Historianët: Berisha ua shiti grekëve detin, si Ahmet Zogu serbëve Shën-Naumin
Takim i gjerë i 72 shoqatave të ndryshme që kundërshtojnë marrëveshjen qeveritare mes Tiranës dhe Athinës. Xhufi: U përsërit rasti i Shën-Naumit, që iu dha Jugosllavisë
Ylli Pata
Historianë, politikanë dhe përfaqësues të 72 shoqatave theksojnë se mbrojnë interesat e kombit shqiptar, duke kundërshtuar marrëveshjen për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe akuzojnë qeverinë se i ka shitur Athinës Gjirin e Sarandës. Në një takim të gjerë, ata u mblodhën për t’u drejtuar së bashku një apel publik institucioneve të shtetit shqiptar, për të penguar ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar. Nëpërmjet marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, Greqia përfiton 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon. Konkretisht, vetëm nga Kepi i Stillos, përballë gjirit të Kërkyrës, në hyrje të ngushticës veriore të Korfuzit, pala greke ka përfituar 2.9 km2; nga shkëmbi Barketa, 1.5 km2. Marrëveshja është miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe më 19 tetor do të diskutohet në parlament. Arben Puto, historian dhe njohës i mirë i së Drejtës Ndërkombëtare, bëri apel për një ballafaqim mes argumenteve dhe studimit të kolonelit Pashaj, mbi këtë marrëveshje dhe institucioneve shtetërore. “Jemi përpara një studimi dhe nuk ke të bësh me supozime, por me fakte dhe llogaritje të ekspertit më të mirë dhe të padiskutueshëm në vendi tonë, për të cilin deri tani nuk është dhënë asnjë përgjigje nga autoritetet. Nuk flasim për dyshime, por për probleme serioze që duhen parë me kujdes. Duhet të ballafaqohen argumentet”. “Nga marrëveshja, ujërat e brendshëm të Gjirit të Sarandës janë përfshirë në ujërat territorialë, çka përbën një shkelje, pasi ujërat e brendshëm asnjëherë nuk përfshihen në procesin e ndarjes së kufijve detarë”, - shtoi më tej historiani i njohur Arben Puto. Pëllumb Xhufi, historian dhe politikan i njohur, e cilësoi marrëveshjen “të turpshme”. Duke vendosur paralelizëm me historinë e shitjes së ishullit të Shën-Naumit nga Mbreti Zog. Xhufi ngriti pyetjen: “Po kjo qeveria jonë që i jep ujërat detare Greqisë brenda ditës, përse e bëri një gjë të tillë? “Historia nuk është histori e re, por na kujton historinë e shitjes së ishullit të Shën-Naumit nga Mbreti Zog. Shën-Naumin na e dha Perëndia, ligji dhe Lidhja e Kombeve, por edhe Gjykata Ndërkombëtare, ndërsa Zogu ia fali Jugosllavisë, pasi kjo e fundit e ndihmoi me trupat serbe, për të rrëzuar qeverinë e Fan Nolit. Dhe pyetja është: Po kjo qeveria jonë që i jep ujërat detare Greqisë brenda ditës, përse e bëri një gjë të tillë...? Përgjigjet nuk mund të jetë vetëm një, se Zogun e solli në pushtet. Edhe kjo mund të jetë një arsye. Por ne e dimë çfarë qeverisje politikanësh kemi. Dikush mund të mendojë se e ka bërë edhe për para”, - tha Xhufi në fjalën e tij. Ish-nënkryetari i LSI-së vazhdoi më tej, duke kujtuar një sërë çështjesh, të cilat Greqia ka refuzuar të japë një zgjidhje. “Me Greqinë kemi problemin e ligjit të luftës, që iu ngrinë pasuritë qytetarëve shqiptarë në bazë të këtij ligji; problemin e madh çam, 200-250 mijë çamë që u dëbuan. Kemi problemin e kufijve tokësorë. Greqia nuk njeh kufirin tonë tokësor, sepse ajo, që nga koha kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, madje që në kohën e Zogut, nuk ka pranuar t’i njohë këto kufij”. Kolonel Pashaj, i cili ka hartuar edhe studimin, ku argumenton shkencërisht se marrëveshja i fal 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon Greqisë, i bëri apel parlamentit e shtetit, që të mos ratifikohet marrëveshja. “Në një moment kur SHBA-të 27 vjet nuk kanë ratifikuar marrëveshjen e Montegoobejt dhe akoma kanë probleme me interesat e tyre kombëtare në të gjithë botën, pse u dashka që për 7-8 muaj ne shpejt e shpejt, në mënyrë hermetike të nënshkruajmë marrëveshjen”.
-
1737 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg