Hyrje | Aktualitet | Vizita në Tiranë-Zëvendësministri grek: Himara, minoritet

Vizita në Tiranë-Zëvendësministri grek: Himara, minoritet

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

TIRANË - Zëvendësministri i Jashtëm grek u ka kërkuar homologëve shqiptarë trajtim të drejtë të minoritetit grek në jug të Shqipërisë, sa u përket çështjeve të pronësisë në bregdet. Agjencia greke e lajmeve, “ANA”, raporton se zëvendësministri Miltiades Varvitsiotis ka diskutuar gjatë vizitës në Shqipëri edhe problemin e pronave të minoritarëve në jug të vendit, duke cilësuar edhe Himarën si zonë minoritare. “Ne kërkuam zgjidhje të shpejtë, sepse e konsiderojmë që zhvillimi i turizmit nuk duhet të bëhet në kurriz të interesave të minoritetit grek”, - ka thënë zëvendësministri, që sipas agjencisë së lajmeve, i referohej zonës së Himarës dhe të tjera pjesëve të bregdetit, në atë që quhet Riviera Shqiptare. “Ne e  konsiderojmë të rëndësishme mbajtjen nën vëzhgim të të drejtave të minoritetit grek në atë zonë dhe do të jemi përkrah tyre, në përballjen ligjore që kanë”, - ka thënë zëvendësministri Miltiades Varvitsiotis.

Shqipëria zyrtarisht nuk e njeh Himarën si zonë minoritare, pavarësisht pretendimeve të një pjese të banorëve të saj, por zyrtarët e vendit fqinj iu referohen banorëve të zonës gjithmonë si minoritarë. Konflikti i pronave në këtë zonë është shfaqur kohë më parë dhe ende nuk ka marrë një rrugëzgjidhjeje. Grupe interesi, si ai që përfaqësohet nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i kanë mbuluar këto interesa nën petkun e nacionalizmit, ndërsa ky version është mbrojtur edhe nga një zyrtar i lartë grek, siç është zëvendësministri i Jashtëm. Varvitsiotis përmbushi të enjten vizitën zyrtare në Tiranë, ku ai u takua me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, atë të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ai gjithashtu u prit nga lideri i opozitës, Edi Rama dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastasi. Agjencia “ANA” njofton se gjatë takimeve është diskutuar bashkëpunimi dhe sidomos ndërtimi i një korridori që do të lidhë Sarandën me Sayidan. Sipas zëvendësministrit, ky korridor do të lidhë veriun ekstrem të Greqisë, me atë pjesë të jugut të Shqipërisë, duke kaluar përmes Konispolit.  Varvitsiotis, që takoi edhe një grup biznesmenësh dhe drejtuesish bankash greke në Tiranë, hodhi poshtë çdo deklaratë për probleme që mund të rrjedhin për shkak të krizës botërore. “Çdo shqetësimi në lidhje me praninë e bankave greke në rajon dhe sidomos në Shqipëri është e pajustifikuar. I sigurova bashkëbiseduesit e mi, që bankat greke nuk kanë probleme të rrjedhjes së parave dhe nuk ka arsye që investitorët shqiptarë të shqetësohen për depozitat e tyre”, tha ai. Gjithashtu, ai theksoi se ishte i kënaqur me frymën miqësore që gjente biznesi grek në Shqipëri, ndërsa theksoi se shpesh kompanitë e huaja kanë vështirësi në vend, për shkak të burokracive.

Agjencia greke e lajmeve “ANA”

 

Shto tek: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 publikuar):

Publikoni komentin tuaj comment

  • email Email shokeve
  • print Print version
  • Plain text Vetem tekst
Tags
Ska tags per kete artikull
Vlereso kete artikull
1.00