PS ngre ekip ekspertësh, Rama: Politika të dëgjojë, pastaj të flasë
Marrëveshja me Greqinë
“Është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla, politika të qëndrojë një hap më mbrapa dhe zëri zyrtar i opozitës të ngrihet vetëm atëherë kur faktet flasin qartë dhe kur shqetësimi është i mbështetur jo mbi emocione negative”, - tha mbrëmë Edi Rama
Kreshnik KUÇAJ
Partia Socialiste ka krijuar një grup ekspertësh për të shqyrtuar tërësinë e elementeve që kanë qenë pjesë e hartimit të marrëveshjes për kufijtë detarë të Shqipërisë me Greqinë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, konfirmoi mbrëmë se, pasi ekspertët të paraqesin materialin studimor përfundimtar, do të ketë reagim të duhur opozitar për çështjen e marrëveshjes. Duke iu referuar shqetësimit të akademikëve dhe faktorëve të ndryshëm të shoqërisë, se kjo marrëveshje cënon rreth 354 kilometra katrorë hapësirë detare që i është dhënë Greqisë, Rama tha se Partia Socialiste do të reagojë në rrugën e duhur, duke kryer detyrën e saj, pasi të jetë përfunduar opinioni i ekspertëve. Rama tha se për çështje të tilla politika nuk duhet të reagojë me emocion, por mbi bazën e fakteve dhe të analizave të imtësishme, duke shpjeguar arsyen e mungesës së reagimit nga forca më e madhe opozitare. “Kjo është një nga ato çështje, për të cilat politika duhet të dëgjojë dhe pastaj të flasë. Ne i kemi dëgjuar me shumë vëmendje, unë i kam ndjekur me shumë vëmendje të gjithë shqetësimet e shprehura nga zëra të pavarur qytetarësh, ekspertësh të shoqërisë civile, që kanë qenë vërtet zëra të shqetësuar dhe shqetësues. Kam kërkuar që një ekip i ngushtë ekspertësh të së drejtës kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare të ndjekin me shumë vëmendje këtë çështje, e cila mesa duket, ka në brendinë e saj një tjetër ngarkesë të rëndë për qeverinë shqiptare, një pushtet njerëzish që janë shumë të paaftë dhe njëkohësisht mjaftueshmërisht të papërgjegjshëm për të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesa shumë më të mëdha. Megjithatë, në çastin kur ekipi ynë do të japë një opinion përfundimtar, pa asnjë dyshim ne do të reagojmë në rrugën e duhur dhe do të bëjmë atë që na takon”, tha Rama. Ai përsëriti se është shumë e rëndësishme që për çështje të tilla ku ka shumë ekspertizë dhe ku kërkohet në radhë të parë mendimi i specialistëve të mirëfilltë, politika duhet të qëndrojë një hap mbrapa dhe zëri zyrtar i opozitës duhet të ngrihet vetëm atëherë kur faktet të flasin qartë dhe pa emocione negative. “Është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla, ku ka shumë ekspertizë dhe ku kërkohet në radhë të parë mendimi i specialistëve të mirëfilltë, politika të qëndrojë një hap më mbrapa dhe zëri zyrtar i opozitës të ngrihet vetëm atëherë kur faktet flasin qartë dhe kur shqetësimi është i mbështetur jo mbi emocione negative dhe as mbi normën e përditshme të opozitarizmit, por mbi argumente bindës, që mesa duket, në rastin konkret nuk mungojnë”, përfundoi Rama. Ndërkohë, qeveria shqiptare dhe kryeministri Sali Berisha e kanë mohuar mundësinë, që në marrëveshjen e pak kohëve më parë për përcaktimin e kufirit detar, Greqisë t’i jetë falur ndonjë pjesë e territorit shqiptar. Në një intervistë televizive, Berisha e ka cilësuar shqetësimin e ngritur si një çështje që nuk mund të përdoret për politikë. “Ato janë matje të thjeshta dhe të dalë dikush të provojë se qoftë edhe një metër i vetme është lënë bazuar në këtë marrëveshje. I teket X apo Y për të bërë politikë, unë mendoj se përcaktimi i kufirit është interesi më i mirë i Republikës së Shqipërisë. Të bësh politikë me marrëveshjen ndërkombëtare, nuk shërben për asgjë”, ka deklaruar kryeministri Berisha.
Greqia merr detin, Shqipëria mbetet jashtë rrugëve të gazit
Bello zbulon prapaskenat e debatit Athinë-Tiranë
Marrëveshja për kufijtë e rinj detarë me Greqinë e nxjerr Shqipërinë tërësisht jashtë linjave ndërkombëtare të energjisë. Pajtim Bello, ish-zëvendësministri i Energjetikës, zbuloi prapaskenat e një debati të hershëm mes Tiranës dhe Athinës për veton mbi gjurmën e një gazsjellësi që transporton gazin e Kaspikut nga Turqia në Itali, fillimisht përmes ujërave detare të Greqisë. “Pala greke dhe italiane na kanë kërkuar që këtë vijë ta spostonim mes Korfuzit dhe Shqipërisë, në ujërat tona bregdetare, sepse ishte deti më i cekët dhe do të dilte në Otranto. Ne kërkuam një projekt më fizibël, që gazsjellësi të mos kalonte në këtë vijë, por të ndiqte luginën e Vjosës dhe të kalonte në Otranto”, tha Bello në një intervistë për “Top Channel”. Por propozimi i Tiranës, megjithëse i mbështetur nga Brukseli, u kundërshtua fuqishëm, veçanërisht nga grekët. Harta e linjave energjetike që lidhin Lindjen me Perëndimin, anashkalon vendin tonë. Gazsjellësi Turqi-Greqi-Itali ishte i vetmi që mund të kalonte përmes vendit tonë. “Gjithë ajo negociatë që është bërë ka rënë, sepse tashmë ata e morën atë që deshën dhe nuk kanë pse të na pyesin më”, shtoi ish-zëvendësministri Bello. Përveç mospërfshirjes në axhendën gjeostrategjike europiane, Shqipëria humbet nga devijimi i linjës së gazsjellësit rreth 2.5 miliardë kilovat/orë gaz në vit.
-
694 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg