Hyrje | Aktualitet | Roja i pallatit: Dajti fshihej këtu për 3 javësh, ja incidentet

Roja i pallatit: Dajti fshihej këtu për 3 javësh, ja incidentet

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Një muaj më parë, rojet e pallatit pranë pistës “Iliria” kanë vënë re lëvizjet e para të dyshimta në godinën që ata mbikëqyrnin. Apartamenti i katit të fundit, mbi 120 metra katrorë ishte shitur, por askush nuk ka ditur fillimisht se cili ishte blerësi. Sigurisht që asokohe

DURRËS - Një muaj më parë, rojet e pallatit pranë pistës “Iliria” kanë vënë re lëvizjet e para të dyshimta në godinën që ata mbikëqyrnin. Apartamenti i katit të fundit, mbi 120 metra katrorë ishte shitur, por askush nuk ka ditur fillimisht se cili ishte blerësi. Sigurisht që asokohe, rojet nuk kishin si ta dinin se pronari i ri i apartamentit as që kishte bërë pazar me ndërtuesin. Shitja e papafingos nuk do të binte aq në sy te stafi që kujdesej për pallatin, nëse sipërfaqja prej 120 metrash katrorë nuk do të ishte ndër hyrjet e pakta që shiteshin këto kohë krize në pallatin pranë ndërtesës së pistës “Iliria”. Pak ditë më vonë, njerëz të panjohur për rojet kanë nisur të mobilojnë apartamentin, por edhe të ngjisnin shkallëve objekte të çuditshme. Të paktën kështu nis e rrëfen një nga rojet e pallatit të ndërtuar nga biznesmeni R. G., në të cilin është strehuar gjatë tri javëve të fundit Dritan Dajti. Ndërtesa thuajse e boshatisur duket se ka qenë vendi perfekt për super të kërkuarin, që sipas rrëfimeve, të paktën për tri javë ka qarkulluar krejt i qetë në zonën përreth.

Rrëfimi i rojës

“Askush nuk e ka ditur se në papafingo jetonte Dritan Dajti. Rreth një muaj më parë mësojmë se apartamenti është shitur dhe më pas në papafingo nisi të ketë lëvizje”. Kështu e nis rrëfimin e tij një nga rojet e pallatit ku ka jetuar për afro një muaj njeriu më i kërkuar në Shqipëri. Roja, i cili nuk pranon të identifikohet, thotë se ky fakt nuk do t’i kishte bërë përshtypje askujt, në rast se në papafingo nuk do të kishin nisur punimet, që do të tërhiqnin vëmendjen e tyre. “Pamë të ngjiteshin materiale të dyshimta, ndërsa ballkoni nisi të rrethohej, gjë të cilin nuk e ka bërë askush këtu. Por, gjithsesi, askujt nuk i shkonte ndërmend se pikërisht në këtë apartament jetonte Dritan Dajti”, - rrëfen roja i pallatit. Pas një jave nga shitja e papafingos, të paktën kështu u është thënë rojeve, në apartament kanë ardhur të jetonin katër djem, të cilët vizitoheshin herë pas here nga një grua. “Nga ajo që shihja unë, kam vënë re që në papafingo jetonin katër djem. Por vetëm njëri prej tyre, me trup të imtë, dilte shpesh dhe merrej me pazaret e përditshme. Ai ngiste dhe makinën luksoze që lëvizte nëpër zonë. Tre të tjerët dilnin rrallë”, - shton roja i ndërtesës. Sipas tij, banorët e mistershëm ishin të qetë dhe mundoheshin të mos binin në sy, duke mos sjellë probleme vërdallë. Por kjo qetësi për të tjerët, ka qenë e frikshme për të zotin e pallatit.

Takimi me pronarin

Megjithëse roja thotë se nuk e di nëse pronari i pallatit me inicialet R. G. ishte në dijeni që papafingoja e pallatit të ndërtuar prej tij përdorej nga Dritan Dajti, shton se i ka parë të dy në një takim në kafen përballë. “Më duket se ishte e martë nga dreka, kur në pallat ishte edhe pronari. U ul në kafenë përballë dhe e pashë se ishte i shqetësuar. Në fakt, kisha një muaj që e shihja në këtë gjendje. Në kafe bashkë me të ulet edhe Dritani. Ajo që më bëri përshtypje, është se pas tij vijnë një e nga një edhe tre djem të tjerë, të cilët ishin pikërisht ata që kisha parë të ngjiteshin në papafingo. Në fakt, takimi zgjati pak minuta, por nuk e di se përse kanë folur”, - thotë roja, i cili ka vëzhguar nga larg takimin e mistershëm të punëdhënësit të tij. Megjithatë, nga ajo sa rrëfen ai, edhe pak këtij takimi askush nuk e ka mësuar identitetin e banorit të mistershëm. Ndërkohë, ndërmjet punonjësve të firmës së ndërtimit pak ditë më parë ka qarkulluar thashethemi, se njëri prej drejtuesve të kompanisë është kërcënuar nën tytën e pistoletës. Burime të Drejtorisë së Policisë së Durrësit thonë se nuk ka pasur asnjë denoncim gjatë javës së shkruar për kërcënime me armë. Ndërkohë që punonjësve të sigurisë u ka bërë përshtypje sesi ditën e premte në mëngjes, pak orë para tragjedisë, pastruesja e firmës ka mbërritur te plazhi “Iliria” për të pastruar papafingon e Dritan Dajtit. “Ashtu si dhe ne, ajo nuk ka ditur se për kë bëhej fjalë. Askush nuk na thoshte qoftë edhe nëse ky apartament ishte i shitur apo jo. Ajo që dinim, është se prej tri javësh në papafingo jetonin katër djem, të cilët lëviznin me kujdes, e rrallë mund të pinin kafe te pista”, - përfundon roja i pallatit ku strehohej Dritan Dajti.

 

 

Alarmi i rremë për rikthimin

e Dritan Dajtit nga Rinasi

 

Dështimet e policisë në 6 vjet për arrestimin e të shumëkërkuarit

TIRANË - Pasi i shpëtoi postbllokut të policisë, në mars të vitit 2005, shtatë muaj më parë, strukturat e specializuara kanë rënë sërish në gjurmët e personit më të kërkuar në Shqipëri. Sipas informacioneve të rezervuara, besohet se në janar të vitit 2009, Dritan Dajti është rikthyer në Tiranë. Informacioni i strukturave të Policisë së Shtetit ka vënë në lëvizje një skemë ndërhyrjeje të agjentëve të sektorit operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në bazë të informacioneve, thuhej se Dritan Dajti do të përdorte aeroportin e Rinasit për t’u rikthyer në Shqipëri. “Shtatë muaj më parë, agjentët kanë qenë në vendet e duhura dhe në gatishmëri të plotë për të prangosur Dritan Dajtin”, - thotë një burim nga policia. Por duket se në të gjithë aksionet, Dritan Dajti ka qenë gjithmonë një hap para agjentëve specialë. Mjetet e përdorura prej tij dhe “sinjalizuesi” në radhët e policisë kanë qenë avantazhi kryesor i Dritan Dajtit për të dalë fitimtar në betejën me punonjësit e policisë. Kështu ndodhi edhe me operacionin e dështuar të radhës, 7 muaj më parë. Megjithëse informacioni konsiderohej tejet i rezervuar dhe agjentët e sektorit operacional kanë mbajtur të mbikëqyrur për orë të tëra aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, këmba e Dritan Dajtit nuk ka shkelur në këtë aeroport. Deri pak ditë më parë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit thuajse nuk kanë pasur asnjë informacion mbi vendndodhjen e Dritan Dajtit, gjurmët e të cilit kishin humbur prej vitit 2005. Pikërisht në këtë kohë, ai arriti të thyejë një postbllok të Policisë Rrugore të qytetit të Durrësit. Pasi ka kërcënuar me armë policin e postbllokut, Dajti është larguar pa lënë gjurmë. Përpara këtij episodi, Dajti i shpëtoi një tjetër rrethimi policor, që vuri në pranga katër shokë të tij, mes të cilëve edhe Emiliano Shullazin. Në një aksion të forcave RENEA tek ish-ekspozita “Shqipëria sot”, mes pallateve të kësaj lagjeje, specialët ndërhynë, duke ndalur në befasi një automjet të dyshimtë. Tre nga personat që ndodheshin në autoveturën me targa të huaja AT 347 XV kanë mundur të largohen me shpejtësi, ndërsa policia i ka ndaluar. Vetëm njëri prej të arratisurve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët nuk u kapën. Gjatë ndjekjes, agjentët e policisë kanë arritur të identifikojnë njërin prej të arratisurve, që ishte Dritan Dajti. L. Çela

 

 

Pajisja e arratisë

 

Streha e Dajtit, e modifikuar

për t’u arratisur nga jashtë

TIRANË - Jeta në arrati e Dritan Dajtit ka kaluar mes frikës nga prangat dhe përsosjes së metodave për t’i shpëtuar arrestimit. Të njëjtën filozofi duket se ka vënë në jetë edhe në apartamentin në plazhin e Durrësit, ku fshihej së fundmi, ku kishte instaluar një arsenal mjetesh në moment rreziku. Megjithëse banesa prej afro 120 metrash katrorë nuk ka pasur orendi të mjaftueshme, ajo ka qenë e fortifikuar me aksesorë që mund t’i siguronin Dajtit një dalje të sigurt nga apartamenti, në rast se e gjente veten të rrethuar nga forcat e policisë. Agjentët që kanë bërë kontrollin e banesës, ku ka jetuar për afro një muaj Dritan Dajti, janë habitur kur kanë parë se në një shtëpi thuajse të zbrazur, i vetmi investim i bërë ishte ai i një mekanizmi që të nxirrte nga ana e jashtme e banesës. Burime nga grupi i hetimit thonë për gazetën “Korrierin”, se papafingoja ka qenë e mobiluar vetëm me krevate, ndërkohë që në anën e jashtme kishte modifikime që siguronin daljen nga dritarja, drejt e në tarracë, në pjesën ku mund të kaloje te shkallët e tjera të pallatit. Modifikimi i arratisë ka qenë i punuar kryesisht me duralumin dhe se garantonte daljen e sigurt pa rënë në sy, edhe pse apartamenti ndodhet në katin e fundit të pallatit, në afërsi të pistës “Iliria”. Kanë qenë pikërisht këto materiale që kanë tërhequr vëmendjen e rojeve të pallatit, teksa i ngjisnin nëpër shkallë “ushtarët” e Dritan Dajtit. Sipas policisë, kjo ishte e vetmja ndërhyrje e bërë nga Dritan Dajti në apartament, çka tregon edhe një tjetër herë, se ai përpiqej me çdo kusht të mos përfundonte në prangat e policisë. L. Çela

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 4012 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
1.87
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive