Hyrje | Analistet | Për diferencimin e prodhuesve nga tregtarët

Për diferencimin e prodhuesve nga tregtarët

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

 

Siç e ka shpjeguar profesor Nuri Bashota në një punim të tij, infrastruktura nuk është zhvillim ekonomik, por bartëse e zhvillimit ekonomik. Infrastruktura e re në Kosovë do të jetë më shumë bartëse e zhvillimit të huaj sesa e zhvillimit tonë, përderisa politika ekonomike është në funksion të privatizimit, kurse politika fiskale në funksion të importit.

    Komuniteti i biznesit. Këtë shprehje e kanë shpikur tregtarët. Atyre iu leverdis që kjo shprehje të blihet nga qytetarët. Të duket se biznesmenët janë bashkë, se janë komunitet. Në fakt, dallimi thelbësor është pikërisht përbrenda komunitetit të biznesit, dallim ndërmjet tregtarëve dhe prodhuesve, ndërmjet atyre që shesin e blejnë dhe atyre që prodhojnë.

   Në kundërshtim me logjikën formale të Aristotelit, Gilles Deleuze konsideronte që diferenca nuk është diferencë e varur nga identiteti, se identiteti nuk i paraprin diferencës, por anasjelltas. Aristoteli thoshte që A=A, B=B, A≠B, dhe së këndejmi A-B≠0, d.m.th. kemi diferencën që varet nga identiteti meqë është diferencë ndërmjet identiteteve. Porse Deleuze thoshte që mu kjo diferencë ka jetë të pavarur që strukturon tutje mandej. Sipas Deleuze diferenca nuk duhet përkufizuar negativisht; diferenca është, kurse identiteti bëhet dhe jo e kundërta.

   Në shoqërinë tonë, si në aspektin material, po ashtu edhe në atë kulturor të klasës, më afër janë konsumatorët gjithnjë e më të varfër me prodhuesit që gjithashtu po varfërohen, sesa këta prodhues me tregtarët që janë gjithnjë e më të pasur. Pra, shumë më i madh është dallimi midis prodhuesve dhe tregtarëve, sesa midis prodhuesve dhe konsumatorëve. Në rrethanat aktuale, në nivelin që ka shoqëria jonë, më e rëndësishme është nëse biznesmeni është prodhues apo tregtar, sesa nëse qytetari është biznesmen, apo jo? Pra, diferenca e brendshme në komunitetin e biznesit është (diferenca) themelore.

  Sërish është Deleuze, ai që sqaronte se “A” në fakt është diferenca ndërmjet “a” dhe “a” etj. Deleuze konstatonte supremacinë e diferencës së brendshme. P.sh., ai besonte që një njeri e shquan dallimin ndërmjet një njeriu tjetër dhe një kali, sepse, para së gjithash, e shquan dallimin ndërmjet dy njerëzve çfarëdo. Dallimi ndërmjet dy produkteve nuk është përjetimi i ndryshëm nga përdorimi i tyre, por marrëdhënia në prodhim që ka rezultuar me ato produkte. Historia e produktit që e konsumojmë e përcakton jetën tonë e jo e tashmja e atij produkti, jo aktualiteti banal i tij. Prodhuesit janë prodhues të mallrave të Kosovës kurse tregtarët janë shitës të mallrave në Kosovë. Duhet t’i diferencojmë prodhuesit (vendorë) që e forcojnë Kosovën, prej tregtarëve që i forcojnë vendet prej nga ata na i sjellin produktet (e huaja).

   Shteti nuk mbahet me supermarkete e me qendra tregtare. Shteti mbahet me prodhim. Nuk ka punësim dhe as mirëqenie për qytetarët pa prodhim. Kosova ka deficit enorm tregtar. Raporti eksport/import është vazhdimisht nën 10 për qind (ndërsa më 2009 kjo përqindje kishte rënë madje në 8.5 për qind). Shumica dërrmuese e parave që vijnë nga diaspora jonë shpejt nxirren jashtë vendit përmes konsumit masiv që iu bëhet produkteve të huaja. Tregtarët e fuqishëm janë të lidhur me udhëheqësit politikë të të gjitha partive kryesore. Ata i financojnë fushatat parazgjedhore dhe paszgjedhjeve, shpaguhen me tenderë dhe ligje të favorshme për tregtinë e tyre, që e ka ngritur importin mbi vlerën e buxhetit të Kosovës. Shteti i këtillë i Kosovës nuk është në shërbim të prodhuesve vendor, që nuk i subvencionon fare, por në shërbim të tregtarëve të huaj që ua ka hapur tregun për gjithçka. Nuk do t’i blejë askush prodhimet tona pa i blerë njëherë ne vetë ato. Prodhimet vendore nuk forcohen nga jashtë, por nga brenda: përmes përkrahjes së shtetit dhe konsumimit të qytetarëve.

     Të gjithë ata që nguten të pyesin se çfarë të bëhet për produktet e nevojshme që nuk i prodhon as Kosova dhe as Shqipëria, duhet t’iu përgjigjemi me pyetje: sa janë të kujdesshëm vetë ata që rregullisht t’i blejnë produktet që tashmë prodhohen në Kosovë e Shqipëri? Ndërkaq, të gjithë ata që arsyetohen se ka shumë produkte të huaja që janë më të lira, duhet t’iu përgjigjemi sërish me pyetje: çfarë kanë bërë ata që të organizohen kundër UNMIK-ut dhe qeverive të pasluftës, të cilët me politikat e tyre fiskale janë vënë në shërbim të tregtarëve (të mallrave të huaja) dhe kundër prodhuesve (të mallrave vendore)?

   Në jetën tonë publike patjetër duhet ta sjellim atë që e maskon realiteti: antagonizmin ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve në njërën anë, dhe tregtarëve e koniunkturave politike dhe institucionale në anën tjetër. Duhet ta kemi betejën që ta kemi fitoren. Mbase këtu edhe do të duhej të ndahemi nga Deleuze: ta pranojmë kritikën e Deleuze ndaj Aristotelit, por jo edhe atë ndaj Hegelit (përkatësisht ndaj dialektikës si sintetizim i kundërthënieve nëpërmjet tejkalimit të tyre drejt një uniteti cilësisht më të lartë).

  Mungesa e zgjidhjeve politike dhe ekonomike në Kosovë doemos i shton problemet sociale. Grevat dhe protestat gjithsesi do të shpeshtohen dhe rriten. Sepse asfalti nuk hahet. 45 për qind të varfër dhe 18 për qind në varfëri të thellë nuk i kanë hall gropat nëpër rrugë, por ato në stomak. Në vend se të ndërtohen fabrika, të cilat mandej do të na e sillnin edhe asfaltin e ri, po shtrohet asfalti që t’ua ndërtojë e forcojë fabrikat të huajve që shesin gjithnjë e më shumë produkte të tyre tek ne.     

  Siç e ka shpjeguar profesor Nuri Bashota në një punim të tij, infrastruktura nuk është zhvillim ekonomik, por bartëse e zhvillimit ekonomik. Infrastruktura e re në Kosovë do të jetë më shumë bartëse e zhvillimit të huaj, sesa e zhvillimit tonë, përderisa politika ekonomike është në funksion të privatizimit, kurse politika fiskale në funksion të importit. Teksa shkojmë e vijmë te halla në Prizren ose te daja në Besianë, do të hasim gjithnjë e më shumë në maune me mallra të huaja e gjithnjë e më pak në ato më mallra vendore.       

Prishtinë, 4 shkurt 2010

Albin Kurti

  

 

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg
  • Plain text 395 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Poll: Zgjedhjet e 28 Qershorit
A duhent nje hetim i plote me rihapjen e kurive