjë përcaktim në kalendar për sa i përket miratimit. Ndërkohë, ankimimi në Gjykatën Kushtetuese e bllokon automatikisht kalimin për votim të kësaj marrëveshjeje deri në vendimin përfundimtar për kushtetutshmërinë e saj.

Bojkoti 

Duke folur në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta komentoi edhe vendimin më të fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila zyrtarizoi vendimin për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Sipas tij, ky është një vendim i gabuar dhe në dëm të Partisë Socialiste. “Është një vendim krejtësisht i gabuar dhe në dëm të vetë Partisë Socialiste. Lidershipi aktual, duke ndjerë që nuk ofron dot një alternativë shpresëdhënëse, synon që përmes bojkotit të fshehë një humbje tjetër. Është absurde të kërcënosh me përdorim force dhe përmbysje pushteti me dhunë, sikurse ka ndodhur me një miting në Berat kohët e fundit. Mendoj se nuk është kjo gjuha e duhur e një opozite, e cila pretendon se përfaqëson një alternativë për integrimin europian të vendit të saj”, tha Meta, duke konfirmuar se ka bërë një zgjedhje të duhur për bashkëpunimin 4-vjeçar me Partinë Demokratike. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi pak ditë më parë që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit për disa njësi të pushtetit vendor. Sipas argumentimit të Partisë Socialiste, në vend nuk mund të ketë zgjedhje demokratike dhe me standarde, përderisa nuk janë hapur akoma kutitë e 28 qershorit, për të cilat pretendohet se ka pasur manipulime të shumta gjatë procesit të numërimit. Partia Socialiste po zhvillon gjithashtu protesta popullore, ku kërkon hapjen e kutive. Protesta e parë u zhvillua në Tiranë, e pasuar nga ajo e Beratit pak ditë më parë. Protesta e radhës e socialistëve do të jetë në qytetin e Shkodrës, ndërsa më 20 nëntor pritet që fronti opozitar të zhvillojë një manifestim edhe më të madh se ai i pari, ku kërkesa do të jetë e njëjta: hapja e kutive.

 

 

 

Ministria e Mbrojtjes:

 

Nuk është cënuar territori

Ministria e Mbrojtjes ka shpjeguar pak ditë më parë marrëveshjen e nënshkruar me shtetin grek për përcaktimin e kufirit detar. Nëpërmjet një prezantimi kompjuterik, Ministria e Mbrojtjes ka trajtuar një nga një të gjithë pretendimet e ngritura për cënim të territorit shqiptar, duke i hedhur poshtë këto pretendime nëpërmjet argumenteve të saj. Në konkluzionet e saj, Ministria e Mbrojtjes vëren se ka mungesë profesionalizmi në përdorimin e hartave për të llogaritur koordinatat në det. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes pretendon se në studimin, ku thuhet se nga marrëveshja cënohet territori shqiptar, ka gabime në disa përllogaritje, sepse është neglizhuar ishulli i banuar i Othonit dhe shkëmbi Barketa, duke sjellë edhe gabimet në përllogaritje. “U vërtetua se pretendimet e ngritura në media nuk qëndrojnë”, thuhet në fund të argumentimit të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila doli në mbrojtje të marrëveshjes.

 

 

Argumentet

Pika 150 është 22 kilometra afër bregut tonë, duke bllokuar ngushticën e Otrantos

Vija ndarëse nuk është e baraslarguar nga vijat bazë të të dy vendeve

Është neglizhuar Gjiri i Sarandës

Ishulli Barketa nuk duhej të merrej si pikë referimi për vijën bazë

Është cënuar sovraniteti pranë Ishullit Tongo dhe Kepit Stillo

Është ndryshuar kufiri i vjetër

Është trajtuar Greqia si shtet arkipelag

Është nxituar realizimi i marrëveshjes

Pretendimi se Shqipëria në këtë mënyrë humbet një sipërfaqe ujore prej 354.4 kilometrash katrorë

 

 

Kundërargumentet

Mungesë profesionalizmi në përdorimin e hartave për të llogaritur koordinatat në det

Llogaritja e sipërfaqes ujore 354.4 kilometra katrorë, që pretendohet se Shqipëria ka humbur argumentohet  me:

-trekëndëshin imagjinar që krijohet nga spostimi i koordinatave 150 - 125

 -trekëndëshin që krijohet përballë Gjirit të Sarandës (që apriori konsiderohet si gji i mbyllur)

Neglizhim i Ishullit të banuar të Othonit 

Neglizhim i Ishullit (shkëmbit) Barketa

Greqia nuk është trajtuar si shtet arkipelag

Janë respektuar Konventa e Ligjit të Detit dhe ligjet e vendit.

 

 

Pashai: Gabimi u bë te shkëmbinjtë nënujorë

Koloneli Myslym Pashai, i cili nëpërmjet një studimi denoncoi cënimin e territorit shqiptar nga marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë, thotë se një nga pikat më të errëta të marrëveshjes është shtrirja e kufirit detar grek në koordinatën 150. Sipas tij, gabimi në matje është bërë në momentin kur janë përdorur si pika referimi shkëmbinjtë nënujorë, gjë e cila nuk ndodh në raste ku largësia është e vogël, si në rastin konkret. “Ajo që të bën që ta rishikosh me shumë vëmendje në kanalin e Korfuzit, ku largësia është shumë e vogël, është fakti i përdorimit të shkëmbinjve nënujorë si pika referuese. Nëse është një hapësirë e madhe detare, këto lloj pikash referimi janë normale, po në një kanal të tillë, nuk është zgjidhje e barabartë. Në kanalin e Korfuzit, ne marrim vetëm çerekun e tij”, tha Pashai sipas “Top Channel”. Sipas tij, në këtë rast shqiptarët janë gjetur të papërgatitur për të bërë bisedime për ndarjen e kufirit, i cili nuk ekzistonte më parë dhe kanë pranuar që të marrin si pika referimi shkëmbinjtë nënujorë. “Negociatorët kanë pranuar të marrin si pika referuese shkëmbinjtë, njëlloj si mund të merreshin ishuj të mëdhenj. Ne humbasim 15 kilometra katrorë, në pjesën më interesante të Sarandës”, tha Pashai.

 

 

 

Ngjela: Incidenti i Korfuzit tregon cënimin e territorit

 

Sot ankimimi në Kushtetuese. “Vendimi i Gjykatës së Hagës për incidentin e Korfuzit në 1946, tregon se kemi të bëjmë me territor shqiptar”

 

Kreshnik KUÇAJ

Partia Socialiste dhe forcat e tjera të koalicionit opozitar do të dorëzojnë sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për marrëveshjen e ndarjes së kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në kërkesën e tij, fronti opozitar i kërkon Gjykatës Kushtetuese që, mbi bazën e një ekspertize të imtësishme, të mbajë qëndrim nëse kjo marrëveshje është në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë ose jo. Pretendimet e ngritura për këtë marrëveshje kanë të bëjnë me cënimin e territorit shqiptar. Përfaqësuesi ligjor i frontit opozitar do të jetë pikërisht avokati i njohur Spartak Ngjela, kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, që është bërë pjesë e koalicionit opozitar të drejtuar nga Partia Socialiste. “Nuk kam pse ta fsheh, do ta paraqes vetë përpara Gjykatës Kushtetuese. Do të jem dhe si avokat. Ne dyshojmë se këtu mund të ketë një aferë të madhe korruptive, për faktin se aty do të kalojnë tubat e gazsjellësit dhe Shqipëria humbet rreth 200 milionë euro në vit. Pyetja është se kush i fiton? Këtë do ta gjejnë organet përkatëse”, tha Ngjela.

Vendimi i Hagës

Duke argumentuar cënimin e territorit shqiptar nga marrëveshja në fjalë, avokat Ngjela iu referua incidentit të ndodhur me flotën britanike në Kanalin e Korfuzit në vitin 1946. Ky incident lindi për shkak se dy flota britanike u fundosën në Kanalin e Korfuzit, sepse aty ishin vendosur dy mina, me pasojë humbjen e jetës së 44 personave. Për këtë incident, qeveria britanike bëri përgjegjëse Shqipërinë, ku i kërkoi edhe dëmshpërblim. Vetë shteti shqiptar nuk e pranoi autorësinë e ngjarjes dhe pagesën e dëmshpërblimit, ndërsa ishte Gjykata e Hagës ajo që dënoi shtetin shqiptar si fajtor, me argumentin se ngjarja ndodhi në ujërat territoriale në administrim të shtetit shqiptar. Për këtë çështje, Britania e Madhe konfiskoi arin shqiptar që ishte vjedhur në Shqipëri nga nazistët. Duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës së Hagës, që e dënon Shqipërinë, pasi ngjarja ka ndodhur në territorin e saj, Ngjela thotë se në rastin konkret të marrëveshjes në fjalë, kemi të bëjmë me territor shqiptar. “Është cënuar territori. Cënimi i territorit është neni 3 i Kushtetutës. Është krim i rëndë në Kodin Penal. Janë shumë gjëra të rënda rreth kësaj marrëveshjeje. Fakti që bëhet një marrëveshje, kuptohet që nuk është territor grek, por është territor shqiptar, se po të ishte territor grek, nuk do të kishte nevojë për marrëveshje me Shqipërinë. Ekziston vendimi i Gjykatës së Hagës, që Shqipëria të ndëshkohet me pagesën e reparacioneve për një dëm që i sjell flotës angleze, pas një shpërthimi bombe në territorin shqiptar. Ka qenë një konflikt i vjetër anglo-shqiptar, i cili është zgjidhur me anë të këtij vendimi, të cilin e kemi pranuar dhe e kemi paguar me një ton e gjysmë ar”, tha Ngjela, duke shpjeguar se në rastin konkret bëhet fjalë për cënimin e territorit shqiptar. Vendimi për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe asaj greke për ndarjen e kufirit detar, është marrë pas një takimi të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me krerët e partive të koalicionit opozitar. Në këtë takim është diskutuar dhe është rënë dakord që ankimimi të firmosej nga krerët e këtyre forcave. Ndërkohë, ankimimi i kësaj marrëveshjeje në Gjykatën Kushtetuese i mbyll rrugën përkohësisht ratifikimit në Kuvend të kësaj marrëveshjeje, deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të shprehet nëse ka cënim të territorit shqiptar apo jo.

 

 

 

Të enjten, protesta për marrëveshjen

Pas takimit, kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, tha se kësaj të enjte do të zhvillohen dy protesta për të kundërshtuar marrëveshjen. Protesta e parë do të organizohet në orën 16:00 para selisë së Ministrisë së Jashtme, ndërsa protesta e dytë do të zhvillohet një orë më pas, përpara sallës së Kuvendit, ku ishte planifikuar që të bëhej ratifikimi. Pavarësisht pretendimeve të forcave opozitare, kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta kanë deklaruar se marrëveshja në fjalë nuk cënon asnjë metër territorin shqiptar dhe se është bërë mbi bazën e të gjithë parimeve të baraslargësisë së dy vendeve. Për këtë çështje, dy krerët e qeverisë kanë ftuar në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes për sqarime të gjithë ata që kanë bindjen se nga kjo marrëveshje shteti shqiptar humbet territor.

 

 

Manjani: Ankimimi në Kushtetuese nuk është rruga e duhur

Juristi i Partisë Socialiste, Ylli Manjani, e cilësoi si të gabuar hapin e koalicionit opozitar për ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes për ndarjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas tij, kjo është një çështje politike dhe jo juridike. “I druhem pasaktësisë, vonesës dhe padrejtësisë në sistemin gjyqësor në lidhje me këtë marrëveshje”, tha Manjani për “Ora News. Pavarësisht kritikave për rrugën e ndjekur nga fronti opozitar, Manjani tha se për këtë marrëveshje ka munguar transparenca e qeverisë, duke shtuar edhe më tej dyshimet. Këtë qëndrim Manjani e ka shprehur edhe në punimet e Asamblesë Kombëtare pak ditë më parë. Në një deklaratë për mediat, Manjani tha se marrëveshja me Greqinë është një marrëveshje politike dhe qeveria shqiptare nuk është në gjendje që ta sqarojë për përfitimin që ka vendi ynë. Sipas juristit socialist, qeveria duhej të shpjegonte edhe se përse kjo marrëveshje nuk ka probleme juridike. Megjithatë, Manjani la ta kuptohej se nuk e mbështeste iniciativën e Partisë Socialiste dhe të forcave opozitare për ta ankimuar atë në Gjykatën Kushtetuese. “Qeveria nuk ka qenë në gjendje të na sqaronte se çfarë përfituam ne nga kjo marrëveshje dhe pse ajo nuk ka probleme juridike”, tha Manjani. Sipas tij, nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë, të cilën ai e cilësoi si të varur politikisht, për shkak të ndërhyrjes së qeverisë në gjyqësor, jep vendim në favor të qeverisë, atëherë Partia Socialiste do të dorëzohej pa kushte. Ndërkohë, Manjani shprehu edhe qëndrimin e tij kundër bojkotimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore, duke iu bashkuar në qëndrim edhe atyre që njihen si mendimi ndryshe në Partinë Socialiste. “Bëj pjesë në atë grup, që mendoj se zgjedhjet nuk duhet të bojkotohen, pasi po të vazhdohet kështu për një kohë të gjatë, PS-ja do të kalojë në ilegalitet”, tha Manjani.

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 928 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive