Mallakastër, kapen 120 kg hashash, destinacioni Greqia
Policia ka infiltruar një agjent të antidrogës, i cili u është prezantuar dy mallakastriotëve si trafikant, që kërkonte një sasi të madhe hashashi për ta shitur në Greqi
Adea Prifti
MALLAKASTËR - Dy persona kanë rënë në pranga të policisë, teksa prisnin “porositësin” e mallit që do të blinte 120 kg hashash për ta çuar në Greqi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, të cilët pohojnë se zhvilluan me sukses operacionin e koduar me emrin “Shkëmbi i kuq”, në fshatin Hekal të rrethit Mallakastër.
Dy shtetasit, njëri nga fshati Klos dhe tjetri nga fshati Hekal, e kishin ambalazhuar lëndën narkotike në pesë thasë dhe tri fuçi plastike dykuintalëshe. Pesë thasët i kishin të fshehur në kasollet e shtëpisë dhe tri fuçitë i kishin fshehur në kodër të fshatit, në vendin e quajtur “Shkëmbi i kuq”, nga ku mori edhe emrin operacioni policor. Në prangat e policisë kanë rënë Mitat Velaj, 55 vjeç, i martuar me fëmijë, banor i fshatit Klos, komuna Hekal, si dhe Bajram Minaj, 52 vjeç, banues i fshatit Hekal, rrethi Mallakastër.
Nga burime të sektorit të luftës kundër trafiqeve të lëndëve narkotike në këtë drejtori policie, mësohet se fillimisht ishte marrë informacioni se këta dy shtetas dispononin lëndë narkotike të dyshuar si hashash. Duke organizuar punën, ky sektor ka infiltruar një agjent të antidrogës, i cili u është prezantuar dy mallakastriotëve se donte një sasi të madhe hashashi për të shitur në Greqi, pasi kishte siguruar tregun në tokën helene. Pasi ka marrë mostrën për të parë cilësinë e hashashit dhe kanë rënë dakord me pazarin, ku një kilogram hashash kushtonte 240 mijë lekë, pas largimit të tij, policia ka vënë në pranga trafikantët dhe ka kryer kontrolle në banesat e tyre. Në fillim policia ka shkuar në vendin e quajtur “Shkëmbi i kuq”, në lagjen “Arapaj” të fshatit Hekal, ku është gjetur e futur në fuçi dykuintalëshe sasia prej rreth 98 kg hashash e pastruar. Më pas policia ka ushtruar kontroll në banesat e dy shtetasve, ku ka gjetur sasinë prej afro 21 kg hashash dhe një automatik të markës “Kallashnikov”. Pasi janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy shtetasit janë shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Mallakastër, ku janë marrë në pyetje, e më pas në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ku u është prerë edhe fletë-arresti në orën 02:00 pas mesnate. Operacioni është zhvilluar në orën 23:30 të mbrëmjes së të hënës.
Burimet zyrtare të policisë së antidrogës në Fier pohuan faktin se sasia prej 120 kg hashash do t’i shitej agjentit policor të infiltruar për në Greqi, kundrejt shumës prej 2,9 milionë lekësh, ndërkohë që ai do ta shiste në Greqi këtë sasi hashashi, në vlerën e 120 mijë eurove, pasi sipas tyre, një kg hashash në Greqi shitet kundrejt vlerës prej një mijë eurosh.




del.icio.us
Digg
Komente (0 publikuar):
Publikoni komentin tuaj