Hyrje | Analistet | Dëshpërimisht në gjuhë

Dëshpërimisht në gjuhë

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Shqipja mund të jetë atdheu im. Andaj, kur i shoh rektorët që s’dinë ta vënë tingullin ‘ë’ në vendin e duhur, më vjen të vjell. E kur në vend të ‘është’ shkruajnë e thonë ‘asht’, kam përshtypjen se po komunikoj dëshpërimisht me farë të panjohurish që s’e dinë se janë duke e shkruar dhe thënë një fjalë pikërisht në gjuhën time, por me kuptim tjetër.

 

Nga Arben Idrizi

Javë më parë, në tekstin mbi protestën e aktorëve të Teatrit Kombëtar për rritje pagash, hodha një “akuzë”, duke thënë troç se pjesa më e madhe e tyre, pikë së pari, s’dinë të shkruajnë dhe të shprehen shqip drejt – në gjuhën e tyre standarde, gjuhë në të cilën, nëse asgjë tjetër: arsimohen, për të paktën rreth 15-16 vite.

Po nuk është se e kam thënë vetëm në këtë tekst, as vetëm për aktorët.

Dhe ja tash, i pari i Universitetit të Prishtinës, rektori Muja, del me idenë (kokë në vete a i sugjeruar, s’ka rëndësi), që Gjuha Shqipe, përkatësisht ‘Lënda e shkrimit dhe komunikimit shqip’, të jetë lëndë obligative në të gjitha fakultetet e këtij universiteti.

Arsyeja (E thënë nga ai? Apo e nxjerrë nga unë?): studentët – që ndërkohë studiojnë aty dhe në të vërtetë diplomojnë aty – nuk dinë, edhe më tej, të shkruajnë dhe shprehen shqip.

Ideja është bizare (kur them Bizare kuptimi i vetëm i këtij termi që po më sillet në mendje është ai që i jepte B. Russell në ‘Alfabeti i qytetarit të mirë’), e arsyeshme, qesharake, absurde, tmerruese, e çka jo tjetër, në të njëjtën kohë.

Dikush, e ndoshta me shumë të drejtë, do të pyetej mos është edhe reaktori që s’di të shkruajë e shprehet shqip. Por, me këtë, s’është se do të manifestonte pavetëdijshëm ndonjë inat personal me të. Në të vërtetë: do të manifestonte një fakt të frikshëm: janë pjesa më e madhe e profesorëve që nuk dinë të shprehen dhe të shkruajnë drejt në shqip. Mund të pasojë përgjigjja: në njëfarë mënyre e ka pasur puna e atyre të gjorëve, le t’i shpëtojmë këta që vijnë pas, mësimdhënësit e ardhshëm.

Por vazhdon vërejtja tjetër, logjike deri në copëtimin e eshtrave: si qenka e mundur të mësojnë të shkruajnë shqip drejt ata studentë të mjerë për një afat të caktuar provimi (një semestër? një muaj? një ditë?), kur këtë s’kanë mundur ta bëjnë rrafsh 12 vite të arsimimit dhe formimit – në shkollimin elementar dhe atë të mesëm? Dhe për më tepër në kushte ende më të vështira, penguese, kur janë të fokusuar dhe orientuar ekskluzivisht (parimisht) në formimin e tyre (jo më të përgjithshëm, por) profesional?

A ka nevojë (mund) të përgjigjemi?

Mes parantezash: s’është vetëm problemi i të mësuarit për të shkruar drejt në gjuhën amtare standarde. Është problemi i vetë nivelit të arsimimit në përgjithësi.

Të hetosh problemin në kulm kur është në themel, nuk është karakteristikë për atë që mendon me mendje të shëndoshë. Mendja e shëndoshë e di se e ka pasur puna jo vetëm e atyre që janë studentë tani, por edhe pothuajse e atyre që tani janë në klasën e parë fillore. Mund të dukem më skeptik se zoti: edhe e atyre që do të nisin të arsimohen edhe pas një dekade.

Se ideja e rektorit është gati se e kotë, mjafton të ndërmendemi për një fakt (krahasues), në dukje banal. Me dekada të tëra ekziston posti i lektorit nëpër gazeta, revista, administratë, etj. Praktika tregon se efekti i tij është zero. Në kuptimin se gazetarët dhe të gjithë ata që i janë nënshtruar këtij “arbitri arsimues” (lektorit), e që po ashtu, në gjendjen e tillë, do të mund të quheshin studentë, s’kanë mësuar pothuajse kurrë të shkruajnë drejt në shqip.

Që të mos ia hamë hakun (por kush tha se ka hak ai?) rektorit, le të themi se mbase, meqë jemi mbytur aq thellë dhe na ka mbetur një fije kashte para dorës, mbase, mbase nja pesë për qind e studentëve, me mund të madh, do të mësohen të shkruajnë shqip drejt. Por jo ata të Fakultetit Filologjik apo Filozofik, ndoshta ata të shkencave ekzakte.

Ajo që e preokupon rektorin (dhe neve kështu) është vetëm një problem elementar i folësve (kosovarëve) me gjuhën (shqipe). Ç’të themi për problemin e vetë gjuhës? Në kontekstin e ballafaqimit të saj me zhvillimet e shpejta dhe të largëta në të gjitha veprimtaritë njerëzore. Sikur kjo të ishte çështja, do të kishim mundur të merrnim frymë pak më lehtësisht.

