Hyrje | Aktualitet | Zonat e thella vuajnë prej ditësh izolimin nga dëbora

Zonat e thella vuajnë prej ditësh izolimin nga dëbora

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Trashësia e dëborës ka arritur 45 centimetra dhe fshatarët lëvizin kryesisht me kafshë pune, pasi makinat nuk lëvizin dot

 

 

Situata

Në tre fshatra të komunës Bushtricë, në të gjithë fshatrat e Grykës së Çajës, në dy fshatra të Kalisit, në 4 fshatra të Zapodit, në dy fshatra të Topojanit dhe fshatrat e Shishtavecit si dhe në fshatra të tjerë si: të Surroit, të Malziut etj që prej janarit nuk ka qenë e mundur të udhëtohet me makina

 

 

Flutura Tota

 

Kukës - Reshjet e shiut, dëborës apo temperaturat e ulëta që kanë shoqëruar rajonin verilindor kanë lënë të izoluara prej kohësh disa zona të thella malore duke bërë që banorët të lëvizin nëpërmjet kafshëve të punës nga zonat ku jetojnë drejt qytetit të Kukësit. Po kështu kanë ndërprerë punimet në mjaft kompani të cilat kanë punuar kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rrugore pranë këtyre zonave.

Në zonat e thella të Kukësit ende prej disa javësh nuk është bërë e mundur të hapen rrugët e fshatrave për mjetet motorike. Në dhjetëra fshatra e vetmja mundësi mbetet lëvizja me këmbë dhe me kafshë pune. Kështu në tre fshatra të komunës Bushtricë, në të gjithë fshatrat e Grykës së Çajës, në dy fshatra të Kalisit, në 4 fshatra të Zapodit, në dy fshatra të Topojanit dhe fshatrat e Shishtavecit si dhe në fshatra të tjerë si: të Surroit, të Malziut etj që prej janarit nuk ka qenë e mundur të udhëtohet me makina. Megjithatë fshatarët thonë se janë të mësuar me dimra të fortë dhe se transportin e kryejnë kryesisht me kafshë pune. Një banor i quajtur Aziz, i cili jeton në fshatin Breki të komunës Topojan thotë “Jemi mësuar me dimrat por problem për zonën tonë vijon të mbetet rruga pasi askush nuk po e riparon atë në mënyrë që të punojnë mjetet borëpastruese për ta larguar atë nga rruga. Ka ardhur një traktor por ai nuk futet dot në atë rrugë sepse është shumë e vështirë dhe e ngushtë. Sot kam ardhur nga atje me kalë, siç po e shihni edhe vetë” thotë kështu Azizi i cili ka mbi shpatulla 54 vite e që sot në qytetin e Kukësit ka ardhur me kafshë pune, vetëm për të bërë furnizimin me ushqime pasi sipas tij ato janë drejt fundit. Ndërsa një tjetër banor i fshatit Fshat thotë se atje dëbora ka arritur në 45 cm dhe se ardhja në Kukës është me shumë vështirësi. I vetmi automjet që lëviz nga atje është një furgon i madh malli, i cili ka dopio gomë. “Këto ditë kanë lëvizur nga fshati vetëm disa banorë të cilët kanë pasur ndonjë problem apo për tu furnizuar me ushqime. Edhe ata kanë paguar një shofer furgoni i cili ka gjendje të mirë dhe gjithmonë ecën me dopio gomë. Jemi të izoluar por fatmirësisht nuk kemi pasur ndonjë emergjencë se po të na ndodhte një gjë e tillë do e kishim keq punën. Pa rrugë s’ka jetë”. Kështu shprehet Pëllumbi, banor i fshatit Fshat.

Ndërsa ditët e fundit me reshjet e shiut dhe dëborës probleme ka pasur edhe në disa segmente rrugore të qendrave komunale me gjithë vëmendjen që u kushtohet këtyre rrugëve, siç raportojnë burime të pushtetit lokal. Sipas drejtorisë së rrugëve rurale bëhet e ditur se rrugët e fshatrave kanë probleme por në to është vështirë të ndërhyhet për shkak të gjendjes shumë të rënduar të tyre dhe dëborës e cila atje arrin në 45 cm.

 

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 696 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive