Vdesin dy punëtorë, ranë nga vinçi, në 40 metra lartësi
Një shqiptar dhe një maqedonas humbën jetën gjatë aksidentit në punë, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur
Prokurori
Xhevahir Lita:
“Ne po plotësojmë dosjen, e cila si akuzë ka mosrespektimin e kushteve të sigurisë teknike. E gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi drejtuesit e punimeve dhe inxhinierët, të cilët kanë lejuar punëtorët të punojnë pa asnjë kusht teknik”
Kryepolici
Ali Elezi:
“Po punojmë për të zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes, por paraprakisht mund të them se punëtorët nuk kanë zbatuar kushtet teknike dhe shkëputja e njërit prej krahëve të vinçit ka bërë që ata të bien nga një lartësia rreth 40 metra”
KUKËS - Rruga Durrës-Kukës, e përuruar me shumë bujë nga Qeveria Shqiptare vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, jo vetëm që nuk ka përfunduar së ndërtuari, por po merr edhe jetë njerëzish. Pasditja e së hënës ka rezultuar fatale për jetën e dy punëtorëve të kompanisë “Alb Building”, të cilët kanë humbur jetën gjatë një aksidenti në punë. Lajmi është konfirmuar nga policia lokale, ndërkohë që burime zyrtare të prokurorisë së rrethit kanë deklaruar se nga hetimet paraprake, rezulton që aksidenti të jetë shkaktuar, për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë.
Ngjarja
Rreth orës 16:30 të së hënës, punëtorët Arben Muçmata dhe Vanco Cvetkov, përkatësisht 38 dhe 49 vjeç, kanë rënë nga një lartësi prej 40 metrash dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur Ura e Kolshit. Punëtori shqiptar Arben Muçmata është nga Shtiqëni i Kukësit, ndërsa Vanco Cvetkov është shtetas maqedonas nga komuna Delcevo. Mësohet se shkak i rënies së dy punëtorëve ka qenë dëmtimi i njërit prej krahëve të vinçit me të cilin ata po vendosnin trarët e urës së re. Nga kjo ngjarje janë prekur, duke marrë dëmtime të lehta, edhe dy punëtorë të tjerë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar nga spitali.
Mjekët e spitalit të Kukësit thanë se viktimat kanë pasur dëmtime të shumta. Mjeku Mark Nufi, i cili ka qenë mjek roje, ka deklaruar: “Viktimat kishin marrë plagë në kokë dhe mendoj se hemorragjia e brendshme, e ardhur si pasojë e dëmtimit të organeve të brendshme, ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Gjithsesi, për shkaqet e sakta të vdekjes do të shprehet ekipi mjeko-ligjor”.
Reagimi
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe prokurorët e Prokurorisë së Rrethit Kukës. Sipas drejtorit të policisë së Kukësit, mungesa e sigurisë teknike në punë është shkaku kryesor i aksidentit. “Ne po punojmë për të zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes, por paraprakisht mund të them se punëtorët nuk kanë zbatuar kushtet teknike dhe shkëputja e njërit prej krahëve të vinçit ka bërë që ata të bien nga një lartësia rreth 40 metra”, ka thënë për “Korrierin” drejtori i policisë së Kukësit, Ali Elezi.
Ndërsa prokurori i rrethit, Xhevahir Lita, ka deklaruar se përgjegjësia do të bjerë mbi inxhinierët dhe drejtuesit e punimeve, të cilët duhet të kishin kontrolluar më mirë masat e sigurimit teknik në punë. “Ne po plotësojmë dosjen, e cila si akuzë ka mosrespektimin e kushteve të sigurisë teknike. E vetmja gjë që mund të them, është se e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi drejtuesit e punimeve dhe inxhinierët, të cilët kanë lejuar punëtorët të punojnë pa asnjë kusht teknik”, është shprehur Lita. Kompania “Alb Building” është duke punuar në njërin prej segmenteve të autostradës Durrës-Kukës. Ajo po merrej me ndërtimin e urave, të cilat bëjnë të mundur lidhjen e pjesëve të kësaj rruge me rëndësi kombëtare dhe që ka kohët e fundit ka qenë objekt i akuzave dhe kundërakuzave midis opozitës dhe qeverisë, për shkak të përurimit të saj përpara përfundimit të punimeve. Pas kohë më parë, tuneli kryesor i kësaj autostrade është shembur në një gjatësi prej rreth 80 metrash, por për fat të mirë nuk ka shkaktuar viktima në njerëz.
-
973 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version




del.icio.us
Digg