Unë s’kam ide për të dhënë, ngase s’kam asnjë ideal as përgjegjësi qytetare. Por, edhe kaq gjë mund të quhet ideal dhe përgjegjësi, apo jo?! E megjithatë, dua të them atë që e kuptoj pa e lodhur mendjen fare: duhet të investohet dije (jo objekte) në arsimin fillor dhe të mesëm.

Pa shiheni pak, në cilën epokë po përballemi më këtë problem?! Ja edhe një tullë më shumë në Kullën e Turpit!

S’kam as atdhe. Të paktën jo territorial. E megjithatë, si Pessoa, dua të them se shqipja mund të jetë atdheu im. Andaj, kur i shoh rektorët që s’dinë ta vënë tingullin ‘ë’ në vendin e duhur, më vjen të vjell. Mund të mos jetë tingull ekskluzivisht i shqipes, por të paktën shqipja është ndër gjuhët e rralla që e ka. E kur në vend të ‘është’ shkruajnë e thonë ‘asht’, kam përshtypjen se po komunikoj dëshpërimisht me farë të panjohurish që s’e dinë se janë duke e shkruar dhe thënë një fjalë pikërisht në gjuhën time, por me kuptim tjetër.

 

 

 

Nuk merremi me të tjerët, por me veten tonë

 

Vikendi që kaloi “u përmbyll” edhe me një skandal politik të radhës, autor i të cilit është, kush tjetër pos Qeveria e Maqedonisë. Por skandali nuk e kaloi shkallën e një proteste aparatçike-obskuritaniste të do (me nder me thënë) shqiptarëve “pushtetarë” të Ali Ahmetit. As kjo nuk mjafton që Ali Ahmeti ta prishë koalicionin me këtë qeveri maqedonase aktuale shoviniste serbe që dirigjohet nga Beogradi, dhe që tash pretendon trazira të reja dhe luftë të hapur me shqiptarët, që kështu t’i shërbejë Serbisë në kuotat e strategjive të shtetit të saj terrorist policor që shprehet me pamfletet e pelegrinazhit të Jovicës së vogël që Brukselit po ia çon mallin e një çuni. Këta maqedonasit sllavë të sotëm po projektojnë përmendoren (30 metra të lartë) të Aleksandrit të Madh antik, që tash po e përvetësojnë këta të vetëdeklaruarit sllavë (dhe çka ka lidhje sllavizmi me antikën, këtë mund ta dijë vetëm Qeveria e komandosëve serbë në tryezën e Qeverisë së Maqedonisë). Pastaj do kisha në themelet e shtëpisë së lindjes së Nënës Tereze… dhe krejt një kompozicion i tillë kiç-parodie artistike e procedeut politik me taban racist. Tashmë që nuk frikohen nga liderët pula të shqiptarëve, hyzmeqarët e serbëve janë bërë edhe arrogantë, aq arrogantë saqë ndërmarrin veprime thua ti shqiptarët atje (po edhe në Prishtinë dhe në Tiranë) janë shndërruar në varre të panjohura muhaxhirësh ose në “koka turke”. Ata veprojnë sikur në Ballkan nuk ekzistojnë më shqiptarët, ose nëse ekzistojnë, atëherë ata qenkan inferiorë, injorantë politikisht, si dhe kozmopolitë që aq u bën për trashëgiminë e tyre kulturore në Ballkan, të cilën ia falin serbëve në Kosovë dhe serbëve të tjerë të quajtur maqedonas në Shkup. Pra u promovua medialisht projekti për historicizimin “artistik-arkitektonik” të qendrës së qytetit të Shkupit. Një politikë kaq hitleriane e Qeverisë së Maqedonisë, më shumë u kritikua nga vetë opozita e partive maqedonase (nga ish-presidenti Cervenkovski) sesa nga nomenklatura (e me nder me thanë) liderëve shqiptarë atje. Skandali politik (luftënxitës) nga shqiptarët “politikë” atje u rrudh vetëm në dy-tri deklarata “delegatësh” si dhe në disa lajme (asnjë koment) në mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Derisa sllavët nuk pushojnë ta shpallin dhe madje ta konstituojnë trashëgiminë kulturore shqiptare si trashëgimi sllave, pesë parti politike në Mal të Zi nuk merren vesh ndër vete, po aq edhe në Luginën e Preshevës, kurse në Kosovë “opozita” dhe “pozita” merren me punë të pashallëqeve të tyre (në konflikt interesi politik), e të mos flasim si veprojnë sot Edi Rama e Sali Berisha. Ata sillën pothuaj ti se shqiptarët i kanë zgjidhur problemet e tyre kruciale, por tani u ka mbetur cili person politik po e merr pushtetin, që ua udhëheq nëntoka brukseliane që nga Roma. Pra shqiptarët po merren me vetveten, derisa Serbia dhe Maqedonia në territorin e shqiptarëve po e përvetësojnë dhe po e ligjësojnë ndërkombëtarisht “trashëgiminë e tyre” (në UNICEF) “tokën e askujt”. Askush zyrtarisht nuk i bie prapa “tokës së askujt” dhe kështu kush sa mundet vjel dhe zhvat nga ajo, derisa shqiptarët merren me kush sa vota i ka vjedhur, dhe kush sa më pak a më shumë është i implikuar në krimin e organizuar (politik dhe ekonomik) të cilin e organizon dhe e menaxhon pikërisht mafia ballanike me qendër në Athinë, në Shkup dhe në Beograd.

Marrë nga gazeta “Bota Sot”

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 971 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive